Nuni – Fjala ndriçuese

Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim. Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta. Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate. O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua. Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd. Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua. Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime. Jam zotuar me gjithë zemër për t’ i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund (Psalmi 119:105-112).

Parathënie  

Autori i psalmit na tregon se jeta e besimtarit është e vështirë, me probleme dhe persekutime, por pavarësisht nga të gjitha këto vështirësi, ai e adhuron Perëndinë, të Cilit i ka besuar.

Shtegu

Fjala “shteg” shpeshherë i referohet udhëtimit të jetës, por këtu ajo ka kuptimin e rrugës së vuajtjeve dhe të persekutimit. S’ka dyshim se një rrugë e tillë është e errët dhe e frikshme, po nuk pati dritën dhe ngushëllimin e vazhdueshëm të fjalës së Zotit, që e ndriçon. “Llamba” e Perëndisë na e ndriçon vetëm vendin ku shkelim këmbën, e jo të gjithë të ardhmen tonë. Na e ndriçon shtegun hap pas hapi, tek udhëtojmë në këtë botë të errët. Në gjuhën hebraishte, fjala “llambë” përkthehet “kandil”, por edhe flaka më e vogël mjafton për të na e ndriçuar errësirën që na rrethon.

Prandaj pra, na duhet besimi, sepse tek e lexojmë Biblën, tek e studjojmë dhe meditojmë mbi të, Zoti na udhëheq në rrugën tonë të përditshme. Apostulli Pal na inkurajon të ecim “në risinë e jetës” (Romakëve 6:4), por nuk mund të ecim dot kështu pa patur dritën, që na jep fjala e Perëndisë. “Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja” (2 Pjetrit 1:19). Si na e ndriçon Bibla rrugën? A marrim dritë prej saj thjesht duke e lexuar atë? Jo, fjala e Perëndisë nuk mund të na udhëheqë, po qe se nuk i bindemi. “Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës” (Fjalët e Urta 6:23). Çarls Spërxhëni, në komentimin që i bëri vargut 105-ë të këtij psalmi, shkroi kështu: “Jemi udhëtarë në qytetin e kësaj bote dhe shpesh jemi thirrur për të shkuar në errësirë. Le të mos shkojmë aty pa patur me vete fjalën dritë-dhënëse, sepse kemi për t’u rrëzuar. Secili prej nesh duhet ta përdorë fjalën e Perëndisë në mënyrë personale, praktike dhe konstante, sepse vetëm kështu mund ta shohim rrugën ku ecim. Kur na mbulon errësira, fjala ndriçuese e Zotit na e tregon rrugën”. Perëndia, i Cili e udhëhoqi Izraelin nëpërmjet një shtylle drite, do të na japë edhe neve dritën e Tij për të na e ndriçuar errësirën. “Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim” (2 Samuelit 22:29).

Këmbëngulja

Në vargjet e tjera të këtij pasazhi, autori deklaron besimin e tij tek fjala e Perëndisë dhe është i këmbëngulur për t’i besuar asaj fjale, pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasë gjatë rrugës. Ai i premton Zotit se do të jetojë sipas dekreteve të Tij dhe se do t’i zbatojë të gjitha ato dekrete. Bibla na është dhënë, me qëllim që ta vëmë atë në praktikë në jetën tonë të përditshme, sepse për besimtarin, nuk duhet të ketë asnjë dallim mes jetës së tij shpirtërore dhe asaj materiale. Përsa kohë që i përkasim Zotit, gjithçka i takon Atij. “Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” (1 Korintasve 6:20).

Autori e vërteton besimin e tij tek Zoti në mënyrën sesi e adhuron dhe e lavdëron Perëndinë, pavarësisht  nga vuajtjet që po kalon. “Ofertat spontane” të gojës së tij janë në fakt oferta adhurimi. “Me anë të tij, pra, le t ‘i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij” (Hebrenjve 13:15). Adhurimi na përgatit për ta pranuar edhe më shumë fjalën e Perëndisë, sepse gjatë adhurimit, vëmendjen e kemi të përqëndruar tek Zoti. Nëse e adhurojmë Zotin edhe kur vuajmë dhe persekutohemi, kjo tregon se besimi ynë tek Ai është i sinqertë dhe me gjithë zemër. Shprehja “e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës” vërteton se jemi gjithmonë në rrezik në këtë botë. “Siç është shkruar:“Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje” (Romakëve 8:36). Por Pali shkruan gjithashtu: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?” (Romakëve 8:35). Është Zoti Ai, që na ruan. “Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:37-39).

Autori i psalmit është i këmbëngulur gjithashtu në premtimin, që i ka bërë Zotit, për t’iu bindur fjalës së Tij deri në fund. Nuk do ta lejonte që asnjë pengesë ta ndalonte prej së lavdëruari Perëndinë, të Cilit i shërbente. “Të pabesët” le të vazhdonin t’i ngrinin “kurthe”, por fjala e Perëndisë ishte “llamba” dhe “drita” e tij, ndaj ajo kishte për t’ia ndriçuar rrugën, me qëllim që ai t’i shmangej çdo lloj kurthi të armikut. “Që të mos na mposhtë Satanai, sepse ne i dimë qëllimet e tij” (2 Korintasve 2:11). Kurthet ishin tundimet e mëkatarëve, por autori nuk do të binte në kurth, po qe se i bindej fjalës së Zotit. As ne nuk mund të gabojmë apo t’i shmangemi së vërtetës, nëse i qëndrojmë besnik Zotit dhe fjalës së Tij. Autori ishte një njeri, që besonte tek besnikëria dhe premtimet e Perëndisë. Ai thotë se fjala e Zotit ishte “trashëgimia” e tij. Besimtari, pra, nuk duhet të ketë thesar më të madh, sesa pasuritë që Krishti i sjell në jetë. Këto pasuri i gjejmë në fjalën e Tij. A do ta shesim trashëgiminë tonë për një tas supe, ashtu siç e shiti Esau parëbirninë e tij (Zanafilla 35)? Përkundrazi, le të vazhdojmë të gjejmë kënaqësi tek Zoti, t’i bindemi fjalës së Tij dhe të udhëhiqemi prej dritës së Tij.

Përfundim

Fjala e Perëndisë është drita jonë e përditshme për jetën tonë të përditshme. Duke e lexuar, duke e studjuar atë dhe duke medituar mbi të marrim më shumë njohuri rreth vullnetit të Tij dhe planeve që Ai ka për jetën tonë. Fjala e Tij na jep fuqi për të vazhduar për t’i shërbyer Atij, madje edhe në vështirësi. Fjala e Zotit jo vetëm që na jep focë për të luftuar “luftën e drejtë të besimit” (1 Timoteut 6:12), por na shfaq gjithashtu trashëgiminë tonë në Mbretërinë e Perëndisë.  E si do ta kuptojmë një trashëgimi të tillë, po nuk i hapëm faqet e Biblës? “Pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:6). 

Mbrapa

Advertisements