Njeriu që nuk vdiq kurrë

Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete” (Zanafilla 5:23-24).

Parathënie   

Kapitulli i 5-të i Zanafillës përmban një listë emrash të disa njerëzve, që lindën dhe vdiqën. Një emër dallohet nga të tjerët: emri i Enokut, njeriu, që jetoi, por nuk vdiq kurrë. Kështu pra, shohim se ka jetë edhe në mes të vdekjes. “Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë” (Hebrenjve 11:5). Në krahasim me shumë njerëz të tjerë, që vdiqën në moshë të vjetër, Enoku u morr në Qiell, kur ishte akoma i ri. Familja e tij ishte familja e parë, e cila nuk kishte kufomë për të varrosur. Enoku u zhduk nga toka dhe askush nuk e pa më me sy!

Fama

Enoku ishte një njeri, që e deshi Perëndinë me gjithë zemër. Prandaj edhe Zoti e trajtoi atë në mënyrë të veçantë, ndryshe nga të tjerët. Sot, të rrallë janë ata, që ecin vërtet me Perëndinë. Pali na thotë se Enoku “i kishte pëlqyer Perëndisë“. Ç’nënkupton ai me këtë shprehje? S’ka dyshim se Enoku jetoi një jetë të shenjtë e të drejtë, duke iu bindur fjalës së shfaqur të Perëndisë. I tillë ishte besimi i tij dhe vetëm një besim i tillë është i pëlqyer përpara Perëndisë. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Enoku shkoi në praninë e Perëndisë, sepse kishte besimin, që ishte i pëlqyer përpara Tij. Nuk mund t’i afrohemi Zotit, po të mos kemi edhe ne një besim të tillë. Tërë jeta e Enokut ishte dëshmi e besimit të vënë në praktikë.

Enoku dallohej nga njerëzit e tjerë të brezit të tij. Ai ishte burrë i vërtetë i Perëndisë. “Dhe për këta profetizoi edhe Enoku, i shtati pas Adamit, duke thënë: “Ja, Zoti erdhi me mijërat e tij të shenjtë” (Judës, vargu 14). Kjo do të thotë, pra, se Enoku ia dëgjonte zërin Zotit dhe ia predikonte fjalën e Tij të gjithë atyre, që e rrethonin. Vini re se si ai profetizoi rreth Ardhjes së Dytë të Krishtit. Kështu veprojnë të gjithë profetët e vërtetë. Por, fakti që Enoku foli rreth Ardhjes së Dytë, vërteton se ai kishte dijeni edhe rreth ardhjes së parë të Krishtit. Për më tepër, Enoku i paralajmëroi njerëzit, lidhur me gjykimin e ardhshëm, që do të derdhej mbi botën mëkatare. Gjon Uesli ka thënë: “Adamit iu zbulua ardhja e parë e Krishtit, kurse Enokut Ardhja e Dytë e lavdishme e Tij. I shtati në rradhë pas Adamit profetizoi ato gjëra, që kishin të bënin me epokën e shtatë të historisë botërore”.

E shohim, gjithashtu, se Enoku besonte në ringjalljen dhe në faktin se të gjithë mëkatarët do të përjetonin një ditë zemërimin e Perëndisë. “Për të bërë gjyqin kundër të gjithëve dhe për të bindur të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë folën kundër tij” (Judës, vargu 15). Kështu, pra, Enoku foli kundër mëkatit.

Marrja në Qiell

Enoku jetoi në kohë të vështira. Njerëzit nuk donin ta pranonin të vërtetën dhe talleshin me ata, që iu thonin të pendoheshin. Njerëz të tillë ishin egoistë. Iu pëlqente vetja. Donin të jetonin si t’iua kishte qejfi. “Këta janë murmuritës, që ankohen për fatin e tyre, që ecin sipas pasioneve të tyre; dhe goja e tyre flet fjalë krenarie dhe u bëjnë lajka njerëzve për dobi të vet” (Judës, vargu 16). Bota ishte gati për t’u gjykuar dhe, shumë shpejt, ky gjykim do të vinte në formën e një përmbytjeje mbarë-botërore. Enoku ishte i veçantë në sytë e Perëndisë, prandaj edhe Ai e mori atë në Qiell, në praninë e Tij. Nuk i dimë të gjitha arsyet pse e mori Perëndia Enokun në Qiell. Por, për një gjë të jemi të sigurtë: Perëndia e deshi shumë Enokun. Mateo Henri ka thënë: “Shpeshherë, Perëndia merr më shpejt në gjirin e Tij ata, të cilët Ai i do më shumë. Njerëz të tillë e kompensojnë kohën, që do ta kalonin në tokë, me avantazhet e papërshkrueshme të Qiellit”.

Banesa

Enoku u gjend përpara fronit të Perëndisë shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë. Në momentin e vdekjes, të gjithë do të zhvendosemi menjëherë në praninë e Zotit. “Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin” (2 Korintasve 5:8)… “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27). Që nga ai moment, pra, Enoku ishte banori i ri i Qiellit.

Të njëjtën gjë do të përjetojnë edhe të gjithë ata, që i besojnë vërtet Jezusit. “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3). Do të ndodhemi në një vend më të mirë, sesa ç’e imagjinojmë. “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë” (Filipianëve 1:21-23).

Përfundim

Enoku nuk u habit prej faktit, që kishte mundësi të ecte e të fliste me Perëndinë në Qiell, ngaqë ai kishte ecur besnikërisht me Të edhe në tokë. Ishte gati të shkonte me Zotin, kurdo që ta thërriste Ai. Po ne, a jemi aq të lidhur pas kësaj bote, saqë nuk duam fare, që të na marrë Perëndia në Qiell? “Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mateu 24:44).

Mbrapa