Perëndia e deshi aq botën

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16-17).

Parathënie
Pak besimtarë e marrin mundimin t’i studiojnë doktrinat e Fjalës së Perëndisë dhe për këtë arsye, ata nuk e kuptojnë pse duhej që të vdiste Zoti Jezus Krisht mbi kryq. Ne duhet ta kuptojmë dashurinë e Perëndisë, në mënyrë që t’i vlerësojmë shlyerjen e fajit dhe arsyet e ardhjes së Tij.

Perëndia është dashuri
Tek 1 Gjonit 4:8 dhe tek 1 Gjonit 4:16, apostulli Gjon deklaron se “Perëndia është dashuri”. Kjo do të thotë se natyra (karakteri) i Perëndisë është dashuri, se Ai është sakrifikues dhe e jep Veten e Tij për botën, se Ai është mëshirëplotë dhe i dhembshur ndaj të gjithëve. Këtë fakt na e bën të qartë edhe Gjoni 3:16.

Sa herë që përmendet dashuria e Perëndisë në Bibël, do ta vërejmë se kjo dashuri ka të bëjë me Perëndinë, i cili i jep diçka njerëzimit. Vargjet e mëposhtme janë shembull i kësaj dashurie: 1 Gjonit 4:10, Romakëve 5:8 dhe Galatasve 2:20.

Drejtësia e Perëndisë 
Dashuria në vetvete nuk mund ta çlirojë besimtarin nga hekurat e mëkatit apo nga ndëshkimi për mëkatin. Perëndia me të vërtetë e do të gjithë botën dhe “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim”(2 Pjetrit 3:9). E megjithatë, duhet të plotësohen kërkesat e ligjit. Mëkatari nuk mund të ketë shoqëri me Perëndinë e shenjtë, edhe pse fakti qëndron se Perëndia e do atë. Por, po ta pranojë Perëndia mëkatarin vetëm në bazë të dashurisë së Tij, atëherë Perëndisë do t’i duhet të kompromentojë drejtësinë e Vet.
Mos ta harrojmë se i ofenduari në këtë mes është vetë Perëndia dhe ne duhet të pajtohemi me Të. Njeriu nuk është në gjendje t’i afrohet Perëndisë së gjallë, për shkak të mëkatit të tij. Atëherë vetë Perëndisë i duhej të gjente një rrugë për ta bërë të mundur pajtimin, por pa e prishur ligjin e Tij të drejtë. Duhej një ndërmjetës, jo i ardhur nga njerëzit apo nga engjëjt (Hebrenjve 1), por vetë Biri i vetëmlindur i Perëndisë (1 Timoteut 2:5). Jezusi i plotëson të gjitha kërkesat e Perëndisë. Ai pagoi çmimin, që nuk mund ta paguante askush (1 Timoteut 2:6; Romakëve 3:25-26). Prandaj shfajësimi (justifikimi) ynë është pjesë e dhuratës falas së dashurisë së përsosur të Perëndisë. Ky shfajësim iu jepet të gjithë njerëzve nëpërmjet shlyerjes së fajit. 

Përfundim
Tek studiojmë shlyerjen e fajit, do të vëmë re edhe arsye të tjera të vdekjes sakrifikuese së Zotit tonë Jezus Krisht. Në këtë studim, kemi parë se si Perëndia e deshi aq shumë botën, saqë dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur, që të shlyente mëkatin tonë. Krishti është manifestimi i kësaj dashurie dhe plotësimi i të gjitha kërkesave të drejta të ligjit. Shpëtimi nuk vjen nëpërmjet asnjë lloj rruge tjetër, përveçse nëpërmjet gjakut të Tij.

Mbrapa

Advertisements