Pasuri në lavdi

“Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19).

Parathënie   

Teksti i mësipërm duhet studjuar jo i izoluar prej pasazhit në të cilin përfshihet, por në kontekstin e diskutimit që bën Pali lidhur me temën e dhënies dhe marrjes së ofertës. Fatkeqësisht, një varg i tillë është përdorur shpeshherë gabimisht prej shumë vetëve, për të propaganduar mënyrën e jetesës së atyre, që i harxhojnë paratë për vete, pa e vrarë mendjen fare për punën e Perëndisë.

Kushtet

Pavarësisht se ç’mund të thonë të tjerët, ne e dimë se Perëndia e di se për çfarë kemi nevojë dhe na premton se ka për të na i plotësuar të gjitha nevojat. “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë” (2 Korintasve 9:8)… “Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra” (Mateu 6:32). Një e vërtetë e tillë bëhet realitet atëherë kur bie në përputhje me vullnetin e Perëndisë e jo thjesht vetëm me dëshirat tona. Perëndia na i plotëson të gjitha nevojat, jo të gjitha qejfet! Ka disa që kanë “lakmi për para” dhe nuk dinë ç’të bëjnë me gjithë pasurinë që kanë (1 Timoteut 6:10), por njerëz të tillë kanë një jetë të varfër shpirtërore. “Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre” (Psalmi 106:13-15)… “Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja” (Jakobi 4:3) .

Vini re se Pali na thotë se “Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja”. Vëmendjen, pra, duhet ta përqëndrojmë tek fakti se Zoti është në gjendje të na i plotësojë të gjitha nevojat, pavarësisht sesa të mëdha apo sesa të vogla mund të jenë ato. Zoti Jezus na paralajmëroi që të mos e kemi mendjen tek ushqimi apo tek veshja, sepse nuk mund t’i shërbejmë dot “Perëndisë dhe mamonit” (Mateu 6:24). Përkundrazi, duhet ta vëmë Zotin në plan të parë dhe atëherë kemi për ta parë se Ai, Ati ynë Qiellor, do të na japë ç’kemi nevojë për mirëqënien tonë shpirtërore dhe fizike. “Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm? Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata. Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? Mos u shqetësoni, pra duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?”. Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen. Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet” (Mateu 6:26-34).

Pasuritë

Perëndia nuk e harron kurrë bujarinë tonë sakrifikuese, por fatkeqësisht, ka nga ata besimtarë që kujtojnë se për çdo kartmonedhë që i japin Zotit, Ai e ka për detyrë që t’iu japë 100 kartmonedha të tjera. Pasuria e këtyre njerëzve është pasuria e kësaj bote, jo “pasuritë në lavdi në Jezus Krishtin”. Mendjen e kanë tek paraja, ndaj edhe nuk kanë dashuri për Zotin. Sa të jemi gjallë, mund të mos pasurohemi me gjërat e kësaj bote, por na presin pasuri edhe më të mëdha në Qiell. Për hatër të Krishtit, mund të vuajmë nga varfëria, por na presin lavditë e prezencës së Tij qiellore. “Përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin” (Mateu 6:20)… “Duke e çmuar dhunën e Krishtit si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit, sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi” (Hebrenjve 11:26)… “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush” (Mateu 5:11-12). “Pasuritë e hirit të Tij” janë më të vlefshme për besimtarin sesa të gjitha pasuritë e botës. “Në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij” (Efesianëve 1:7).

Këto “pasuri” janë shpërblimi që marrim në qiell, kur tregohemi bujarë këtu në tokë. Perëndia na premton se do të na japë “një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju” (1 Pjetrit 1:4). Tek Predikuesit 11:1-2, Salomoni tha: “Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri.  Jepu pjesë shtatë, madje edhe tetë vetave, sepse ti nuk e di se çfarë fatkeqësie mund të të ndodhë mbi tokë”.

Çlirimtari

“Pasuritë” janë “në Jezus Krishtin”, sepse Ai është burimi më i madh i pasurive të çdo besimtari. Jezusi ishte njeriu më i pasur në botë, e megjithatë, shpeshherë Ai nuk kishte ku të flinte (Mateu 8:20). Pali e hap dhe e mbyll vargun e studimit tonë (Filipianëve 4:19), duke e përqëndruar vëmendjen tek Perëndia: “Perëndia im” dhe “në Jezus Krishtin”. Kur i besojmë Krishtit për gjithçka, dëshirat tona ndryshojnë – nuk jemi më egoistë dhe lakmitarë, duke e dashur gjithçka për vete, por duam gjithçka që na jep Ai, në mënyrë që të kemi një jetë të shëndetshme të krishterë. Duam të jetojmë për Të dhe të marrim çdo bekim që ka planifikuar Ai për ne, edhe sikur ky bekim të jetë thjesht fuqia për t’iu bërë ballë vështirësive, ashtu si veproi edhe apostulli Pal. Perëndia gjithmonë na jep “sipas” pasurive të Tij, jo “nga” pasuritë e Tij. Ndaj e dimë se, kur punojmë për Zotin, shpërblimin e kemi të garantuar. Sa herë që i bëjmë nder ndonjërit prej vëllezërve më të vegjël, i kemi bërë nder Zotit dhe Ai ka për të na bekuar përjetësisht (shiko Mateu 25:31-46).

Çlirimtari ynë është gjithashtu edhe “Bariu i mirë”, që na ka dhënë me kohë bekimin më të madh. “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11). Ai e di me saktësi se për çfarë kanë nevojë delet e Tij. “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë” (Gjoni 10:9). Le të mos e harrojmë se sa shumë kujdeset Zoti për ne. “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër. Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet. Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata” (Psalmi 23). Vargjet e fundit të këtij psalmi na sjellin ndërmend edhe një premtim tjetër të Jezusit, që përfshihet tek Gjoni 14:1-3. “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3).    

 Përfundim                      

Pali i shkruan këto fjalë, jo për të na thënë që të bëhemi lakmitarë, apo që të dëshirojmë gjërat e kësaj bote, por përkundrazi, për t’iu dhënë zemër atyre besimtarëve që tregohen bujarë ndaj Perëndisë dhe njerëzve të Tij. Ai dëshiron t’iu thotë filipianëve: “Unë kurrë nuk mund t’jua shpërblej atë që keni bërë për mua, por Perëndia im ka për t’ju bekuar me bollëk, si këtu në tokë, ashtu edhe në lavdinë e Tij qiellore”. Kur ne, ashtu si kisha e filipianëve, tregohemi bujarë ndaj atyre që janë nevojtarë, Perëndia ka për të na i plotësuar edhe neve të gjitha nevojat tona. Ai është bujari më i madh! “Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu” (Luka 6:38)… “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efesianëve 3:20). Nuk duhet të lakmojmë “fitim të turpshëm” (Titit 1:7, 11; 1 Timoteut 3:3, 8; 1 Pjetrit 5:2). Kurrë nuk ka për të na munguar gjë, nëse e duam me të vërtetë Zotin. “Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë” (Psalmi 37:25).

Vargu i Filipianëve 4:19 mund të përshkruhet fjalë për fjalë edhe në këtë mënyrë – imagjino për një moment sikur ky varg të jetë i shtypur mbi një kartmonedhë të botuar prej bankës kombëtare, që thotë:

“Perëndia im” – emri i bankës

“Do të plotësojë” – premtimi i pagesës

“Të gjitha nevojat” – vlera e kartmonedhës

“Sipas pasurive të Tij” – të ardhurat e bankës

“Në lavdi” – adresa e bankës

“Në Jezus Krishtin” – firma e atij që e autorizon pagesën

Hadsën Tejllëri ka thënë: “Punëtorit, që e kryen punën e Perëndisë ashtu siç do Ai dhe për lavdinë e Tij, s’ka për t’i munguar kurrë asgjë”.

Mbrapa

Advertisements