Një shpatë e mprehtë apo një gur i lëmuar?

Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: “Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të”. Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij. Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër Filisteut” (1 Samuelit 17:30-37).

Parathënie

Po të na jepej rasti të luftonim kundër një armiku të fuqishëm, kë metodë luftimi do të zgjidhnim: të veshur këmbë e kokë me armaturë, duke mbajtur në dorë një shpatë të mprehtë, apo të pambrojtur, vetëm me ca gurë të lëmuar në dorë? Llogjika na thotë se mënyra e parë e luftimit është më e mira. Kështu mendoi edhe Sauli, kurse Davidi e pa situatën me sytë e besimit. Zoti rrallë përdor metodat e kësaj bote për të kryer punën e Tij. Kisha e Krishtit nuk ka nevojë që t’i vrasë gjigandët Goliath të saj me armët e botës (si p.sh. me drama, lojra bixhozi, mbrëmje festive, apo argëtime të ndryshme). Përkundrazi, kishës i duhet të kthehet tek Fryma e Shenjtë dhe të mbështetet në fuqinë e Tij. “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6).

Armatura e Saulit

S’ka dyshim se në të gjithë Izraelin, s’kishte armaturë të një cilësie më të mirë sesa ajo e mbretit, ngaqë atij i duhej ta mbronte veten mirë në fushën e betejës. Problemi qëndronte këtu se Sauli ishte një burrë i madh, shtatlartë, ndaj edhe armatura e tij ishte e rëndë për Davidin. Davidi pranoi që t’i vishte pjesët e ndryshme të armaturës, por, sapo filloi të ecte, e kuptoi se s’ia vlente. Ndaj edhe Davidi e shprehu me zë të lartë, atë që Sauli dhe ushtarët e tij e kishin në mendje, por kishin frikë ta thonin.

Armatura e Davidit

Davidi, në vend që të vishej me armaturën mbretërore, u ballafaqua me Goliathin, thjesht duke mbajtur në dorë një shkop, një torbë, një hobe dhe pesë gurë të lëmuar. Për të, shpata e mprehtë ishte kot, sepse ai s’kishte ndërmend t’i afrohej aq afër gjigandit. E dinte se po luftonte një betejë shpirtërore, prandaj edhe nuk kishte nevojë që armët fizike ta ndihmonin për të korrur fitore.

Kishat militante, si edhe grupe të ndryshme fetare, gjithmonë kanë kujtuar se Mbretëria e Perëndisë mund të ngrihet me anë të shpatës. Por, duke përdorur mjete të tilla, këto institucione kanë shkatërruar vetveten. “Sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin” (Mateu 26:52). Përkundrazi, “armët e luftës sonë nuk janë prej mishi” (2 Korintasve 10:4), sepse “beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:12).

Plani numër 2 i Davidit

Davidi nuk mori me vete asnjë njeri tjetër dhe asnjë gjë tjetër, me përjashtim të atyre gjërave, që përmendëm më lart. Po t’i mbaroheshin pesë gurët, nuk kishte më gurë të tjerë rezervë. Nuk kishte planifikuar një plan të dytë, po qe se i pari do të dështonte. Kjo na tregon se ç’lloj besimi kishte ai. Për të, nuk kishte më kthim mbrapa. Duket sikur ai s’kishte asnjë pikë dyshimi se do ta mundte plotësisht Filisteun.

Pse mori pesë gurë Davidi në torbë, kur i duhej thjesht vetëm një? Disa komentatorë të Biblës sugjerojnë se ky ishte një akt profetik nga ana e Davidit, sepse Goliathi kishte edhe katër vëllezër të tjerë, të cilët një ditë do të vriteshin po prej Davidit. “Pas kësaj u bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; atëherë Hushathiti Sibekai vrau Safin, një nga pasardhësit e gjigantëve. U bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; dhe Elhanani, bir i Jaare-Oregimit nga Betlemi, vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi; shkopi i shtizës së tij ishte shuli i vegjës së endësit. U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve. Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau. Këta të katër ishin pasardhësit e gjigantëve në Gath. Ata u vranë nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij” (2 Samuelit 21:18-22).

Përfundim

Po t’i besojmë thjesht vetëm Perëndisë dhe askujt apo asgjëje tjetër, atëherë do të shohim gjëra të mëdha të kryera prej Tij. “Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali: “Hiqu andej dhe hidhu në det,” kjo do të ndodhë. Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni” (Mateu 21:21-22)… “Kini besimin e Perëndisë! Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t’i thotë këtij mali: “Luaj vendit dhe hidhu në det,” dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t’i bëhet. Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni” (Marku 11:22-24). Davidi e pa rezultatin, madje edhe para se të luftonte kundër Goliathit. Është dyshimi ai, që na pengon, që t’i shohim gjërat e mëdha, që Perëndia dëshiron të kryejë në jetën tonë. “Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti” (Jakobi 1:6-7).

Mbrapa

Advertisements