Parashikimi i Kryqit të Mesias dhe Dëshmia e Mrekullueshme e Besimit

Vargjet që do të studiojmë më poshtë, kanë rëndësi të madhe për kishën, për arsye se ato shprehin doktrinën e vërtetë të Krishtit si Perëndi. Shumë njerëz kanë marrë rrugën, që të çon drejt gjykimit, për shkak se nuk e kanë kuptuar si duhet se kush është me të vërtetë Jezusi. Kur mendimet e dikujt janë të gabuara lidhur me Krishtin, atëherë edhe mendimet e tjera të të njëjtit individ janë po ashtu të gabuara dhe pa vlerë.

Mendimet

Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: “Kush thonë njerëzit se jam unë?”. Ata u përgjigjën: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët” (Marku 8:27-28).

Është e vërtetë se gjithkush ka të drejtë të ketë një mendim të caktuar lidhur me Krishtin. Por kjo nuk do të thotë se mendimet e njërit apo të tjetrit janë të drejta, sidomos nëse ato nuk përputhen me atë që thotë Bibla. Edhe Judenjtë kishin mendimet e tyre, por asnjëri nga ata nuk e kuptoi vërtet se kush ishte Krishti. Gjatë këtyre shekujve të fundit, kanë dalë shumë kulte, mësuesit e rremë të të cilëve e kanë shtrembëruar fjalën e Perëndisë dhe kanë shprehur lirisht pikëpamjet e tyre blasfemuese rreth Jezus Krishtit. Pothuajse të gjitha fetë e ditëve të sotme e mohojnë doktrinën e Perëndishmërisë së Krishtit. Djalli vë në përdorim mendime të tilla të paperëndishme, për ta ngatërruar mëkatarin, i cili, shpeshherë, nuk e ka fare idenë se kush është Zoti.

Vëzhgimi    

Dhe ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam?”. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: “Ti je Krishti” (Marku 8:29).

Pyetja e parë e Jezusit kishte si synim që t’i bënte dishepujt ta vritnin pak mendjen. Ai po i përgatiste ata për një zbulim më të plotë të Vetvetes. Thjesht, mund t’iu kishte treguar se kush ishte, por, përkundrazi, Ai donte që ata ta dëshmonin të vërtetën me gojën e tyre: “Po ç’thotë, pra? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde”. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë; sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim, sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet” (Romakëve 10:8-11). Sipas Ungjillit të Mateut, dëshmia e Pjetrit ishte e tillë: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mateu 16:16). Titulli “Krisht” përforcon Qënien e Tij si Mesi, kurse titulli “Bir i Perëndisë” vë në dukje Qënien e Tij si Perëndi. Këto dy fakte rreth Krishtit nuk duhet të ndahen kurrë nga njëra-tjetra, sepse Ai është si Mesia, ashtu edhe Perëndia. “Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht” (Veprat e Apostujve 2:36).

Pjetri e kuptoi se, edhe pse Jezusi kishte ardhur në botë mes rrethanash të përulura, prapëseprapë, Ai ishte Mesia i shumëpritur, madje edhe më shumë se kaq: Ai ishte vetë Perëndia. Ky zbulim i Pjetrit nuk erdhi si rezultat i llogjikës njerëzore, por ishte zbulim hyjnor. “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mateu 16:17).

Shekuj me rradhë kanë kaluar, por askush nuk ka mundur të japë një dëshmi të tillë besimi plot kurajo si ajo e Pjetrit. Kisha e krishterë i ka bazuar kredot e ndryshme të saj pikërisht mbi këtë dëshmi. Ndaj edhe ne bëjmë mirë ta ndjekim shembullin e Pjetrit, kur duam të deklarojmë se kush është me të vërtetë Krishti. “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Ata që e rrëfejnë me guxim besimin e tyre në Krishtin, do të nderohen prej Tij: “Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej. Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej” (Mateu 10:32-33).

Rezultati  

Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të. Pastaj nisi t’u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet” (Marku 8:30-31).

Jezusi po iu shpjegon dishepujve arsyen e ardhjes së Tij në botë. Do të vuante, para se të hynte në lavdinë e Tij. Do të hidhej poshtë, para se të vinte për të mbretëruar. Zoti duhet t’iu ketë folur dishepujve rreth profecisë së Isaias, lidhur me ‘Shërbëtorin e Vuajtur’ dhe ‘Qengjin e Perëndisë’ (shiko Isaia 53). Por, (siç do ta shohim edhe më poshtë), Pjetri nuk e kuptoi fare këtë lloj arsyetimi. Më vonë, atij iu hapën sytë, ndaj edhe shkroi: “Për këtë shpëtim kërkuan dhe hetuan profetët që profetizuan nga hirin për ju, duke kërkuar të njohin kohën dhe rrethanat që tregonte Fryma e Krishtit që ishte në ta, dhe që dëshmonte që më parë për vuajtjet që do të vinin mbi Krishtin dhe për lavditë që do të pasonin” (1Pjetrit 1:10-11).

Vini re përdorimin e fjalës “duhet” në thënien e Zotit. Kjo do të thotë se s’kishte asnjë mënyrë tjetër, me anë të së cilës Ai të mund ta mënjanonte rezultatin e parashikuar. Ai duhej të vdiste, jo ngaqë po e detyronte me zor një forcë më e madhe se e Tija, por, përkundrazi, ngaqë nuk kishte asnjë mënyrë tjetër, me anë të së cilës të shlyhej mëkati i njeriut. “Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë” (Hebrenjve 9:22). Ligji i drejtë i Perëndisë nuk do të përmbushej, pa vdekjen e Tij sakrifikuese mbi kryq. Është vetëm gjaku faj-shlyes i Jezusit, i cili mund ta bëjë mëkatarin të drejtë përpara Perëndisë. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Të gjithë ata, që e hedhin poshtë faktin se vdekja e Krishtit mbi kryq është e vetmja bazë për jetën e përjetshme, nuk e kuptojnë se kush është Ai. Kur e mohojnë këtë doktrinë të rëndësishme, ata e skualifikojnë veten për në Qiell: “Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Është pikërisht kjo e vërtetë, që duhet të shpallet sot nëpër kishat tona: “Sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar” (1 Korintasve 2:2)… “Por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar” (1 Korintasve 1:23).

Kundërshtimi

Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë. Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: “Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!” (Marku 8:32-33).

Pjetri, edhe pse shprehu besim në Krishtin, nuk mund ta kuptonte dot arsyen e domosdoshmërisë së vdekjes së Jezusit. Rrëfimi i tij ishte i mirë, por ai akoma nuk e kishte kuptuar si duhej arsyen e vërtetë të ardhjes së parë të Zotit. Jezusi e lavdëroi Pjetrin, kur tha të vërtetën, por, gjithashtu, edhe e qortoi atë për pikëpamjet e tij të gabuara. Pjetri nuk e dinte se po përdorej prej Satanait, për të penguar punën e Jezusit. Ky fakt na tregon se pas çdo lloj doktrine të rreme qëndron vetë djalli. Ai mund të vendosë një fjalë të rreme në gojën e atij njeriu, që zakonisht predikon të vërtetën. “Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës” (Gjoni 8:44). Nuk është për t’u habitur, pra, se duhet ta vëmë në zbatim fjalën e Perëndisë në jetën tonë. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11). Pjetri mori qortimin më të ashpër nga të gjitha qortimet e gjendura në Bibël, sepse Zoti iu drejtua Satanait, tek po i fliste Pjetrit. Për një moment, Pjetri u bë me krahë, kur dëgjoi Zotin ta lavdëronte lidhur me besimin e tij. Por, s’kaloi shumë kohë dhe ai u kritikua për fjalët e tij të rreme. A kujtoi Pjetri se tani dinte gjithçka, ngaqë u lavdërua prej Krishtit? Pa dyshim, “Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare” (Fjalët e Urta 16:18). Pjetri kujtoi se mund t’i jepte mend Zotit Jezus, duke i treguar një mënyrë tjetër më të shkëlqyer për në Mbretërinë Qiellore sesa vdekja. Pjetri mund të ketë patur qëllime të mira e plot zell, por gabimi është gabim e kurrë nuk duhet justifikuar. Pjetri ishte i sinqertë, por, në të njëjtën kohë, ishte sinqerisht i gabuar në këtë drejtim. Edhe ne duhet të tregojmë kujdes, sepse mjafton që të vëmë në zbatim arsyetimin tonë të mishit, kur bëhet fjalë për çështje shpirtërore dhe nuk është vështirë atëherë, që të veprojmë në kundërshtim me Frymën e Shenjtë.

Përfundim

Duhet të tregojmë si mençuri, ashtu edhe mëshirë, ndaj dikujt, që beson në një doktrinë të rreme, sepse, siç e pamë, është e mundur që Satanai ta mashtrojë edhe dishepullin më të dedikuar. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se as ne vetë nuk jemi të imunizuar prej mashtrimit. E megjithatë, duhet t’iua vëmë në dukje të tjerëve gabimin, sa herë që e vëmë re për vete: “Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti” (Galatasve 6:1)… “Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur” (Fjalët e Urta 27:5).

Mbrapa

Advertisements