Pa të meta në shenjtëri

“Po vetë Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti ynë Jezu Krishti e sheshoftë rrugën tonë për te ju. Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njeri tjetrin dhe për të gjithë, ashtu si edhe ne ndaj jush, për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij” (1 Thesalonikasve 3:11-13).

Parathënie

Pali e përfundon këtë pjesë të letrës së tij me një lutje për besimtarët thesalonikas. Ai, jo vetëm që lutet që të hapet rruga që ai të shkojë e t’i shohë, por gjithashtu që ata të vazhdojnë të ecin në shenjtëri.

Lutje specifike

Pali lutet në mënyrë specifike në këto vargje. Kur ne lutemi, e kemi zakon t’i biem rreth e rrotull, në vend që të hyjmë drejt e në temë. Të lutesh në mënyrë specifike, do të thotë ta sjellësh përpara Perëndisë atë që të shqetëson në zemër. Të luturit në këtë mënyrë tregon se vërtet po presim udhëheqje e drejtim nga Zoti. Shpeshherë, takimet tona të lutjeve janë të mbushura me fjalime, jo me përgjërime. I japim mësim Perëndisë se ç’duhet të bëjë, në vend që të kërkojmë vullnetin e Tij. Nuk duhet të kemi frikë të vijmë para Zotit me nevojat e dëshirat tona, por duhet të jemi të gatshëm për ta pranuar përgjigjen e Tij, edhe kur ajo të mos jetë ashtu siç e kishim menduar. Ne kujtojmë se dimë shumë, por Perëndia di edhe më shumë. Ai e di se ç’është më e mira për ne. Vans Havneri ka thënë: “Lutja mund të mos na sjellë atë që dëshirojmë, por na mëson të dëshirojmë atë, për të cilën kemi nevojë”.

Lutje për dashuri më të madhe

Fjala ‘dashuri’ e përdorur në këtë varg është fjala greke ‘agape’. Është një lloj dashurie, të cilën njeriu nuk është në gjendje ta praktikojë. Nëse Krishti nuk është Zot i jetës sonë, dashuria ‘agape’ është e paarritshme. Një dashuri e tillë është aktive, ngaqë duhet ndarë me bashkëbesimtarët e tjerë, si edhe me ata, që nuk e njohin akoma Zotin. Një dashuri e tillë nuk njeh kufij. Është e lehtë të tërhiqesh e të mbyllesh në vetvete, kur të persekutojnë të tjerët. Pali i inkurajon besimtarët thesalonikas që t’i qëndrojnë larg një kurthi të tillë e që t’iua shtrijnë dorën të tjerëve, në vend që të bëhen egoista. Dashuria e vërtetë e krishterë shtrihet aq shumë, saqë arrin t’i prekë edhe armiqtë e saj.

Pali i kishte lavdëruar njëherë të krishterët e Thesalonikut për dashurinë e tyre: “Duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë” (1 Thesalonikasve 1:3). Por gjithmonë ka vend për përmirësim. Një lloj dashurie e tillë i përmbush të gjitha kërkesat e ligjit: “Ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin” (Romakëve 13:8)…”Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: “Duaje të afërmin tënd si vetveten”, bëni mirë” (Jakobi 2:8).

Lutje për shenjtëri më të madhe

Shenjtëria nuk bazohet në vepra, apo në detyrime, por, përkundrazi, bazohet fuqimisht në themelin e dashurisë. Ka nga ata njerëz, që e konsiderojnë shenjtërinë si përsosmëri morale. Por shenjtëria është thjesht të veçuarit mënjanë për t’u përdorur prej Perëndisë. Shenjtëria, pra, nuk është një arritje, por një mënyrë jetese. Nuk mund të synojmë për të qenë pa të meta, por mund të marrim vendim për ta ndjekur Frymën e Shenjtë, ashtu siç na udhëheq Ai: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14)…”I cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit” (1 Korintasve 1:8).

Ajo që duhet të kemi parasysh, është ardhja e dytë e Jezus Krishtit. Si do të jetonim, po ta dinim se Zoti do të kthehej sot? Do të ecnim gjithmonë pa të meta në shenjtëri. Këtë thotë edhe Pali: “Jetoje jetën sikur ta dije se Jezusi do të vinte sot”. Sjellja dhe karakteri janë të pandara nga njëra-tjetra. Prandaj, pra, mënyra se si e jetojmë jetën, tek presim ardhjen e Krishtit, është shumë e rëndësishme. Duhet t’i jemi të përkushtuar Zotit me gjithë shpirt dhe ta largojmë veten nga çdo gjë që mund ta ofendojë Atë. Gjoni e përforcon atë që thotë Pali: “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:2-3).

Përfundim                      

Është interesant fakti se si Pali, në lutjen e tij, e lidh dashurinë vetëmohuese dhe shenjtërinë me ardhjen e dytë të Krishtit. Kjo na sjell ndër mend vargun e Hebrenjve 12:14, që thotë: “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë“. Është për të të ardhur keq që shumica e besimtarëve do të zihen mat, duke jetuar jetë të vakëta e mëkatare, kur të vijë Krishti: “Që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit” (Filipianëve 1:10).    

Mbrapa

Advertisements