Përçmimi i Mikalit

“Por ndodhi që, ndërsa arka e Zotit po hynte në qytetin e Davidit, Mikal, bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që po hidhej dhe kërcente përpara Zotit dhe e përçmoi në zemrën e saj. Kështu, sollën arkën e Zotit dhe e vendosën në vendin e saj, në mesin e çadrës që Davidi kishte ngritur për të. Pastaj Davidi ofroi olokauste dhe flijime falenderimi përpara Zotit. Kur mbaroi së ofruari olokaustet dhe flijimet e falenderimit, Davidi bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive, dhe i shpërndau tërë popullit, gjithë turmës së Izraelit, burra dhe gra, secilit prej tyre nga një kulaç, nga një racion mishi dhe një sasi rrush të thatë. Ndërsa Davidi po kthehej për të bekuar familjen e tij, Mikal, bija e Saulit, i doli përpara Davidit dhe i tha: “Sa i nderuar ka qënë sot mbreti i Izraelit që u zbulua para syve të shërbëtoreve dhe të shërbëtorëve të tij, ashtu siç do të zbulohej një harbut!”. Atëherë Davidi iu përgjigj Mikalit: “E bëra përpara Zotit që më ka zgjedhur në vend të atit tënd dhe të tërë shtëpisë së tij për të më vendosur princ të Izraelit, të popullit të Zotit; prandaj bëra festë përpara Zotit. Prandaj do ta ul veten edhe më poshtë dhe do të bëhem më i pavlerë në sytë e mi; por lidhur me shërbëtoret për të cilat më fole, unë do të nderohem pikërisht prej tyre”. Mikal, bija e Saulit, nuk pati fëmijë deri ditën e vdekjes së saj” (2 Samuelit 6:16-23).

Parathënie   

Nga një dritare e hapur, Mikali, gruaja e Davidit, po e shikonte tërë përçmim të shoqin, tek kërcente gjithë gëzim përpara Zotit. Kjo urrejtje sekrete u shfaq hapur, sapo Davidi arriti në shtëpi. Siç do ta shohim edhe në këtë pasazh biblik, Mikali ishte njëlloj si babai i saj, Sauli. Si të atit, ashtu edhe së bijës nuk iu pëlqenin aq shumë gjërat, që kishin lidhje me Perëndinë.

Bekimi

Sapo Arka arriti në vendin e saj të pushimit dhe sapo u ofrua flijimi i fundit, Davidi i bekoi të gjithë ata, që morën pjesë në këtë ngjarje të lavdishme. Secilit iu dha diçka për të ngrënë e për të pirë, gjë që na tregon se priftërinjve iu qe dashur pothuajse pjesa më e madhe e ditës, për ta prurë Arkën nga shtëpia e Obed-Edomit në Tabernakullin në Jeruzalem. Kishin shpenzuar, pra, shumë kohë e energji për ta kryer këtë punë. Ndaj edhe Davidi e ushqeu vetë popullin e Izraelit (2 Samuelit 5:2). Edhe mund t’i kishte shpërndarë thjesht vetëm me një bekim, por e kuptoi se kishin nevojë për më shumë, ashtu siç veproi edhe Jezusi me turmën e njerëzve, që kishin ndenjur gjithë ditën me Të (Mateu 14:14-21).

Duhet t’i marrim gjithashtu në konsideratë edhe vetë njerëzit, të cilët kishin marrë pjesë vullnetarisht në këtë detyrë festive, pa menduar se do të shpërbleheshin për kohën, energjinë, apo punën e tyre. Kishin ardhur, për t’ia dhënë veten Zotit – ndryshe nga shumica e atyre sot, që i japin Perëndisë, vetëm ngaqë kujtojnë se do të marrin bekime për atë që bëjnë. Njerëz të tillë, ashtu siç nuk japin me zemër, ashtu edhe nuk do të marrin asgjë prej Zotit. “Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7). Një lloj dhurimi i tillë i gëzuar ka për të vjelë shpërblime prej Perëndisë (2 Korintasve 9:6).

Urrejtja

Davidi u kthye në shtëpi, i mbushur plot e përplot me gëzimin e Zotit, por e shoqja donte ta inatoste. Mikali nuk ishte e kënaqur me adhurimin dhe lavdërimin e burrit të saj. Kishte kohë që zemrën e kishte të mbushur plot urrejtje ndaj tij, ndaj para se të hynte i shoqi tek dera, e takoi atë tek pragu dhe i nxorri një stuhi të sharash nga goja. Fjalët e saj ishin komplet të trilluara. Nuk e kemi vështirë, për ta imagjinuar se nga i erdhën asaj këto mendime! E akuzoi Davidin se ishte harbut, ngaqë kishte dalë i zhveshur në rrugë, pa rrobat mbretërore. Por a do t’i ishte bërë asaj vërtet qejfi, nëse Davidi do të ishte veshur mirë e bukur? Ata që nuk besojnë, pikërisht këtë lloj adhurimi shohin, kur “adhuruesit e vërtetë” e lavdërojnë Perëndinë (Gjoni 4:23). Mund të na quajnë të marrë (1 Korintasve 1:18), të tërbuar (Veprat e Apostujve 26:24), të dehur (Veprat e Apostujve 2:13), e madje edhe të demonizuar (Gjoni 10:20). Fjalë të tilla dalin nga një zemër e mbushur plot urrejtje. E si mund të fliste kështu Mikali, në një kohë që edhe i ati kishte adhuruar dikur në të njëjtën mënyrë si i shoqi? (1 Samuelit 19:24).

Duket qartë, pra, se Mikali nuk kishte të njëjtën dashuri, që kishte Davidi për Zotin, sepse përndryshe edhe ajo duhej të kishte dalë në rrugë e ta adhuronte Zotin, ashtu si burri i saj. Mund ta presupozojmë se gratë e tjera të Davidit nuk kishin të njëjtën urrejtje ndaj tij, si Mikali. Le të mos e harrojmë faktin se ajo dikur kishte patur një “idhull shtëpie” (1 Samuelit 19:16), ndaj edhe nuk e kishte problem ta pranonte perëndinë fallco, në vend të Atij, që ishte i vërtetë. Në pasazhin e mësipërm na thuhet se ajo doli për ta takuar Davidin, d.m.th. kishte si qëllim që ta ulte atë poshtë në sytë e njerëzve. Ç’ndryshim kishte, pra, ajo nga i ati? “Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete” (1 Gjonit 3:15).

Përgjigja

Davidi e hodhi poshtë gjithçka të ligë, që i tha e shoqja dhe kishte të drejtë, që veproi kështu. I tha se po e adhuronte Perëndinë në mes të rrugës e nuk po përpiqej ta ngrinte veten lart në sytë e njerëzve. Qëllimet e kishte të mira, të sinqerta e të shenjta, sepse po e adhuronte Perëndinë me gjithë zemër. I solli ndërmend Mikalit një fakt shumë të rëndësishëm, të cilin ajo e kishte harruar, se Perëndia e kishte vajosur atë mbret të Izraelit, e jo thjesht një anëtar të dinastisë së saj mbretërore. Këtë lloj përgjigjeje të Davidit duhet ta konsiderojmë si një përpjekje të tij, për t’i thënë të shoqes se ishte ajo që duhej t’i jepte llogari atij, e jo ai asaj.

Nëse ajo e konsideronte adhurimin e tij ndaj Zotit si një gjë të neveritshme e ofenduese, atëherë ai do t’ia shtonte asaj edhe më shumë urrejtjen dhe inatin, duke e adhuruar Perëndinë edhe me më shumë entuziazëm. “Sa më shumë që na urrejnë, kur bëjnë mirë, aq më të vendosur bëhemi, duke i qëndruar edhe më afër Zotit, sa më shumë që agjentët e Satanait përpiqen për të na larguar prej Tij” (Gjon Uesli). Shkurtimisht, pra, Davidi po thotë se asnjë fjalë urryese, kritike, apo akuzuese të Mikalit nuk kanë për t’ia dobësuar atij as adhurimin, as përkushtimin ndaj Perëndisë. Në fakt, shërbëtorët që përmendi Mikali, ishin të gëzuar, që po e nderonin Zotin së bashku me Davidin dhe që kishin një mbret të tillë, që e lavdëronte Perëndinë. Ajo e kishte gabim – ai nuk ishte bërë aspak i pavlerë në sytë e tyre.

Mallkimi

Davidi, si mbret dhe burrë që ishte, edhe mund ta kishte ndëshkuar Mikalin sipas ligjit për mungesën e besnikërisë, që tregoi ndaj tij. Por ishte Zoti Ai, që e ndëshkoi në një mënyrë, që vërtet do t’i sillte asaj çnderim. Në ato kohë, të qënit pa fëmijë konsiderohej si një ndëshkim prej Perëndisë. Mikali e kishte çnderuar si Perëndinë, ashtu edhe Davidin, ndaj edhe do të çnderohej vetë gjatë gjithë jetës. 

Përfundim   

Nuk ka nevojë për më shumë komente, lidhur me këtë ngjarje, sepse e shohim qartë mësimin, që nxjerrim prej saj: “Sepse unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen gjithashtu nga ana ime” (1 Samuelit 2:30) dhe “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti” (Romakëve 12:19).

Mbrapa

Advertisements