Pasiguria e Izraelit

“Në të gjitha fiset e Izraelit populli i tërë diskutonte dhe thoshte: “Mbreti na çliroi nga duart e armiqve tanë dhe na shpëtoi nga duart e Filistejve; dhe tani i është dashur të ikë nga vendi për shkak të Absalomit. Por Absalomi, të cilin ne e kishim vajosur mbret mbi ne, vdiq në betejë. Dhe tani pse nuk flisni për kthimin e mbretit?”. Atëherë mbreti David dërgoi t’u thotë priftërinjve Tsadok dhe Abiathar: “Foluni pleqve të Judës dhe u thoni atyre: “Pse ju duhet të jeni të fundit për kthimin e mbretit në shtëpinë e tij, sepse bisedat e tërë Izraelit kanë arritur deri te mbreti, pikërisht në këtë shtëpi? Ju jeni vëllezër të mi, ju jeni kocka dhe mishi im. Pse duhet të jeni të fundit në kthimin e mbretit?”. Dhe i thoni Amasas: “A nuk je ti kocka dhe mishi im? Këtë më bëftë Perëndia, madje edhe më keq, në rast se ti nuk bëhesh për gjithnjë komandanti i ushtrisë në vend të Joabit”. Kështu Davidi anoi zemrën e të gjithë njerëzve të Judës, sikur të ishte zemra e një njeriu të vetëm; prandaj ata i dërguan t’i thonë mbretit: “Kthehu ti me gjithë shërbëtorët e tu”. Atëherë mbreti u kthye dhe arriti në Jordan; dhe ata të Judës erdhën në Gilgal për t’i dalë përpara mbretit dhe për t’i siguruar kalimin e Jordanit” (2 Samuelit 19:9-15).

Parathënie

Rruga ishte hapur tanimë, që Davidi të kthehej fitimtar në Jeruzalem. Por, me sa duket, ai nuk pranoi që të shkonte, derisa i gjithë populli të binte dakort me këtë vendim. Ndoshta donte të sigurohej se do ta pranonin si mbretin e vërtetë të Izraelit.

Diskutimi

Opinjonet e njerëzve ishin të përçara lidhur me Davidin, sepse, nga njëra anë, të gjithë e dinin se ai ishte një luftëtar trim dhe guximtar, kurse, nga ana tjetër, nuk e kuptonin pse ia kishte mbathur, sapo filloi kryengritja e Absalomit. Njerëzit ishin ndarë në tre grupe: ata që kishin mbështetur Absalomin, ata që ishin treguar besnikë ndaj Davidit dhe ata që ishin thjesht indiferentë. Siç e dimë, shumica e njerëzve e kishin hedhur poshtë Davidin dhe kishin përkrahur Absalomin, ndaj edhe nuk ishin të kënaqur, kur e morën vesh se Davidi kishte dalë fitimtar. Njerëz të tillë nuk ishin gati për ta mirëpritur mbretin. Kishte gjithashtu edhe nga ata, që ishin besnikë ndaj Davidit. Kështu pra, një përçarjeje të tillë duhej t’i vinte fundi sa më parë. E shohim se lufta civile nuk mbaroi, kur vdiq Absalomi. Ka të ngjarë që ata që ishin kundra Davidit, po e acaronin edhe më shumë konfliktin mes fiseve. Ata që ishin në pushtet, përbënin pjesën më të madhe të opozitës ndaj Davidit. Por, fatmirësisht, ata që ishin besnikë ndaj mbretit, i kritikuan të tjerët, që nuk e kishin përmendur madje fare idenë për ta ftuar atë, që të kthehej përsëri në fron. Nuk kishin arsye pse ta hidhnin poshtë, vetëm në qoftë se donin ta merrnin vetë pushtetin në dorë, apo të gjenin një mbret tjetër, që t’i udhëhiqte.

Ngadalësia

Davidi e mori vesh se populli ishte i përçarë dhe, me të drejtë, nuk iu bë qejfi. I kritikoi sidomos pleqtë e Judës, ngaqë ata vinin prej fisit të tij, d.m.th. ishin njerëzit më të afërt që kishte. Davidi nuk po e kuptonte arsyen pse ata nuk kishin dëshirë fare që ai të kthehej përsëri si mbret. Në fakt, ata kishin qenë të fundit, që i kishin kërkuar atij të vepronte kështu. Fiset e tjera i kishin dërguar mbretit mesazhe inkurajimi dhe mezi prisnin që ai të kthehej. Çudi që judenjtë po tregoheshin kaq të ngadaltë! Fjalët qortuese të Davidit, të dërguara me anë të priftërinjve Tsadok dhe Abiathar, e prekën Judën, duke e bërë këtë fis që ta mbështeste mbretin. Më në fund, të gjithë ranë dakort që ta pranonin Davidin prapë si mbret. I dolën përpara dhe e ndihmuan që të kalonte prej lumit Jordan e deri në Jeruzalem.   

Inati

Më pas, Davidi caktoi Amasën si komandantin e ushtrisë në vend të Joabit, një vendim ky që e inatosi pa masë Joabin. Ndoshta Davidi, duke vepruar kështu, po e ndëshkonte atë për vrasjen e Absalomit. Për më tepër, kishte qenë Absalomi ai, që e kishte caktuar Amasën në fillim si komandant të ushtrisë së tij. Ndoshta Davidi po e lejonte Amasën të qëndronte në këtë pozitë, me qëllim që t’i bënte për vete ata, që ishin akoma kundra Davidit. “Davidi e dinte mirë se, në mënyrë që kryengritjes t’i vinte fundi, udhëheqësit të saj i duhej dhënë një detyrë tjetër, ndaj edhe fshehtas, ai e bëri Amasën komandant në vend të Joabit, i cili ishte bërë kohët e fundit i padurueshëm” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Në fakt, Davidi u tregua hipokrit në këtë drejtim. Joabi e kishte ndihmuar dikur, lidhur me vdekjen e Uriahut. Po, vërtet që Joabi e kishte vrarë Absalomin, por ai kishte vepruar kështu, ngaqë Absalomi ishte treguar i ligë dhe tradhtar, në një kohë që Uriahu kishte qenë njeri i drejtë. Davidi, pra, do të hakmerret. I mungon mençuria në këtë rast. E ofendoi Joabin, duke e bërë Amasën komandant, në një kohë që ai, pak orë më parë, kishte qenë komandant i ushtrisë armike. Davidi po i urdhëronte ushtarët e tij, që t’i bindeshin një tradhtari, i cili, po t’i ishte dhënë rasti, do ta kishte vrarë edhe vetë Davidin! Amasa nuk përmendet fare në historinë e betejës. S’kishte bërë asgjë, për ta merituar këtë nder, që po i jepte mbreti. Vetë fakti që kishte qenë komandant i ushtrisë armike, e cila tani ishte mundur, tregonte se ai nuk ishte në gjendje më për të drejtuar. Si nuk e kuptoi, vallë, Davidi se me një vendim të tillë, po i shkaktonte probleme popullit të tij? Siç do ta shohim edhe në studimet e ardhshme, Joabi nuk e pranoi këtë vendim dhe shumë shpejt e largoi Amasën nga skena (2 Samuelit 20:10).

Përfundim                     

Davidi po përdorte akoma metodat e kësaj bote, me qëllim që t’i realizonte qëllimet e tij, në vend që t’i vinte shpresat tek Zoti. I mungonte mençuria.E gjitha kjo po vinte si pasojë e mëkatit të tij me Bathshebën.

Mbrapa

Advertisements