Parathënie

“Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezu Krishtit, gjithë shenjtorëve në Jezu Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht” (Filipianëve 1:1-2).

Vendndodhja

Filipeu ishte një ndër qytetet kryesore të Maqedonisë. Emrin e kishte marrë prej Filipit II të Maqedonit, të atit të Aleksandrit të Madh. Në vitin 42 para Krishtit, perandori Oktavian e ktheu këtë qytet në një koloni të Romës (shiko Veprat e Apostujve 16:12), kurse në vitin 31 para Krishtit, perandori August e populloi qytetin me një numër të madh ushtarësh romakë, duke e kthyer atë kështu në një qendër ushtarake. Filipeu, pra, ishte si një ishull romak në mes të kombeve, sepse, edhe pse Roma qeveriste shumë rajone dhe shtete në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, të paktë ishin ata, që i kishin hedhur poshtë traditat, gjuhën dhe kulturën e tyre. Përkundrazi, banorët e Filipeut ishin bërë menjëherë romakë dhe latinishten e kishin si gjuhë zyrtare, ndaj edhe kujtonin se ishin më shumë romakë, sesa maqedonas. Po të lexojmë Veprat e Apostujve 16:19-21, e shohim se sa besnikë ishin ata ndaj Romës: “Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve; dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: “Këta njerëz, që janë Judenj, e turbullojnë qytetin tonë, dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t’i pranojmë dhe t’i zbatojmë” (Veprat e Apostujve 16:19-21). Qyteti i Filipeut konsiderohej si porta e Evropës, ngaqë ndodhej përgjatë rrugës Egnatia. Ishte i mbrojtur mirë, sepse rrethohej prej malesh të lartë, të cilët ndanin Evropën prej Azisë. Pali e dinte se besimtarët filipianë mund të bëheshin ambasadorë të Zotit, tek punonin përgjatë rrugës Egnatia si në Perandorinë Romake, ashtu edhe në Azi.

Kisha

Filipeu ishte qyteti i parë në Evropë, që e kishte dëgjuar të predikuar vërtet Ungjillin e Krishtit, edhe pse banorët e tij mund ta kishin marrë vesh sadopak atë që kishte ndodhur në Izrael, kur njerëzit ishin pagëzuar me Frymën e Shenjtë (Veprat e Apostujve 1:5-12). Në vitin 51 pas Krishtit, si pasojë e një vegimi, që kishte përjetuar në Troas, Pali e kishte themeluar kishën e Filipeut së bashku me bashkëpunëtorët e tij (Sila, Timoteu dhe Luka): “Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi. Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi. Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas. Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo”. Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t’ua shpallim atyre ungjillin” (Veprat e Apostujve 16:6-10). E shohim, pra, se si Fryma e Shenjtë e kishte në plan Filipeun, madje edhe para se Pali të thirrej për të shkuar atje, për t’u folur njerëzve për Krishtin. Po qe se Pali do ta kishte neglizhuar udhëheqjen e Frymës dhe do të kishte shkuar diku tjetër, ndoshta ne akoma do të ishim në pritje të Ungjillit sot! Pali, pra, e vuri re menjëherë se Filipeu mund të bëhej një qendër e rëndësishme për ungjillin, ngaqë ishte një koloni strategjike e Romës. Ka të ngjarë që Pali ta ketë vizituar këtë rajon gjatë udhëtimit të tij të dytë misjonar (Veprat e Apostujve 16:11-40). Numri i judenjve në qytet ishte aq i vogël, saqë ata nuk kishin as sinagogën e tyre, por mblidheshin për të adhuruar e për t’u lutur buzë lumit Ganxhiti, rreth 500m larg qendrës së qytetit. Fakti që Filipeu nuk kishte aq shumë judenj sa vendet e tjera, ishte gjë e mirë, sepse ata nuk mund t’i bëheshin dot aq shumë pengesë ungjillit. Në fakt, në Bibël lexojmë se s’kishte fare opozitë judenjsh në këtë qytet. Pikërisht këtu, Lidia, besimtarja e parë filipiane, organizoi takime biblike në shtëpinë e saj. Ndoshta ajo ishte shkëndija, që ndezi zjarrin e zemërgjerësisë dhe të bujarisë në kishën e Filipianëve. “Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë, se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjërësinë e tyre. Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre, dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët. Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë” (2 Korintasve 8:1-5). Pali dhe anëtarët e kësaj kishe u lidhën kështu ngushtë me njëri-tjetrin. Ai ndoshta iu bëri atyre vizitë edhe në dy raste të tjera gjatë udhëtimit të tij të tretë misjonar (Veprat e Apostujve 20:1, 3, 6).

Aty ku triumfon Ungjilli i Krishtit, aty shtohet edhe inati i fesë së rreme dhe paganizmit kundra kishës. Besimtarët e rinj shumë shpejt u ballafaquan me persekutime, por, në vend që të hiqnin dorë prej besimit, ata u shtuan edhe më shumë në numër. Këtë fakt e vërteton edhe historia e rojtarit të burgut, i cili u bë besimtar i krishterë, duke na treguar kështu se fjala e Perëndisë po predikohej në mënyrë efikase. “Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin. Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur. Por Pali thirri me zë të lartë: “Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu”. Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës; pastaj i nxori jashtë dhe tha: “Zotërinj, ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?”. Dhe ata i thanë: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote”. Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij. Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë. Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë” (Veprat e Apostujve 16:25-34).

Në vitin 52 pas Krishtit, Pali e caktoi Timoteun si drejtuesin shpirtëror të kishës filipiane. Më vonë, në vitin 58 pas Krishtit, ai do të kthehej për të marrë ofertat, që kisha kishte grumbulluar për besimtarët e varfër të Jeruzalemit (2 Korintasve kapitulli 8 dhe 9). Besimtarët filipianë ishin shumë bujarë, ndaj edhe në shumë raste i dërguan Palit ndihmë financiare (2 Korintasve 11:9; Filipianëve 4:15-16).

Autori

Është e qartë se letra drejtuar Filipianëve u shkrua prej Romës, në kohën kur Pali ishte në burg. Edhe pse nuk e dimë me saktësi datën e letrës, ka të ngjarë që të jetë shkruar rreth vitit 63-64 pas Krishtit. Shumë baballarë të hershëm të kishës, duke përfshirë këtu Klementin, Polikarpin, Ignatin dhe Irenin thonë se Pali ishte autor i kësaj letre. Nuk e dimë nëse Pali e shkroi këtë letër gjatë burgosjes së tij të parë, apo gjatë asaj së dytës, por kjo situatë nuk ndikon fare në mesazhin, që ai kërkon t’iu përcjellë filipianëve. Shumica e dijetarëve besojnë se kjo është letra e fundit e Palit në burg. Në të, autori na komunikon ndjenjat e tij të sinqerta, lidhur me marrëdhënien e tij personale me Zotin Jezus Krisht. Kjo letër na lejon gjithashtu, që ta kuptojmë edhe më mirë karakterin e Palit, sepse ai nuk na duket fare si autoritar i rreptë në këtë letër, por si një njeri i butë dhe plot ndjenja.

Temat

Edhe pse kjo letër përmban shumë tema, më kryesorja është ajo e “Përvojës Shpirtërore të Krishterit të Vërtetë”. Pali është i bindur se besimtarët filipianë i kanë pranuar mësimet e Biblës, pa patur dyshim fare për to, ndaj edhe ai është i lumtur t’i quajë ata “shenjtorë në Jezus Krishtin”.

Pali gjithashtu e shkroi këtë letër:

1)      Për ta falenderuar kishën për pjesëmarrjen e saj në Ungjill.

2)      Për t’iu treguar atyre rreth situatës së tij personale, rreth frikës dhe shpresës që kishte.     

3)      Për t’i inkurajuar, që të qëndronin të bashkuar, të përulur dhe të palëkundur.

4)       Për t’iu shpjeguar se pse po e dërgonte Timoteun.

5)      Për t’i paralajmëruar kundra mësuesve të ndryshëm të rremë.

6)      Për t’iu bërë thirrje Evodisë dhe Sintikës që të pajtoheshin me njëri-tjetrin.

7)      Për ta inkurajuar kishën, që të vazhdonte të lutej, të gëzohej dhe t’i bindej fjalës së Perëndisë.

8)       Për t’i falenderuar ata për ndihmën e madhe financiare, që i kishin dhënë atij.

Kjo letër, pra, nuk u shkrua thjesht për t’i korrigjuar konfliktet doktrinale, që kishin lindur në kishë. Ajo është e mbushur plot me dashuri dhe falenderime. Në të, Pali e përqëndron vëmendjen e tij tek Zoti Jezus Krisht dhe tek mënyra se si Ai i fuqizon besimtarët, për të jetuar një jetë të shenjtë dhe të përkushtuar ndaj Tij (Filipianëve 4:15). Asgjë nuk barazohet në këtë jetë me të njohurit e Krishtit si Shpëtimtar, ndaj edhe në qendër të kësaj letre është Krishti, gjë që na reflekton marrëdhënien e autorit me Zotin. Në letër përfshihet gjithashtu edhe një ndër thëniet më të rëndësishme biblike (Filipianëve 2:5-11). Letra drejtuar Filipianëve është, pra, një letër personale dhe shumë praktike.

Është vështirë për të vënë në dukje një varg të vetëm në këtë letër, sepse ka kaq shumë vargje, që janë të rëndësishme, por ndoshta vargu kryesor i teologjisë së Palit gjendet tek Filipianëve 1:21, “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim”. Një varg tjetër i rëndësishëm është ai, që ka të bëjë me gëzimin e krishterë. Një gëzim i tillë është diçka e shënuar, kur marrim në konsideratë faktin se Pali po vuante në një qeli burgu, kur e shkroi këtë varg. Marrëdhënia e tij me Krishtin, pra, nuk ishte e hidhur, por përkundrazi, ishte e rrënjosur në lumturinë, që i jepte vetëm Jezusi. “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!” (Filipianëve 4:4). Pali mund të mos ndodhej vërtet në një gjendje të mirë, por prapëseprapë ai kishte gëzim në zemër, sepse e dinte se Krishtin e kishte Shpëtimtar.  

Përfundim   

Ndërsa lexojmë këtë letër të frymëzuar prej Perëndisë dhe të shkruar prej apostullit Pal, shumë shpejt kemi për ta kuptuar se autori i saj nuk ishte dakort me ata besimtarë që ishin të vakët për Zotin. Për Palin, besimi i krishterë duhej vënë çdo ditë në praktikë, me fuqinë e Krishtit dhe sipas vullnetit të Perëndisë. “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit… të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë… Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin… sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 1:6, 11, 2:5, 13). Në këtë letër do të gjejmë një shpellë të mbushur me thesare, me të vërteta të çmuara e të rëndësishme, të cilat, po t’i vëmë në praktikë, do të na ndihmojnë që të maturohemi dhe të bëhemi besimtarë të frytshëm dhe besnikë. “Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne” (Filipianëve 3:17).

Mbrapa

Advertisements