Paqja e Ringjalljes

Teksti i studimit: Luka 24:36-49

Parathënie

Për festën e Pashkëve, ashtu si edhe për atë të Krishtlindjeve, t’iu japësh të tjerëve dhurata është bërë diçka tradicionale. Zoti Jezus Krisht, pasi u ngrit prej së vdekuri, iu dha pasuesve të Tij katër dhurata.

Paqja e Tij

Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”. Por ata [ishin] të tmerruar dhe gjithë frikë” (Luka 24:36-37a).

Një përshëndetje e tillë – “Paqja me ju!” – nuk ishte thjesht një përshëndetje e një njeriu me edukatë. Askush tjetër nuk mund t’iu jepte dishepujve atë paqe, që po iu ofronte Jezusi. S’ka dyshim se ata kishin nevojë për këtë paqe, ngaqë ishin të shqetësuar, të frikësuar e të hutuar nga të gjitha ngjarjet, që kishin ndodhur gjatë atyre ditëve. Për më tepër, u tmerruan edhe më shumë, kur Jezusi iu shfaq papritur.

Paqja që na jep Perëndia, nuk e kthen jetën tonë në një jetë pa probleme e pa vështirësi, por është pikërisht kjo paqe, që na forcon për ta përballuar çdo problem e vështirësi me besim. Duhet të jemi plotësisht të bindur, se, n.q.s. Jezusi e ka mposhtur vdekjen, atëherë Ai do të na bëjë edhe ne fitimtarë ndaj të gjitha problemeve të jetës: “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7)… “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Prania e Tij

“…mendonin se po shihnin një frymë. Atëherë ai u tha atyre: “Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime? Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”. Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët. Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?”. Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti. Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre” (Luka 24:37b-43).

Ai, që po qëndronte përpara syve të tyre, ishte vetë Jezusi, jo një frymë (d.m.th. një fantazëm), as një iluzion. Krishti, të cilit i besojmë, nuk është as një patericë emocionale, ku mbështetemi kur jemi të dobët, as një pjesë e imagjinatës sonë. Përkundrazi, për ne Ai është realitet: “Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj. Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin, të cilin ai nuk e paska ringjallur, po të jetë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen. Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur; por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja” (1 Korintasve 15:14-17). Sa mirë do të ishte sikur ta pranonim me gjithë zemër se ky Jezus është me ne çdo ditë të jetës sonë! “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5)… “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20).

Premtimet e Tij

Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet”. Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet” (Luka 24:44-45).

Zoti Jesus Krisht përmbushi çdo profeci të Dhiatës së Vjetër, që kishte lidhje me jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Mesisë. Në Bibël, ka mbi 7000 premtime, që kanë të bëjnë me besimtarin e krishterë. Këto premtime u miratuan, pikërisht në momentin kur Zoti u ringjall prej së vdekuri: “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen,” për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20). Bibla përmban premtime të mjaftueshme për t’i bërë ballë çdo lloj problemi të jetës. Premtimet e Biblës na inkurajojnë, na shërojnë dhe na forcojnë.

Qëllimi i Tij

Dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi. Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart” (Luka 24:46-49).

Ringjallja e Krishtit është një prej mësimeve më të mëdha, që mund t’ia deklarojmë kësaj bote mëkatare. Mandati i Madh (i shprehur tek Mateu 28:19-20) nuk do të kishte aspak kuptim, po qe se Jezusi nuk do të ishte ringjallur me të vërtetë fizikisht prej së vdekuri. Prandaj edhe mesazhi i Pashkëve nuk i përket thjesht vetëm një dite të vitit. Ky mesazh është një deklaratë, që duhet shpallur vazhdimisht prej pasuesve të vërtetë të Shpëtimtarit të Ringjallur. Ata që janë me të vërtetë besimtarë (të lindur për së dyti) dhe të mbushur me Frymën e Shenjtë, janë caktuar për të folur për Krishtin.

Përfundim

Ja, pra, këtu kemi një mrekulli të garantuar për të gjithë ata që besojnë në Krishtin. Mrekullia është Jezusi vetë. Në Të gjejmë paqen, praninë, premtimet dhe qëllimin e Tij.

Mbrapa