Pei – Fjala udhëheqëse

Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton. Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë. Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua. Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd. Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë. Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua. Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua. Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.” (Psalmi 119:129-136).

Parathënie  

Fjala e Perëndisë ka fuqi jo vetëm për të na çliruar prej mëkatit, por edhe për të na mbajtur larg prej tij. Në momente vuajtjesh dhe persekutimi, besimtarët tundohen dhe gjejnë rrugën më të lehtë të kompromentimit me botën. Por, pavarësisht nga errësira që na rrethon, kemi një dritë, që na e ndriçon zemrën dhe na mëson të ecim në drejtësi.

Porositë

Autori i psalmit, sa herë që hapte Biblën, shihte mrekulli. Për të Bibla ishte “e mrekullueshme”. Fjala e Perëndisë vërtet është e mrekullueshme, për faktin se është e pastër, e pafundë, e saktë dhe e fuqishme. Fatkeqësisht ka besimtarë, të cilëve leximi i Biblës iu duket i mërzitshëm dhe pa vlerë. Por autori i psalmit, ngaqë ishte i mahnitur me madhështinë e Perëndisë, i konsideronte fjalët e Biblës sikur të ishin fjalë prej vetë gojës së Zotit, të drejtuara pikërisht atij vetë! Për më tepër, ato fjalë i kishin hyrë në zemër dhe ai donte që t’i vinte në praktikë. Kështu pra, fuqia e fjalës së Zotit na e transformon jetën, vetëm atëherë kur e zbatojmë atë. “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Hebrenjve 4:12). Bibla na e ndriçon shpirtin dhe na shfaq të vërteta të përjetshme, të cilat askush nuk mund t’i imagjinojë dot. Madje edhe njerëzit “e thjeshtë” mund t’i kuptojnë planet dhe qëllimet e Perëndisë. Të ashtu-quajturit “njerëz me shkollë” mund të na quajnë të marrë, ngaqë besojmë tek Zoti, por ai që vërtet beson tek Perëndia dhe tek fjala e Tij ka për të patur mençurinë, që ia tejkalon çdo lloj zgjuarsie njerëzore. Njerëzit “e thjeshtë” janë ata, që e pranojnë se ndoshta mund të mos i dinë të gjitha gjërat, por janë gati për ta lejuar Perëndinë që t’i mësojë.

Etja

Besimtari duhet të ketë “etje” për fjalën freskuese të Zotit. “Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?” (Psalmi 42:1-2). Zoti na jep falas gjithçka që na nevojitet për të na e kënaqur shpirtin. “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!” (Isaia 55:1). Kemi nevojë për “dritë” në mes të errësirës dhe “ujë” në këtë botë të thatë shpirtërisht. “O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë” (Psalmi 63:1). Autori i psalmit e ka një arsye që lutet kështu, ngaqë ka nevojë për “mëshirën” e Zotit në momente vështirësie. Ai mban mend se Perëndia ka ndihmuar shumë shenjtorë të tjerë gjatë vuajtjeve të tyre, ndaj edhe ka besim se Ai ka për ta ndihmuar edhe atë vetë. Ai e donte shumë emrin e Zotit, d.m.th. kishte një marrëdhënie personale me Të, ndaj edhe e dinte se Perëndia kishte për ta mbrojtur dhe për ta çliruar. Po ne, a kemi të njëjtën etje për fjalën e Zotit? “Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij” (1 Pjetrit 2:2). 

Vështirësitë

Bindja ndaj Zotit është një nga aspektet kryesore të jetës së krishterë. E si mund të themi se jemi besimtarë, nëse nuk jemi gati për ta lejuar Perëndinë që të na i “stabilizojë hapat” në përputhje me Biblën? Autori i psalmit, pra, dëshironte që t’i bindej fjalës së Zotit, sepse vetëm kështu ai do të ishte në gjendje t’i shkatërronte kurthet e mëkatit. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11). Është e rëndësishme, pra, që ta vëmë në praktikë fjalën e Perëndisë dhe t’i bindemi asaj. A duam që të jemi shërbëtorë të mëkatit apo të Perëndisë? “A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi? Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar” (Romakëve 6:16-17). Bibla ka gjithashtu fuqi për të na çliruar prej ligësisë së njerëzve, ashtu siç i çliroi Zoti izraelitët prej faraonit. “Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti. Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar; me forcën tënde e ke çuar drejt banesës sate të shenjtë” (Eksodi 15:12-13). Por pse i çliroi Perëndia izraelitët? Me qëllim që ata të bëheshin një popull, që do t’i bindej Atij. Çlirimi pa bindje është i pamundur. Jemi thirrur për ta dashur Zotin dhe për t’i “zbatuar” urdhërimet e Tij. “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). 

Mësimi

A duam që drita e fuqishme e fytyrës së Perëndisë të na e shkëlqejë zemrën dhe të na e shfaqë mëkatin nga brenda? Nëse jemi gati për të mësuar të vërtetat e fjalës së Zotit me anë të Frymës së Shenjtë, atëherë duhet të jemi gati gjithashtu edhe për dritën e Tij dhe punën e saj në zemrën tonë. Atëherë fytyra e Perëndisë na ndriçon me favore dhe bekime. “Zoti të të bekojë dhe të të ruajë! Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty! Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!” (Numrave 6:24-26). Autori i psalmit i kërkon Zotit që ta ndriçojë, me qëllim që të mësojë edhe më shumë prej fjalës së Tij. I shikonte të tjerët, që e kishin jetën rrëmujë, ngaqë e kishin hedhur poshtë fjalën e Zotit. Por ai kishte marrë vendim që të mos binte në të njëjtin kurth si ata. Ai qante, kur shihte mëkatet e të tjerëve, ngaqë e dinte se ata mund të çliroheshin prej mëkateve, por ishin kokëfortë. Qante, ngaqë donte që ata të shpëtoheshin. Ah, sikur ta zbatonin fjalën e Perëndisë! Atëherë do të çliroheshin dhe do të ishin përjetësisht të bekuar.

Përfundim

Fjala e Perëndisë na e ndriçon shpirtin, duke na e larguar errësirën e botës. Kjo fjalë i mban të çliruarit larg prej mëkatit dhe i afron ata edhe më shumë tek Zoti. Kur meditojmë tek Bibla, e shohim se shkëlqimi i fytyrës së Zotit na e bën edhe më të mrekullueshme të vërtetën. Sa keq që ka akoma shumë njerëz që duan të qëndrojnë në errësirë!

Mbrapa

Advertisements