Pastrimi i jetës sonë

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua. E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:9-11).

Parathënie   

Ata që besojnë në Perëndinë, dëshirojnë të jetojnë një jetë, që e kënaq Zotin. Një herë, dikush bëri një pyetje shumë të rëndësishme: “Si mund të jetoj një jetë të pastër?” Feja thotë se duhet të zbatosh një listë të gjatë rregullash, të cilat bazohen në traditat dhe zakonet e njerëzve, e jo tek Bibla. Por autori i psalmit 119-të na tregon se si mund të jetojmë një jetë të shenjtë e të perëndishme.

Pisllëku (Papastërtia)

Vetëm ai, që e urren me të vërtetë mëkatin, dëshiron të jetojë një jetë të shenjtë. Sa herë jemi betuar se do të jetojmë një jetë të tillë përpara Zotit, por sa shpejt e harrojmë këtë premtim! Sa herë i rrëfejmë nga ditë në ditë, nga java në javë, nga viti në viti, po të njëjtat mëkate! Autori i këtij psalmi dëshiron të korrë fitore mbi mëkatin, që e rrethon (shiko Hebrenjve 12:1). Mëkati lë njolla të pista në jetën tonë dhe na tregon se sa poshtë kemi rënë prej lavdisë së Perëndisë. “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Prandaj edhe thërrasim: “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” (Romakëve 7:24).

Ilaçi pastrues

Përgjigja ndaj problemit të mëkatit gjendet tek bindja ndaj fjalës së Perëndisë. Po gjaku i Krishtit? Ç’rol luan ai në larjen e mëkateve? Është e vërtetë se gjaku i Krishtit e pastron prej mëkatit mëkatarin e penduar. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Por Perëndia nuk dëshiron që të jetojmë jetë mëkatare. Po t’i bindemi fjalës së Tij, atëherë nuk biem lehtë në mëkat. Bibla është në gjendje të na ruajë të pastër prej pisllëkut të botës. “Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova” (Gjoni 15:3)… “Që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës” (Efesianëve 5:26).

Ilaçi që përdorim, kur lajmë rrobat, nuk është thjesht për t’iua hequr atyre pisllëkun, por edhe për t’i dizinfektuar ato e për të parandaluar përhapjen e mikrobeve. Ilaçet e sotshme vrasin rreth 99% të mikrobeve, por fjala e Perëndisë është aq e fuqishme, saqë është në gjendje ta shkatërrojë 100% mëkatin tonë. “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18).

Vendimi

Duhet të marrim vendim për t’i ndjekur me gjithë zemër mësimet e fjalës së Perëndisë. Ata që thonë se shenjtëria dhe pastërtia shpirtërore janë virtyte që arrihen automatikisht në jetën e krishterë, nuk e kuptojnë ashtu siç duhet Biblën. “Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë, diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë, mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë. Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër” (2 Pjetrit 1:5-9).

Mbrojtja

Kur fjalën e Perëndisë e kemi në mendje e në zemër, atëherë jemi të mbrojtur nga çdo tundim, që na del përpara. Çarls H. Spërxhëni ka thënë: “Asgjë nuk ta shëron mëkatin e jetës, ashtu siç ta shëron Fjala, që ke në zemër. Nuk do të gjejmë dot strehë prej mëkatit, po qe se nuk e strehojmë të vërtetën në shpirtin tonë”. Perëndia na ka pajisur me gjithçka, që na nevojitet, me qëllim që të mos biem në kurthet e Satanait. Ai ka planifikuar fitoren tonë e jo disfatën. Na ka dhënë vetëm një armë sulmi: “shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:17). Prandaj, pra, Bibla na është dhënë, si për të na mbrojtur nga i ligu, ashtu edhe për ta sulmuar e ofenduar atë. S’është për t’u habitur, pra, kur e shohim se si djalli nuk do që t’i besojmë Fjalës së Zotit.     

Përfundim

Nëse duam që të jemi të pastër, atëherë duhet të përdorim mjetin, që na ka dhënë Perëndia për këtë qëllim. Mëkati na largon nga Bibla, kurse Bibla na largon nga mëkati. Gjon Uesli ka thënë: “Biblën e kam ruajtur në mendje, si një thesar të çmuar, me qëllim që ta kem gati në çdo rast, për të më këshilluar, për të më inkurajuar, apo qoftë edhe për të më paralajmëruar”. 

Mbrapa