Pastrimi i rrëmujës

Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit” (Luka 4:18-19).

Parathënie

Nganjëherë, na duhet që t’i bëjmë një pastrim me themel shtëpisë, për të hequr qafe mbeturinat, apo rrëmujën e krijuar prej kohësh, me qëllim që të kënaqemi me shtëpinë që kemi. Kur gjërat janë rrëmujë, edhe ato që janë të vlefshme e të bukura, duken si mbeturina! Ndoshta gjatë viteve kemi ruajtur apo kemi vënë mënjanë gjëra të ndryshme, me shpresën se ato do t’i vëmë një ditë në punë. Por gjëra të tilla të papërdorura kthehen shpejt në mbeturina. Ka ardhur koha që ta pastrojmë edhe zemrën tonë prej një rrëmuje të tillë shpirtërore. Zoti dëshiron që të na çlirojë prej tutelës të së kaluarës, për t’i shërbyer Atij më mirë në të ardhmen.

Male mbeturinash

Është vështirë t’i harrosh grindjet apo ofendimet e së shkuarës. Sa më shumë që i kujtojmë, aq më shumë na nguliten në mendje! Por mbeturina të tilla shpirtërore na e pengojnë rritjen tonë në Krishtin. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:1-2). Duhet ta shkatërrojmë gjithçka që na pengon, sepse përndryshe nuk do të bëhemi ashtu siç na do Perëndia.

Çfarë ëndrrash e çfarë mendimesh kemi? Nga na vijnë këto ëndrra dhe mendime? Mund të na duket e vështirë në fillim, por një mal i tillë mbeturinash mund të rrafshohet me anë të armëve, që na ka dhënë Zoti. “Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat” (2 Korintasve 10:4-6). Mali i rrëmujës mund të rrafshohet me anë të besimit në Krishtin. “Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali: “Hiqu andej dhe hidhu në det,” kjo do të ndodhë. Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni” (Mateu 21:21-22).

Armatimi për shkatërrimin e rrëmujës

Besimi tek Krishti na jep fuqi për ta mposhtur gjithçka, që na pengon së shërbyeri Atij, pavarësisht nga vuajtjet që mund të kalojmë. “Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë. Cili është ai që e mund botën, veç se ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë?” (1 Gjonit 5:4-5). Mund të mendojmë se besimin e kemi të dobët, ndaj edhe nuk mund të korrim dot fitore mbi frikën, apo vuajtjen, por kemi Dikë, që na jep gjithmonë atë që na nevojitet për të na çliruar. “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16).

Kur shkojmë tek Zoti dhe ia japim Atij barrën tonë (1 Pjetrit 5:7), është mirë t’i tregojmë Atij gjithçka që na shqetëson – Ai nuk ka për t’u habitur prej rrëfimit tonë! “Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg. Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu? Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi” (Psalmi 118:5-7). Ai e di sesi të na e shërojë shpirtin. Na gjen shkakun e problemit, jo thjesht pasojat. Kurrë nuk duhet ta harrojmë faktin se mëkati është shkaku i shumë problemeve, sidomos i grindjeve, dhimbjeve dhe mërive të së kaluarës. Kujtime të tilla na e bëjnë lëmsh mendjen, ndaj edhe nuk përqëndrohemi dot tek ato gjëra që janë vërtet të rëndësishme. “Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua. Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime” (Psalmi 38:4-5). Fryma e Shenjtë na rifreskon vërtet, kur pendohemi për mëkatin. “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit” (Veprat e Apostujve 3:19).

Djalli na mban të lidhur, duke na sulmuar nga ana shpirtërore, por sulmet e tij mund të mposhten me anë të besimit në Krishtin. Nuk ka absolutisht asnjëfarë arsyeje pse besimtari të jetojë si i mundur. “Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore. Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë, dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes, mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët” (Efesianëve 6:10-18).

Përfundim       

Le të përpiqemi për ta pastruar e për ta hequr qafe rrëmujën prej mendjes sonë dhe Fryma e Shenjtë ka për të na forcuar dhe ka për të na inkurajuar edhe më shumë. Ai ka për të na folur nëpërmjet fjalës së Perëndisë, me qëllim që t’i shkatërrojmë plotësisht të gjitha fortesat e padëshiruara. “Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë” (Psalmi 119:50). Po qe se betejën nuk e fitojmë menjëherë, le të mos kujtojmë se Perëndia nuk po vepron, sepse madje edhe gjërat negative kanë për të na dalë për mbarë. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Zoti Jezus erdhi për të na çliruar prej rrëmujës së kësaj bote dhe prej djallit, me qëllim që të jetojmë në lirinë e Tij. “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10).

Mbrapa