Perëndia e bën (punën e shenjtërimit) nëpërmjet Fjalës

“Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova” (Gjoni 15:3).

Parathënie
Xhon Ueslli, duke komentuar mbi këtë varg, shkroi: “Ju jeni të pastër – Të gjithë ju, të cilëve po ju flas tani, jeni të pastruar nga faji dhe fuqia e mëkatit, me anë të fjalës, e cila, kur përdoret nga Fryma e Shenjtë, është mjeti i madh i pastrimit të shpirtit”.

Një e vërtetë shumë e rëndësishme
Besimi ynë në Perëndinë, në punën e përfunduar të Krishtit mbi kryq, dhe në banesën e Shpirtit të Shenjtë brenda nesh, është besim i vërtetë, sepse ne i besojmë fjalës së shkruar të Perëndisë… “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17). Duke e fshehur fjalën e Tij në zemrat tona, duke ia përshtatur premtimet e Tij situatave tona, dhe duke e përdorur këtë fjalë për t’i rezistuar djallit, atëherë do të mund t’ia arrijmë qëllimit të shenjtërimit… “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11). 

Pasi t’i kemi hedhur hapat tanë bazuar në premtimet e Perëndisë dhe t’i kemi lënë pas të gjitha ato gjëra që na mbajnë të lidhur me botën, atëherë Perëndia ka një punë të mëtejshme për të bërë tek ne përmes fjalës së Tij.

Fjala e Garancisë (ose e Vërtetimit)
Këtë proçes mund ta quajmë: “vulosja me fjalën”. Perëndia gjithmonë i vë vulën punës së Tij me fjalën e Tij. Ka shumë raste të gjetura në Bibël, që ilustrojnë këtë. Ja, disa prej tyre:

    1. Profeti Isaia. Kur Isaia e kuptoi pavlefshmërinë e tij tek qëndronte para fronit të Perëndisë tre-herë të Shenjtë, ai thirri: “Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive” (Isaia 6:5). Ëngjëlli i preku buzët Isaias me një urrë zjarri të marrë nga altari dhe i tha: “”Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet” (Isaia 6:7).
    2. Gruaja me një fluks gjaku. Ajo erdhi dhe preku rrobën e Jezusit dhe “ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje” (Marku 5:29). Por Jezusi nuk deshi që ajo ta vinte besimin e saj tek ajo (mrekulli) që ndodhi, sepse përvojat (mrekullitë) fishken shpejt. Përkundrazi, Ai donte që ajo të besonte një fjalë garancie (vërtetimi) prej Tij. Dhe Ai i tha asaj: “Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” (Marku 5:34). 
    3. Lebrozi. Ai e kërkoi Zotin nga dëshpërimi. E megjithatë, ai akoma kishte besim në fuqinë e Krishtit. Jezusi e preku dhe ai u shërua nga sëmundja e lebrozës, por Jezusi gjithashtu i tha atij edhe fjalën që e vërtetoi (garantoi) këtë gjë: “Po, dua, qofsh pastruar!” (Marku 1:41). 
Në të gjitha këto raste, mrekullia u vulos me fjalën e folur nga Shpëtimtari. A nuk duhet ta dëshirojmë edhe ne një vërtetim të tillë?

Ejani duke besuar
“Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen”, për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20).

Eja tek Perëndia me guxim; prit me përulje; beso me sinqeritet; merr prej Tij pa frikë. Por, kur i ke bërë të gjitha këto, prit që Ai ta vulosë (ose ta vërtetojë) punën e Tij nëpërmjet fjalës së Tij. 
Këto fjali të shkurtra më poshtë janë bërë bekim për shumë njerëz:

Atë që i jap unë Zotit, Ai e merr.
Atë që Ai e merr, Ai e pastron.
Atë që Ai e pastron, Ai e mbush.
Atë që Ai e mbush, Ai e vulos.
Atë që Ai e vulos, Ai e përdor. 

Përfundim
Është besimi ynë, dhe jo të kuptuarit tanë, që na drejton ngadalë, por me siguri në Rrugën Kryesore të Shenjtërisë. Dhe ndërkohë që ecim në këtë rrugë, ne mund të besojmë në premtimin e Tij dhe të presim fjalën, që e vërteton këtë. Mund të ketë lotë dhe stuhi gjatë rrugës, por Perëndia gjithmonë vendos ylberin në qiell pasi të ketë rënë shi. Ji i përkushtuar që të ecësh me besim, teksa ndjek thirrjen e shenjtërimit. 

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6).
Thjesht besoji Perëndisë që ta kryejë punën e shenjtërisë tek ti!

Mbrapa

Advertisements