Ngushëllim i përjetshëm

“Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë. Dhe vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë, ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.” (2 Thesalonikasve 2:15-17).

Parathënie

Në vargjet e mësipërme, apostulli Pal i inkurajon besimtarët e Thesalonikut, që ta ruajnë besimin e tyre, duke e ditur se janë vërtet të shpëtuar, që nga dita që e pranuan Krishtin. Vetëm ata, që janë të rilindur, mund ta kenë një garanci e siguri të tillë.

Qëndroni

Pali iua kishte sqaruar atyre edhe më parë këtë çështje në letrën e tij të parë. “Sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin” (1 Thesalonikasve 3:8). Në këtë letër, ai sjell ndërmend vendosmërinë e këtyre besimtarëve për të vazhduar në atë rrugë, që iu kishte caktuar Perëndia, d.m.th. ata nuk lejonin asgjë e asnjë, që t’i largonte prej besimit në Krishtin dhe në Biblën. “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Korintasve 15:58)… “Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë” (1 Korintasve 16:13). Në komentimin që i bëjnë këtij vargu, autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun thonë: “Besimtarët e rinj të Thesalonikut kishin nevojë të forcoheshin në vlera të tilla, e jo në mësime fanatike”.

Mbani porositë

Kjo do të thotë se ata duhej t’i shtrëngonin fort ato që kishin mësuar e që i dinin se ishin të vërteta. Këtu përfshihej edhe domosdoshmëria për të qëndruar besnikë, pavarësisht nga përndjekjet, me të cilat po ballafaqoheshin. “Unë i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku është froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin në mua, edhe në ato ditë kur Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani” (Zbulesa 2:13). Besimtarët, që nuk pranojnë ta braktisin besimin e tyre në Krishtin, do të bekohen përjetësisht prej Tij. “Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde” (Zbulesa 3:11). Prandaj, pra, pavarësisht sesa të vështira do të jenë kushtet për ne, si të krishterë, në Ditët e Fundit të botës, prapëseprapë duhet të vazhdojmë ta predikojmë Krishtin si Shpëtimtar. “Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit” (Hebrenjve 4:14). Porosia, për të cilën bëhet fjalë në këtë varg, është vetë fjala e Perëndisë. “I zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar” (1 Korintasve 11:2). Të gjitha porositë, që i marrim në kishë, duhet të peshohen dhe të maten me standartet e fjalës së pagabueshme të Perëndisë. N.q.s. porosi të tilla nuk bazohen në Bibël, atëherë nuk ia vlen që të zbatohen.

Perëndia të do

Kjo është e vërteta themelore, që e veçon krishtërimin biblik prej të gjitha feve të tjera. Perëndia na deshi, madje edhe para se të vinim tek Ai për shpëtim. “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8). Dashuria e Perëndisë u shfaq në Birin e Tij, të Cilin e dërgoi në botë për t’u bërë Shpëtimtari ynë. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Një dashuri e tillë është e përjetshme dhe askush nuk mund të na e rrëmbejë. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:35-39)… “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi” (Jeremia 31:3).

Forcim shpirtëror

Pali lutet për besimtarët që vuajnë, që të forcohen me forcën që mund t’iu japë vetëm Perëndia. Shpeshherë, lutja e tij bëhet në formën e të dërguarit të një të krishteri tjetër, për t’i inkurajuar e ndihmuar këta besimtarë të tillë. “Dhe dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe shërbenjës të Perëndisë, dhe bashkëpunëtorin tonë në predikimin e ungjillit të Krishtit, që t’ju fuqizojë dhe t’ju japë zemër në besimin tuaj” (1 Thesalonikasve 3:2). Një ngushëllim i tillë nuk është thjesht një keqardhje për ata, që vuajnë, por një nxitje për të mos e braktisur besimin, për të mos u dorëzuar, për të vazhduar për t’i shërbyer besnikërisht Zotit. E megjithatë, është Fryma e Shenjtë Ai, që na ndihmon e na fuqizon për të vazhduar për ta ndjekur Krishtin. “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju… Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:16, 26). 

Përfundim

Bibla kurrë nuk na premton se jeta e krishterë do të jetë e kollajshme. Në fakt, ajo na premton të kundërtën. “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Duhet ta shtrëngojmë fort të vërtetën, e cila na shpëtoi shpirtin dhe të vazhdojmë ta përhapim mesazhin e shpëtimit në të gjithë botën. Mateo Henri ka thënë: “Sa më shumë që gjejmë kënaqësi në fjalën, veprat dhe shtigjet e Perëndisë, aq më shumë ka të ngjarë që do të këmbëngulim në to”. 

Mbrapa

Advertisements