Një urdhërim i rreptë?

“Në fakt, edhe kur ishim në mes tuaj, ju porosisnim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë” (2 Thesalonikasve 3:10).

Parathënie

Në pamje të parë, urdhërimi i mësipërm na duket sikur është shumë i rreptë dhe i ashpër. Por këtë urdhërim duhet ta shohim nën dritën e thënieve të tjera të Palit, që i përkasin temës së disiplinës kishtare. Nëpërmjet këtij urdhërimi, Pali nuk na sugjeron që t’i lëmë besimtarët e çrregullt të vdesin për copën e bukës, me qëllim që të zënë mend e t’i binden Perëndisë. Jo, përkundrazi, një urdhërim i tillë është vazhdimësi e udhëzimeve të apostullit, lidhur me ata njerëz, të cilët nuk duhen pranuar fare në bashkësi. Nuk duhet t’i mbështesim e t’i përkrahim ata, të cilët nuk duan ta ndihmojnë vetveten. Ose siç e ka thënë edhe Gjon Uesli: “Mos ia shto dembelizmin, atij që është përtac”.

Ai, që ia përton punës

Në Thesalonik, duhet të ketë patur besimtarë, që po vuanin nga ana financiare, për shkak të persekucionit, që po kalonin për hir të Ungjillit. Do të ketë patur nga ata, që ishin hequr nga puna, thjesht ngaqë besonin në Krishtin. Kisha e hershme i përkrahte dhe i mbështeste njerëz të tillë. Përkrahja sociale e ka origjinën nga Perëndia, e jo nga qeveritë e kësaj bote. “Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota” (Jakobi 1:27).

Shprehja, që përdor Pali, “nuk do të punojë“, në greqisht përkthehet, “nuk ka qejf të punojë”. E shohim, pra, se Pali e ka fjalën për ata, që janë dembelë e që nuk i vret ndërgjegja, kur rrojnë në kurriz të të tjerëve. Njerëz të tillë po mundohet edhe qeveria jonë për t’i ndaluar së marruri përkrahje sociale. Johan Albreht Bengel ka thënë: “Ai që nuk do të punojë, ta konsiderojë veten si ëngjëll, d.m.th. të mos hajë fare ushqim, ashtu siç nuk hanë edhe ëngjëjt. Por ngaqë një njeri i tillë nuk mund të rrojë dot pa ushqim, atëherë as të mos kujtojë se nuk i duhet të punojë”.

Të mbjellurit e të korrurit

Që prej krijimit të botës, është shkruar se njeriu do të korrë, atë që do të mbjellë. Perëndia i siguroi Adamit gjithçka të domosdoshme, e prapëseprapë, Ai i tha atij që të punonte. “Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante” (Zanafilla 2:15). Të punuarit është vullnet i Perëndisë, sepse, siç e pamë edhe më lart, Zoti i dha Adamit, njeriut të parë, punë për të bërë. Me pak fjalë, pra, Adamit i duhej ta fitonte vetë bukën e gojës. U krijua për ta parë se njeriu korr vetëm atë, që mbjell. “Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (Galatasve 6:7)… “Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur” (2 Korintasve 9:6). Dembelizmi është mjeti, që përdor njeriu mëkatar, për t’i shpëtuar mallkimit, që erdhi si pasojë e mëkatit. “Pastaj i tha Adamit: “Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: “Mos ha prej saj,” toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh” (Zanafilla 3:17-19).

Prandaj, pra, ai që nuk pranon të mbjellë, nuk e meriton që të korrë gjë. Për më tepër, një njeri i tillë përtac nuk ka as pse të ankohet, kur e merr urija, ngaqë nuk do që të punojë me djersën e ballit. Nuk ka pse të presë gjithmonë ndihma bamirësie apo lëmoshë prej të tjerëve. “Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht…Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë… Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s’ka mend; dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur. Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim: të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar; kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur” (Fjalët e Urta 13:4, 20:4, 24:30-34).       

Përfundim

Njeriu dembel, që nuk do që të punojë, në fakt, bën punën e djallit. Siç thotë edhe shprehja anonime: “Djalli i gjen punë atij, që i ka duart përtace”. Një shprehje e tillë gjendet edhe në një këngë të vjetër për fëmijë, të shkruar prej autorit Isak Uots: “Do të merrem me punë, sado të vogla a të mëdha qofshin, sepse Satanai ia gjen punën duarve dembele”. Do ta shohim se kjo shprehje do të vërtetohet plotësisht në studimet tona të ardhshme. Këto mësime të Palit, lidhur me punën, gjenden të përfshira edhe në mësimet e Salomonit, që thotë: “Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes. Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt? Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur” (Fjalët e Urta 6:6-11).

Mbrapa

Advertisements