Një besëlidhje miqësie

“Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet. Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij.” (1 Samuelit 18:2).

Parathënie

Jonathani dhe Davidi i kishin shpirtrat shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Mendjet i kishin po ashtu njëlloj. I premtuan njëri-tjetrit se do të ishin miq për jetë. Një miqësi e tillë është shumë e rrallë dhe shpesh edhe keqkuptohet. Zoti Jezus Krisht iu referua një miqësie të tillë besnike dhe sakrifikuese, kur tha: “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13).

Besëlidhje apo kontratë?

Në shoqërinë e sotme, njerëzit e kanë zakon t’iu vënë vulën dokumentave të ndryshme dhe, kur këto dokumenta janë të rëndësishme, ata sigurohen mirë që iu kanë hedhur firmën dhe i kanë fotokopjuar disa herë. Ka raste, kur gjykatësit i shohin dokumenta të tilla dhe gjejnë gabime të ndryshme në to, sidomos atëherë kur personi në fjalë nuk e ka zbatuar siç duhet ligjin. Por Jonathani dhe Davidi lidhën një besëlidhje vetëm me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë. I premtuan besnikërisht njëri-tjetrit se do të kujdeseshin për shoku-shokun dhe se do t’i gjendeshin pranë njëri-tjetrit në rrezik e në nevojë. U betuan se, përveç vdekjes, asgjë tjetër nuk do të mund t’ua thyente këtë besëlidhje. Ka nga ata njerëz me mendje të çoroditura e të ndotura, që thonë se miqësia midis Jonathanit dhe Davidit ishte e një natyre homoseksuale. Por, në të vërtetë, një miqësi e tillë mund të krahasohet veçse me një miqësi mes dy vëllezërve.

Një besëlidhje e tillë është e veçantë, sepse nuk është si të gjitha të tjerat. Pavarësisht sesa të ngushtë t’i kemi miqtë sot, p.sh. prapëseprapë ka raste, kur nuk iu besojmë plotësisht atyre. Prandaj edhe të pakta janë ato miqësi, që e kanë jetën e gjatë. Dy faktorët kryesorë të një miqësie të vërtetë janë përkushtimi dhe qëndrueshmëria. Nëse nuk jemi gati për t’i mbrojtur miqtë tanë, për t’iua plotësuar atyre të gjitha nevojat, që mund të kenë, si edhe për t’i dalë për zot nderit të tyre, atëherë miqësia jonë nuk i ngjan aspak asaj midis Jonathanit dhe Davidit. Besëlidhja e tyre vazhdoi madje edhe pas vdekjes së Jonathanit: “Davidi tha: “A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?” (2 Samuelit 9:1).

Merri të gjitha!

Jonathani i dha Davidit gjithçka kishte për vete. Duke i dhënë atij mantelin, shpatën, harkun dhe brezin, Jonathani sikur i tha Davidit: “Ç’është e imja, është edhe e jotja”. Të dhënit e këtyre gjërave, sidomos e mantelit mbretëror, simbolizon gjithashtu faktin se Jonathani ishte gati t’ia dorëzonte vetë fronin mbretëror Davidit: “Ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje” (1 Samuelit 23:17). “Në vendet e Lindjes, t’i jepje dikujt rrobat e veshura më parë prej një mbreti, apo prej djalit të tij të madh dhe trashëgimtarit të fronit mbretëror, konsiderohej si nderi më i madh, që mund t’i bëhej personit në fjalë” (marrë nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). “Për njeriun që mbreti dëshiron të nderojë, të merret rroba mbretërore që ka veshur mbreti dhe kali mbi të cilin ka hipur dhe të vihet mbi kokën e tij një kurorë mbretërore. T’i dorëzohet rrobja dhe kali njerit prej princave më fisnikë të mbretit dhe t’i vishen rrobat njeriut që mbreti dëshiron të nderojë; pastaj të çohet me kalë nëpër rrugët e qytetit dhe të shpallet para tij: “Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron të nderojë!” (Esterit 6:7-9).

Jonathani ishte gati ta mohonte veten, për hir të Davidit. Ah, sikur të ishim edhe ne miq të tillë të vërtetë të Krishtit! “Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj” (Gjoni 15:14)… “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Mateu 16:24).

Mbreti Saul ishte përpjekur ta vishte Davidin me armaturën e tij, por Davidi s’kishte pranuar. E megjithatë, ai pranoi të vishte rrobat e Jonathanit. Arsyeja ndoshta qëndron tek qëllimet e ndryshme, që kishin si Sauli, ashtu edhe Jonathani. Sauli ishte gati që ta lejonte djalin bari të shkonte e të luftonte kundër gjigandit, d.m.th. të shkonte drejt një vdekjeje të sigurtë. Por nëse Davidi do ta fitonte betejën, atëherë mbreti do të mburrej e do të thoshte se fitorja i takonte atij. Jonathani, nga ana tjetër, thjesht donte që njerëzit ta konsideronin atë si mikun besnik të Davidit. Kushdo që do ta shikonte Davidin të veshur me mantelin e princit mbretëror, do të kujtonte se ai ishte njëlloj si vetë princi. Armët që i dha Jonathani Davidit ishin njëlloj si ato, që i dha Sauli atij. Ato nuk mund ta mbronin dot Davidin prej rrezikut. Por Perëndia kishte vendosur ta hidhte poshtë Saulin si mbret të Izraelit. Davidi, duke pranuar ato, që i dha Jonathani, vërtetoi se nuk kishte ndërmend t’ia rrëmbente fronit Saulit me forcë, por se ai ishte, në fakt, një nënshtetas besnik, të cilit i ishte ofruar e drejta për të mbretëruar.

Përfundim

Jonathani, duke i ofruar Davidit mantelin, shpatën, harkun dhe brezin e tij, nuk po tregohej thjesht zemërgjerë. Përkundrazi, një veprim i tillë ishte i frymëzuar prej Frymës së Perëndisë. Ky ishte fillimi i marrëveshjes, që kishin bërë të dy shokët. Jonathani po përkulej përpara Davidit, ashtu siç do të bënte edhe më vonë Gjoni, kur u përkul përpara Jezusit: “Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli. Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: “Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij”. Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar! Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem. Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë” (Gjoni 3:27-31). Miku ynë, Jezus, na ka dhënë edhe neve rrobat e Tij mbretërore: “Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj” (Isaia 61:10). 

Mbrapa

Advertisements