Një fillim i ri

Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: “Unë besova, prandaj fola”, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju. Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit. Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.” (2 Korintasve 4:13-18).

Parathënie   

Davidi u lut: “O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur” (Psalmi 51:10). Ai e dinte se, për shkak të mëkatit që kishte bërë, kishte nevojë t’i bindej përsëri Perëndisë. Përtëritja nuk ka të bëjë me nisjen nga fillimi, por me të shkuarit në rrugën e shenjtërisë, pikërisht në atë vend, ku ndaluam më parë. Ndoshta do të donim të ktheheshim mbrapsht e t’i vinim nëpër vijë të gjitha gabimet, që kemi bërë. Por Bibla na thotë të pendohemi dhe të kemi besim për të ecur përpara. Njerëzit mashtrohen prej psikologjisë, e cila iu thotë se mund t’iua vënë fajin të tjerëve për të gjitha problemet, disfatat dhe gabimet e tyre. Por kjo nuk është rrugëzgjidhje e mirë. Edhe Adami dhe Eva kështu vepruan, duke arritur deri aty sa fajësuan Perëndinë dhe djallin për mosbindjen e tyre (Zanafilla 3). Por prapëseprapë, iu desh të vuanin pasojat e mëkatit. Një fillim i ri nuk ndodh asnjëherë në kurriz të të tjerëve!

Përtëritja

Bibla na e tregon qartë se ç’duhet të bëjmë, kur mëkatojmë. Na thotë se të gjithë kemi lindur “nën mëkatin” (Galatasve 3:22), por natyra jonë mëkatare nuk na jep leje që të tregohemi të papërgjegjshëm për veprimet tona. Kur vazhdojmë të jetojmë si mëkatarë, atëherë e vërtetojmë se i jemi “shitur mëkatit si skllav” (Romakëve 7:14). Po të mos pendohemi për mëkatin, do ta gjejmë veten të zhytur thellë e më thellë në skllavëri. Ndëshkimi për këtë mbetet po ai: “Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Ka vetëm një rrugëzgjidhje, ashtu siç e vuri re edhe Davidi – ta rrëfesh mëkatin dhe të gjesh shpëtim tek Perëndia. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Përtëritja nuk ndodh vetëm një herë. Shpesh e shohim se bëhemi shpirtërisht të dobët prej tundimeve, ndaj edhe duhet të vijmë çdo ditë tek Ai, që na premton të na falë dhe të na kthejë përsëri në rrugën e jetës. Është besimi ai, që na ndihmon të mos e përqëndrojmë vëmendjen tek mëkati, disfatat, apo shqetësimet e ndryshme, por përkundrazi, t’i varim shpresat tek Shpëtimtari. Në vend që t’i kërkojmë ndihmë teologjisë së gabuar, mashtrimeve psikologjike, apo t’iua vëmë fajin të tjerëve, le ta pranojmë gabimin dhe t’i kërkojmë falje Perëndisë. Pikërisht këtu fillon përtëritja. Çdo e ashtu-quajtur “rrugëzgjidhje” tjetër tregon se Krishtin nuk e kemi si Zot. Ai merr lavdi, atëherë kur ne i rrëfejmë mëkatet dhe i kthehemi Atij me besim.

Çlirimtari

Duhet ta pranojmë faktin se na nevojitet një Çlirimtar. Po të kujtojmë se gjithçka është në rregull, në një kohë që kemi mëkatuar e nuk jemi penduar, atëherë as nuk e zgjidhim dot problemin e mëkatit, as nuk e rregullojmë dot marrëdhënien tonë të prishur me Perëndinë. Po të ishte kaq e lehtë puna, atëherë Izraelit, p.sh. nuk i duhej gjë tjetër veçse t’i thoshte vetes: “Perëndia ka për t’i mbajtur premtimet që i ka bërë Abrahamit, ndaj s’na duhet fare të pendohemi apo të kemi nevojë për një Shpëtimtar”. Njerëzit fetarë të ditëve të sotshme thjesht kujtojnë se, duke bërë vepra bamirësie, kanë për t’u pranuar prej Perëndisë. Por asnjë lloj sasie veprash të mira nuk arrin ta çlirojë dot njeriun prej  mëkatit. “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë” (Titit 3:5). Është e pamundur t’i afrohemi Zotit të shenjtë, të drejtë dhe të përsosur, pa patur Krishtin si Ndërmjetës. “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Timoteut 2:5). Vetëm Ai mund të na e heqë mëkatin. “Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona” (Psalmi 103:12). Vetëm Ai mund të na e largojë dënimin. “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:1). Vetëm Ai mund të na çlirojë prej barrës së mëkatit. “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit” (Luka 4:18).

Do të ketë raste, kur do të mendojmë se mëkatet tona janë aq të mëdha dhe të panumërta, saqë Perëndia nuk na i heq dot. Ndoshta herë pas here duhet të lexojmë kapitullin 11-ë të Hebrenjve, ku e shohim se asnjëri prej personazheve të rradhitura aty nuk ishte i përsosur apo pa mëkat. Këta shenjtorë të famshëm ishin të gjithë mëkatarë! Por ajo që i dallonte ata nga të tjerët ishte besimi tek Perëndia, së bashku me të kuptuarit se nuk ishin askushi pa Zotin. Ata i besuan Atij, që ishte Çlirimtari i tyre. Ishin pikërisht këta luftëtarë të besimit, të cilët na inkurajojnë neve sot, për të ndjekur shembullin e tyre dhe për t’i shërbyer po të njëjtit Zotit. Por edhe kaq nuk mjafton – duhet ta përqëndrojmë vetë çdo ditë vëmendjen tek Shpëtimtari. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:1-2).   

Përfundim                                         

Mund të zhdekurajohemi nganjëherë, ngaqë nuk e kemi nderuar Zotin ashtu siç duhet. Por pikërisht, në momente të tilla, duhet t’i besojmë Atij edhe më shumë. Ndoshta e ndjejmë se Ai po na qorton, por është pikërisht qortimi i një Babai të dashur, që na kthen në rrugën e drejtë. “Sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen” (Hebrenjve 12:6). Kur dëshirojmë të përtërihemi, e tregojmë qartë se me të vërtetë i besojmë Krishtit. Të gjithë ata, që vijnë tek Ai me besim në zemër, nuk hidhen kurrë poshtë prej Tij. “Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6:37). Ata që dëshirojnë të përtërihen, kanë për t’u shpërblyer. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6).

Mbrapa