Perëndia e bën (punën e shenjtërimit) nëpërmjet dedikimit (ndarjes nga bota)

“Prandaj ‘dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t`ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm’” (2 Korintasve 6:17-18).

Parathënie
Perëndia e përdor dedikimin (ndarjen tonë nga bota) për të na sjellë drejt shenjtërimit. Kjo, pa dyshim, do të thotë se ne duhet të jemi të përkushtuar dhe të dedikuar ndaj Zotit në çdo mënyrë. Duhet ta kuptojmë gjithashtu se shenjtërimi nuk është vetëm largim nga mëkati, por gjithashtu është afrim drejt Perëndisë.

Largimi (ose ndarja)
Dedikimi fillon me ndarje. Fjala ‘ndarje’ do të thotë ‘të largohesh nga bota’ për t’u përdorur nga Zoti. Kjo gjë sugjeron se Ai ka një plan të veçantë në mendje për atë që është ndarë, dhe për ne ky plan është i shenjtë. Kur një besimtar e ndan vetveten për Perëndinë, ai në fakt ia jep Atij të gjitha të drejtat e jetës së tij. Që nga ai moment, ai bëhet skllav i Krishtit. Duke ia ofruar jetët tona Perëndisë, ne deklarojmë se Ai është pronari absolut i frymës, shpirtit dhe trupit tonë. Për këtë gjë apeloi edhe apostulli Pal, kur shkroi: “ O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). Kjo është gjithashtu arsyeja që besimtarët quhen “populli i veçantë i Perëndisë” (1Pjetrit 2:9). Shkrimet e Shenjta na thërrasin të ecim në shenjtëri, sepse nuk i përkasim më vetvetes. Jemi blerë me një çmim dhe duhet të lavdërojmë Perëndinë në trupat tanë. Si mund të deklarojmë se jemi një popull i ndarë nga bota dhe i ndarë për përdorim nga Mjeshtri, kur në të njëjtën kohë nuk ecim në shenjtëri?

Perëndia nuk na detyron të ndahemi me forcë nga bota
Edhe pse Perëndia vërtetë na ka blerë përmes mëshirës dhe dashurisë së Tij, Ai nuk na detyron të bëhemi të shenjtë apo të ndahemi me forcë nga bota. Ai nuk pranon asgjë tjetër prej nesh përvese një dhurate vullnetare. E megjithatë, Ai na do më shumë se sa ç’mund ta imagjinojmë ne në këtë botë. Është privilegj të jesh femijë i Perëndisë së shenjtë. Por, kur shikojmë gjendjen tonë të tanishme, nuk arrijmë dot ta fshehim pavlefshmërinë tonë. Ç’farë rezultati do të arrijë Perëndia, nëse Ai na shtyn të bëhemi të shenjtë me forcë? A do Ai vërtet që ne të jemi robotë të bindshëm?

Dhurimi i vetvetes
Kur bëjmë fjalë për dedikimin, ne i referohemi domosdoshmërisë për t’ia dorëzuar tërë jetën tonë Krishtit. Po, është e vërtetë që kjo gjë duhet të bëhet me besim, por, pa dyshim, kjo gjithashtu duhet të vihet në praktikë! T’ia japësh jetën tënde Atij, nuk do të thotë të ecësh me sy mbyllur, apo të hidhesh në errësirë nga shkëmbi në humnerë. Përkundrazi, do të thotë se ne kemi besim të plotë se Zoti ynë i Drejtë do ta pranojë dorëzimin tonë. 

T’ia “ofrojmë veten Perëndisë”, do të thotë ta vëmë jetën tonë në duart e dashura të Atit tonë Qiellor, dhe që nga ai moment, mund të shijojmë trashëgiminë e plotë që Ai ka siguruar për bijtë e Tij. Nuk duhet të ketë më kthim mbrapa, nëse ia dorëzojmë jetën Atij, por duhet të lejojmë Perëndinë ta realizojë vullnetin e Tij tek ne. Vetëm Ai ka mençurinë e pafundme për të na dhënë formë e për të na kthyer në enë nderi… “Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 2:21). 

A nuk na vjen turp?
A nuk na vjen turp që kemi hezituar dhe kemi pritur kaq shumë për t’iu dorëzuar Zotit? Nëse kemi arritur deri në atë pikë, ku nuk dëshirojmë gjë tjetër nga Perëndia përveçse shenjtërimit të plotë, atëherë duhet të përulemi para Atij si një olokaust (sakrificë) e plotë për Zotin dhe të thërrasim:

Merrma jetën time të mjerë dhe mbaje përgjithmonë 
të mbyllur ndaj të tjerëve, por jo ndaj Teje.
Vulose zemrën time dhe më ler përgjithmonë
të mbaj brenda saj betimin Tënd të dashurisë.

Deri tani, ne i kemi ndrequr jetët tona me akte adhurimi dhe mirësie; e kemi lavdëruar vetveten, duke thënë se jemi të Krishterë të bindshëm. Por, kur e vërteta e shenjtërimit ndezi flakë pjesët e errta dhe sekrete të zemrës sonë, atëherë u habitëm me gjendjen tonë të vërtetë. Tani na vjen turp për rebelimin dhe hipokrizinë tonë.

Përfundim
Jezus Krishti është kreu dhe plotësonjësi i besimit tonë (Hebrenjve 12:2). Ai dëshiron që ne t’ia dorëzojmë jetët tona vullnetit të Tij. Ai dëshiron gjithashtu që të heqim dorë plotësisht nga çdo e ligë e njohur dhe të rritemi me shtat të plotë, ashtu siç duhet të rritet do besimtar… “derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:13). Shenjtërimi është një nga metodat që përdor Perëndia për t’i reflektuar botës hirin dhe lavdinë e Tij. Është koha që populli i Perëndisë të jetë një popull i ndarë (nga bota), një popull i dedikuar dhe i përkushtuar ndaj Tij.

Mbrapa

Advertisements