Një krim mizor

“Kur Ish-Boshethi, bir i Saulit, mësoi që Abneri kishte vdekur në Hebron, i ranë krahët dhe i tërë Izraeli u trondit rëndë. I biri i Saulit kishte dy njerëz që ishin udhëheqës ushtarakë; njeri quhej Baanah dhe tjetri Rekab; ishin bij të Rimonit prej Beerothit, nga fisi i Beniaminit. (Sepse edhe Beerothi konsiderohet si pjesë e Beniaminit, megjithëse Beerothitët kanë mërguar në Gitthaim, ku kanë qëndruar deri ditën e sotme). Por Jonathani, bir i Saulit, kishte një djalë sakat nga këmbët; ai ishte pesë vjeç kur erdhi nga Jezreeli lajmi i vdekjes së Saulit dhe të Jonathanit. Taja e tij e mori dhe ikën, por, duke ikur me nxitim, fëmija u rrëzua dhe mbeti i çalë. Emri i tij ishte Mefibosheth. Bijtë e Rimon Beerothitit, Rekabi dhe Baanahu, u nisën dhe arritën në kohë të zhegut në shtëpinë e Ish-Boshethit, ndërsa ai po bënte pushimin e tij të mbasditës. Hynë brenda shtëpisë sikur do të merrnin grurë dhe e goditën në bark. Pastaj Rekabi dhe vëllai i tij Baanahu ua mbathën këmbëve. Kur hynë në shtëpi, Ish-Boshethi rrinte shtrirë në shtrat në dhomën e tij; e goditën, e vranë dhe i prenë kokën; pastaj pasi e morën kokën, ecën tërë natën duke ndjekur rrugën në drejtim të Arabahut. Kështu ia çuan kokën e Ish-Boshethit Davidit në Hebron dhe i thanë mbretit: “Ja koka e Ish-Boshethit, birit të Saulit, i cili kërkonte jetën tënde; sot Zoti i ka dhënë mbretit zotërisë tim, hakmarrjen mbi Saulin dhe mbi pasardhësit e tij”. Por Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Baanahut, vëllait të tij, bij të Rimon Beerothitit, dhe u tha atyre: “Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka liruar nga çdo fatkeqësi, në rast se kam kapur dhe kam bërë që të vritet në Tsiklag atë që solli lajmin: “Ja, Sauli vdiq,” megjithëse ai pandehte se më kishte sjellë një lajm të mirë dhe priste të merrte një shpërblim, aq më tepër tani që disa kriminelë kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e tij, në shtratin e tij, a nuk duhet t’ju kërkoj llogari për gjakun e tij nga duart tuaja dhe t’ju zhduk nga faqja e dheut?”. Kështu Davidi u dha urdhër të rinjve të tij dhe këta i vranë; ua prenë duart dhe këmbët, pastaj i varën pranë hauzit të Hebronit. Pas kësaj morën kokën e Ish-Boshethit dhe e varrosën në Hebron” (2 Samuelit 4:1-12).

Parathënie   

Pas vdekjes së parakohëshme të Abnerit, Davidit iu desh të ballafaqohej me një akt tjetër mizor, me vdekjen e Ish-boshethit, mbretit të Izraelit. Edhe pse Ish-Boshethi kishte qenë i dobët si mbret dhe e kishte penguar bashkimin e Izraelit me Judën, prapëseprapë, Davidit as që i kishte shkuar ndonjëherë në mendje, që ta hiqte qafe rivalin e tij në këtë lloj mënyre.

Dobësia e Ish-Boshethit

Ish-Boshethi nuk kishte qenë aspak një mbret i vërtetë. Ai kishte qenë kukulla e Abnerit, dhe, si i tillë, ai gjithmonë kishte patur frikë se do ta rrëzonin nga froni. Por situata nuk u përmirësua as me vdekjen e Abnerit, ngaqë populli ishte i zhgënjyer me Ish-Boshethin. Në fakt, ka të ngjarë që Ish-Boshethi të mos e ketë patur jetën e gjatë pa ndihmën e Abnerit. Populli i Izraelit ndoshta kishin frikë se mos Davidi do të vinte t’i pushtonte, ndaj edhe prisnin që mbreti i tyre të ngrihej e të tregohej trim kundra armikut. Udhëheqësit e dobët prodhojnë kombe të dobta.

Armiqtë e Ish-Boshethit

Ata, që ishin përgjegjës për vrasjen e Ish-Boshethit, ishin dy vëllezër, komandantët e ushtrisë së tij. Këta e kishin për detyrë ta mbronin mbretin, e jo ta vritnin. Është interesant fakti se këta burra ishin prej Beerothit në Gibea, d.m.th. nën mbrojtjen e fisit të Benjaminit, fisit të Saulit. Mbreti Saul kishte vepruar mizorisht ndaj Gabaonitasve, duke i vrarë shumë prej tyre (2 Samuelit 21:1). Kështu, pra, ndoshta ata po hakmerreshin për këtë krim të Saulit, duke i dhënë fund dinastisë së tij. Mefiboshethi, biri i Jonatanit, mund të kishte pësuar të njëjtin fat, po të mos e kishte fshehur shërbëtorja, edhe pse ajo e lëshoi në tokë pa dashje dhe ai mbeti sakat.

Këta burra kërkonin shpërblim dhe famë, ndaj edhe e planifikuan një krim të tillë. Ndoshta kujtuan se mos, vallë, Davidi kishte për t’u gëzuar, kur ta merrte vesh lajmin e vdekjes së rivalit të tij. Ndaj edhe tek po flinte gjumë, ia ngulën Ish-Boshethit thikën dhe ia prenë kokën.

Reagimi i Davidit

Burrat udhëtuan më shumë se 100km për në Hebron, me kokën e Ish-Boshethit në dorë. Kur arritën atje, ia prezantuan atë Davidit. Siç na thuhet edhe në tekst, ky veprim i solli ndërmend Davidit ditën, kur Amalekiti i ishte mburrur se kishte vrarë Saulin (2 Samuelit 1). Amalekiti vërtet kishte gënjyer, kurse këta burra kishin fakte për ligësinë, që kishin kryer me duart e tyre. Ndoshta ata kujtuan se Davidit do t’i bëhej qejfi, ngaqë e thirrën ‘zotëri’ dhe ‘mbret’. Por Davidi e pa mirë se ç’i kishin bërë zotërisë dhe mbretit të tyre të mëparshëm. Ata madje përdorën edhe emrin e Perëndisë, për ta justifikuar atë, që kishin bërë. Sa iu zverdhën fytyrat, kur Davidi i thirri emrit të Perëndisë, që t’i ndëshkonte!

Davidi menjëherë mori vendimin për t’i dënuar vrasësit me vdekje. Këtë vendim duhej të kishte marrë edhe për krimin e Joabit, por, të paktën, Davidi po vepronte tani ashtu siç duhej. Vëllezërit e meritonin të vdisnin, më shumë se ç’e meritonte Amalekiti. Prandaj edhe, n.q.s. Davidi nuk do ta kishte ndëshkuar këtë krim, atëherë ai do ta dobësonte vetë autoritetin dhe drejtësinë e tij. Po t’i kishte lënë gjallë këta burra, atëherë kishte për t’i patur problem për gjithë jetën.

Davidi e varrosi kokën e Ish-Boshethit në varrin e Abnerit në Hebron, si akt nderimi ndaj tij. Të varurit e trupave të gjymtuar të vrasësve pranë hauzit në Hebron do të shërbente si një paralajmërim për të tjerët, që mund të ngriheshin kundër mbretit. I njëjti çnderim kishte për t’u ndodhur, pra, edhe atyre, po të vepronin siç vepruan këta dy vëllezër.

Përfundim   

Ky është një kapitull i shkurtër, por me rëndësi të madhe, kur vjen puna për ta kuptuar edhe më mirë jetën e Davidit. Edhe pse kishte patur raste që Davidi kishte vepruar pa mend, prapëseprapë, këtu e shohim se si ai e ripërqëndroi vëmendjen dhe bëri atë, që ishte e drejtë në sytë e Perëndisë. Davidi akoma s’kishte arritur në pozitën, që i ishte premtuar. Por vdekja e Ish-Boshethit e përgatiti sadopak skenën për mbretërimin e Davidit në një Izrael të bashkuar.

Mbrapa

Advertisements