Një psalm alfabetik

Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend. Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to. Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë. Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë. Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij. Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve. Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme, të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi. Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij. Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi (Psalmi 111).

Parathënie   

Në shkrimet e tyre, autorët e psalmeve përdorën tre lloj formash ritmi poetik. Njëra prej këtyre metodave quhet paralelizëm, d.m.th. e vërteta deklarohet dhe përsëritet vazhdimisht, duke përdorur fjalë të ndryshme. Një metodë tjetër është rikthimi, në të cilën tinguj të ndryshëm (bashkëtingëlloret dhe zanoret) përdoren nga njëri varg në tjetrin. Psalmi 111-ë është një psalm i tillë poetik, sepse çdo varg i tij fillon me njërën prej të njëzet e dy gërmave të alfabetit hebre. Thuhet se ky psalm u kompozua në mënyrë të tillë, me qëllim që të mbahej edhe më mirë mend përmendësh. Në këtë studim, do t’iu hedhim një sy vetëm 4 shkronjave të para të alfabetit.

A – Adhurimi

Autori i këtij psalmi na thotë që ta fiksojmë vëmendjen tonë plotësisht tek Zoti. Ai është një Perëndi, i Cili është i denjë për t’u adhuruar, sidomos kur mblidhemi së bashku në praninë e Tij. Vërtet që mund ta adhurojmë Zotin në shtëpinë tonë, por marrim një bekim të veçantë, kur e adhurojmë Atë në bashkësinë e kishës, në bashkësinë e popullit të Tij. Kjo është njëra prej arsyeve pse Perëndia na kërkon që ta adhurojmë Atë “në frymë dhe në të vërtetë” (Gjoni 4:24). Bibla nuk e mbështet idenë, që një besimtar mund ta adhurojë Perëndinë në një atmosferë izolimi të paimponuar prej askujt. “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:25).

Adhurimi i përbashkët është i rëndësishëm për rritjen në besim. Mungesa e një adhurimi të tillë do t’ia dobësojë besimtarit jetën e tij shpirtërore. Një shprehje e vjetër thotë se “qymyri i larguar prej zjarrit, shpejt shuhet”. Kokrra e qymyrit, që qëndron afër kokrrave të tjera, bën flakë për shumë kohë. Të shumtë janë ata, që e konsiderojnë adhurimin si diçka negative. Të tillë njerëz as nuk inkurajohen, as nuk forcohen prej besimtarëve të tjerë. “Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit” (Psalmi 22:22). Asnjë besimtar nuk i ka të gjitha mjetet e domosdoshme, për t’u ballafaquar vetëm për vetëm me jetën. Pa adhurimin e përbashkët, marrëdhënia jonë me Perëndinë ka për t’u dobësuar. Humbasim shumë bekime, po të mos e adhurojmë Atë në praninë e motrave dhe vëllezërve tanë. “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20).

B –  Bekimet

Vini re se vargu i katërt i këtij psalmi thotë se duhet t’i kujtojmë e t’i mbajmë mend të gjitha ato, që Perëndia ka bërë për ne. Duhet ta lavdërojmë Perëndinë për gjithçka, që na ka siguruar. Nuk ka për të na dalë koha, për t’i numëruar të gjitha bekimet, që Ai na ka dhënë. “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:1-5). Duhet të reflektojmë mbi mirësinë e Perëndisë, jo vetëm për bekimet, që Ai na jep, por edhe për faktin se Ai e ka krijuar këtë botë, që ne të jetojmë në të. Mbi të gjitha, çdo ditë të jetës sonë, le të mos harrojmë për ta falenderuar Atë për dhuratën e çmuar të shpëtimit.

C – Cilësi e qëndrueshme

Perëndia ynë është i drejtë dhe besnik. Me fjalë të tjera, pra, Atij mund t’i zëmë besë gjithmonë. Ai nuk është i paparashikueshëm, si perënditë e feve të rreme. Përkundrazi, Ai mbetet konstant gjatë gjithë përjetësisë. “Pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17), sepse “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8). Ai nuk është kurrë i ashpër, apo i egër. Përkundrazi, Ai vepron me dashuri dhe drejtësi në gjithçka, që bën.

Asnjë tjetër në këtë botë nuk ka të njëjtën qëndrueshmëri, as njerëzit, as gjërat, as mendimet tona. “Dhe bota kalon” (1 Gjonit 2:17)… “Sepse forma e kësaj bote po kalon” (1 Korintasve 7:31). Tek kush tjetër mund të mbështetemi, veçse tek Zoti? “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Malakia 3:6). Prandaj, pra, le ta inkurajojmë veten, duke e ditur se Zoti kurrë nuk ka për ta hedhur poshtë atë, që vjen tek Ai me besim. “Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6:37). Ky premtim iu jepet të gjithë besimtarëve, derisa Zoti të kthehet përsëri për kishën e Vet. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9).

D – Devocioni

Vargu i fundit i këtij psalmi thotë se besimtarët duhet t’ia përkushtojnë veten fjalës së Perëndisë. Kjo është e vetmja mënyrë për të qenë me të vërtetë i mençur. Në fakt, i tërë psalmi 111-ë mund të përmblidhet me këto fjalë të vargut të fundit, sepse dituria e vërtetë e ka burimin e saj tek nderimi dhe respekti që i bëjmë Zotit. Perëndia nuk na detyron që t’i bindemi Atij me zor. Përkundrazi, ne qëndrojmë të mahnitur përpara Tij dhe, për këtë qëllim, e duam dhe i shërbejmë Atij me gëzim. “Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia” (Fjalët e Urta 9:10).

Zgjuarsia, që na përmendet në këto vargje, nuk ka të bëjë me sasinë e shifrave, p.sh. që mund të mbajmë mend përmendësh në trurin tonë. Një zgjuarsi e tillë nuk vjen as nga shkollimi, as nga mjetet e informacionit. Kjo zgjuarsi ka të bëjë me devocionin tonë ndaj lavdisë së Perëndisë. Tek Romakëve 12:1-2 na thuhet qartë se ç’pret Perëndia prej nesh, kur vjen puna tek devocioni. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). 

Përfundim                      

Sa herë që të mblidhemi së bashku për adhurim, le t’i mbajmë mend katër gërmat e mësipërme, me qëllim që ta dimë se ç’do të thotë ta lavdërosh Zotin. Ta përqëndrojmë vëmendjen tek Ai dhe t’i sjellim ndërmend të gjitha gjërat e mrekullueshme, që Ai ka bërë për ne dhe për ata, që na rrethojnë. Perëndia na ka dhënë kujtesën, ndaj le ta përdorim. Është turp, kur nuk reflektojmë edhe më shumë rreth hirit dhe mëshirës së Tij.

Mbrapa

Advertisements