Një shtëpi e re

“Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij” (1 Samuelit 18:2).

Parathënie

Që nga momenti kur Davidi e mundi Goliathin dhe korri fitore mbi filistenjtë, jeta e tij ndryshoi përgjithmonë. Ai, që prej asaj dite, nuk u kthye më në shtëpi, as për t’u kujdesur për delet e veta, as për të fjetur në shtratin e vet. Ky ndryshim rrethanash ishte pjesë e planit të Perëndisë dhe e qëllimeve të Tij për jetën e Davidit. Davidit i dukej sikur gjithçka rreth e rrotull tij po ndryshonte shumë shpejt, por në sytë e Perëndisë, puna e Tij është e përjetshme. Ajo përfshin kohën që nga fillimi e deri në fund.

Në shërbim të Saulit

Mbreti Saul do ta ketë kuptuar se Perëndia ishte me Davidin dhe, ngaqë Fryma e Perëndisë e kishte braktisur atë vetë, ndoshta duke e mbajtur Davidin afër, Sauli kujtoi se po e vendoste veten e tij përsëri nën kujdesin e Zotit. Ka të ngjarë që Sauli donte ta mbante afër Davidin si hajmali, apo si një xhingël bestytnie, për t’i sjellë fat e për t’ia larguar të keqen.

Davidi braktisi gjithçka për t’i shërbyer Saulit. Ai la punën, familjen, madje edhe vetë jetën e vet. E vërtetoi se ishte “sa i dobishëm, aq edhe i guximshëm dhe kurajoz” (Mateo Henri). Shembulli i Davidit na tregon se si duhet të jenë edhe ata, që futen në ushtrinë e Krishtit. “Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: “Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh”. Dhe Jezusi i tha: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën”. Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: “O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim”. Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet” (Mateu 8:19-22)… “Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë” (Mateu 16:24-25).

Të gjithë i dinin problemet mendore dhe shpirtërore, që kishte Sauli, por Davidi ishte gati t’i shërbente atij, sepse, duke vepruar kështu, ai, në të vërtetë, po i shërbente Zotit. Ndoshta e kemi vënë re në këto materiale studimore se si Davidi, nga situata në situatë, po ngjitet gjithnjë e më lart, drejt vendit ku Perëndia dëshiron ta vendosë. Edhe ne mund të jemi thirrur prej Perëndisë, por kurrë nuk do të arrijmë ta përmbushim atë thirrje, po qe se nuk tregohemi besnikë dhe të bindur në punët qoftë edhe më të vogla, që Ai ka përgatitur për ne. “Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë” (Luka 16:10).

Në shërbim të Perëndisë

Mund të na duket sikur, nga viti në vit, nuk po përparojmë fare, apo jemi të lidhur pas një pune monotone. Por duhet t’i mbajmë sytë ngulur tek Zoti. Nëse i bindemi besnikërisht Atij, çdo problem, që na del përpara, na përgatit për një detyrë edhe më të madhe. Nganjëherë, na duket sikur as kisha nuk po avancon fare, por shumë shpejt durimi ka për të sjellë bekime. “Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri” (Jakobi 5:11)… “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi” (Psalmi 1:1-3). Le të mos e harrojmë se Perëndia e ka një plan e një qëllim edhe për jetën tonë. “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6). 

Përfundim

Nëse i shërbejmë me të vërtetë Perëndisë, atëherë duhet të jemi gati për ta braktisur gjithçka e për t’iu bindur vullnetit të Tij, sapo të na thërrasë Ai. Perëndia mund të na thotë që të bëjmë ndryshime radikale në jetën tonë. Ashtu si Davidi, edhe ne duhet ta vëmë veten menjëherë brenda planit të Perëndisë. Kështu veprojnë ata, që drejtohen prej Frymës së Shenjtë. “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14).

Mbrapa

Advertisements