Pastërtia Personale

“Të hiqni dorë nga kurvëria, që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder” (1 Thesalonikasve 4:3b-4).

Parathënie

Studimi ynë i fundit nga Letra e Parë drejtuar Thesalonikasve kishte të bënte me shenjtërimin, një temë, të cilës do t’i kthehemi përsëri në studimet e ardhshme. Në mënyrë që shenjtërimi të jetë i vërtetë në jetën tonë të përditshme, ai duhet të jetë një shenjtërim aktiv. Në vargjet e mësipërme, Pali bën fjalë rreth një çështjeje, që e tregon hapur dallimin midis shenjtërisë dhe hipokrizisë.

Kurvëria

Në çdo shoqëri njerëzore, mëkatet më të përhapura janë ato mëkate, që kanë të bëjnë me papastërtinë seksuale. Në greqisht, fjala “kurvëri” është “porneia”. Në këtë fjalë përfshihen të gjitha llojet e sjelljeve të pahijshme seksuale. Nga kjo fjalë, po ashtu, rrjedh edhe fjala “pornografi”. Besimtarët e rinj të Thesalonikut u ballafaquan që në fillim me këtë çështje. Ata e kishin para syve vazhdimisht imoralitetin e shfaqur hapur dhe, pa dyshim, disa prej tyre kishin praktikuar të njëjtat mëkate, para se të vinin tek Krishti: “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë” (1 Korintasve 6:9-11). Një njeri, që i bindet Krishtit, duhet ta ndryshojë komplet sjelljen e tij ndaj normave seksuale: “Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: “Mos shkel kurorën”. Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt” (Mateu 5:27-30)… “Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet” (1 Korintasve 6:18). Në përkthimin e parafrazuar të Biblës nga J. B. Filip, tek vargu i 1 Thesalonikasve 4:3 thuhet: “Perëndia e ka në plan që t’ju bëjë të shenjtë, ndaj, së pari, duhet të hiqni dorë plotësisht nga imoraliteti seksual”. Siç e shohim, pra, nuk mund ta nënvleftësojmë dot rëndësinë e një çështjeje të tillë.

Ena

Ena, pa dyshim, është trupi ynë. Kombi ynë po i braktis çdo ditë e më shumë standartet judeo-kristiane, ndaj edhe shohim një rritje të vazhdueshme të lloj-lloj degjenerimi. Thuhet se perandoria romake u shkatërrua nga brenda për brenda saj, pikërisht si shkak i degjenerimit. Kur një komb nuk kontrollohet më prej Qiellit, atëherë ai bie menjëherë nën diktaturën e Ferrit: “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Psalmi 9:17). E njëjta gjë ndodhi edhe në Izraelin e lashtë. Mbreti Salomon është shembull i asaj situate që ndodh, kur zemra e njeriut kthehet nga imoraliteti, në vend që të kthehet nga Perëndia: “Por mbreti Salomon, veç bijës së Faraonit, dashuroi shumë gra të huaja, moabite, amonite, idumeje, sidonie dhe hiteje, që u përkisnin popujve për të cilët Zoti u kishte thënë bijve të Izraelit: “Ju nuk do të lidhni martesë me ta, as ata me ju, sepse ata do ta kthejnë me siguri zemrën tuaj nga perënditë e tyre”. Por Salamoni u bashkua me këto gra nga dashuria. Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën. Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij. Salomoni ndoqi, pra, Ashtorethin, perëndeshën e Sidonëve, dhe Milkomin, të neveritshmin e Amonitëve. Kështu Salomoni bëri atë që ishtë e keqe në sytë e Zotit dhe nuk e ndoqi tërësisht Zotin, ashtu si kishte bërë i ati David. Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit. Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre” (1 Mbretërve 11:1-8). Nuk duhet ta harrojmë se edhe Sodomi dhe Gomorra u shkatërruan prej Perëndisë, për shkak të papastërtisë seksuale (ose homoseksualitetit) (Zanafilla 19:4-10).

Kur heqim dorë nga kurvëria, atëherë e dimë sesi ta “mbajmë” enën tonë, d.m.th. sesi të sillemi në mes të një bote mëkatare. Fjala “hiqni dorë” do të thotë “largohuni”. Pali përdor të njëjtën shprehje tek 1 Thesalonikasve 5:22-23, “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë. Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht”. Ajo që na mëson Pali në këto vargje, mund të ilustrohet me historinë e Jozefit dhe rezistencën, që tregoi ai ndaj tundimeve prej gruas së Potifarit (shiko Zanafilla 39:7-12). “Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne” (2 Korintasve 4:7).

Përfundim                      

Lidhur me shprehjen “hiqni dorë nga kurvëria”, Gjon Uesli ka thënë: “Duhet të tregohemi të kujdesshëm e ta ruajmë këtë shenjtërim”. Çdo detaj i jetës sonë duhet të jetë nën kontrollin dhe udhëheqjen e Krishtit. Kemi nevojë ta dimë se si të jetojmë një jetë të drejtë e të shenjtë. Atëherë nuk do të ecim më sipas standarteve të botës: “Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj, sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë. Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes” (Fjalët e Urta 7:25-27).

Mbrapa

Advertisements