Ngushëlloni dhe ndërtoni njëri-tjetrin

“Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni” (1 Thesalonikasve 5:11).

Parathënie

Duhet ta ngushëllojmë dhe ndërtojmë njëri-tjetrin, derisa të vijë Zoti Jezus Krisht e ta marrë kishën e Tij për në Qiell. Fjala “ngushëlloj” do të thotë “nxis, këshilloj”, kurse fjala “ndërtoj” do të thotë “inkurajoj, jap guxim”. Këtë gjë po bënin edhe besimtarët e Thesalonikut, por Pali i inkurajon ata, që ta ngushëllojnë e ta ndërtojnë edhe më shumë njëri-tjetrin. Në fakt, duke i këshilluar në këtë mënyrë, Pali po bënte pikërisht atë gjë, të cilën po iua sugjeronte atyre vetë.    

Ngushëlloni njëri-tjetrin

Jetojmë në një kohë, kur shumica e njerëzve e kanë braktisur Zotin dhe i janë kthyer botës. Duhet të tregohemi të vëmendshëm ndaj atyre, që janë të dobët në besim, në mënyrë që t’iu gjendemi afër e t’i inkurajojmë, për të vazhduar rrugën me Perëndinë. Nuk duhet të tregohemi të kujdesshëm vetëm për veten tonë, por duhet të jemi përgjegjës gjithashtu edhe për nxitjen, inkurajimin dhe forcimin e të tjerëve. “Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë” (1 Thesalonikasve 4:18)… “Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi” (2 Korintasve 1:3-4).

Një lloj ngushëllimi i tillë nuk do të thotë thjesht t’i bekosh të tjerët me fjalë dhembshurie, por ai përfshin gjithashtu edhe t’iu bësh mirë atyre, me aq sa të kesh mundësi, si nga ana shpirtërore, ashtu edhe nga ana fizike. Shumica e besimtarëve janë si Kaini, i cili, kur u pyet nga Zoti se ku ishte vëllai i tij, Abeli, u përgjigj: “Mos jam unë rojtari i vëllait tim?” (Zanafilla 4:9). Jemi thirrur që t’i gjendemi afër njëri-tjetrit, sidomos në momente vështirësie, sëmundjeje, apo hidhërimi. “Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2). T’ia mbash barrën tjetrit është një cilësi karakteri, që tregon se imazhi i Perëndisë është në ne. “Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet” (Psalmi 55:22)… “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetrit 5:7). Do të vijë dita, kur edhe ne vetë do të kemi nevojë që të na ngushëllojnë të tjerët. “Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet. Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit” (Galatasve 6:9-10)… “Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri. Jepu pjesë shtatë, madje edhe tetë vetave, sepse ti nuk e di se çfarë fatkeqësie mund të të ndodhë mbi tokë” (Predikuesit 11:1-2).

Ndërtoni njëri-tjetrin

Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit” (Romakëve 14:19). Pali na inkurajon që ta ndërtojmë njëri-tjetrin në besim. Kjo arrihet nëpërmjet diskutimeve lidhur me fjalën e Perëndisë, sa herë që mblidhemi bashkë. Komentatorët e Biblës, Xhejmisën, Foset dhe Braun, thonë kështu: “Duke diskutuar së bashku rreth temave, që e ndërtojnë njëri-tjetrin, si p.sh. ardhja e Zotit, apo lavdia e shenjtorëve”. “Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri tjetrit. Zoti i dëgjoi me vemendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij” (Malakia 3:16)… “Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij” (Fjalët e Urta 27:17).

Duhet ta ndërtojmë dhe ta inkurajojmë njëri-tjetrin për punën e Perëndisë. Prandaj edhe duhet t’i shmangemi asaj, që është ofenduese, apo jo e shenjtë: “Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë” (Efesianëve 4:29). Ashtu siç e thamë edhe në hyrje të këtij studimi, fjala “ndërtoj” do të thotë “nxis, këshilloj”. Por, duhet të tregojmë kujdes, që, nëpërmjet një mungese shenjtërie në jetën tonë, të mos i nxisim ata që janë të dobët në besim, që t’i shkojnë pas mëkatit. “Sepse, në qoftë se dikush të sheh ty, që ke njohuri, të ulur në tryezë në një tempull idhujsh, ndërgjegja e tij, që është e dobët, a nuk do të marrë guxim që ai të hajë gjërat e flijiuara për idhujt? Edhe kështu, për shkak të njohurisë sate, do të humbasë vëllai yt i dobët, për të cilin vdiq Krishti. Dhe, kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve, duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit” (1 Korintasve 8:10-12)… “Por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot,” që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit” (Hebrenjve 3:13). Biznesi ynë është ndërtimi, jo shkatërrimi shpirtëror i të tjerëve. “Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë” (Judës, vargu 20).

Përfundim                      

Fjalët “së bashku” dhe “njëri-tjetrin” janë çelësi drejt unitetit brenda për brenda kishës së Krishtit. “Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku” (Veprat e Apostujve 1:14)… “Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre” (Veprat e Apostujve 2:46). Nuk mund të ketë ngushëllim, apo ndërtim shpirtëror, po qe se nuk mblidhemi së bashku me njerëzit e Perëndisë. “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:25).

Mbrapa

Advertisements