Perëndia është gjithmonë i përpiktë

Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë:“Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit ”. Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në eksistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit, për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi, ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë. Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë:se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim. Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.” (2 Pjetrit 3:3-10).

Parathënie

Të shumtë janë ata, që e hedhin poshtë faktin se Krishti ka për t’u kthyer një ditë përsëri në tokë. Pjetri na vë në dukje sidomos ata, që nuk kanë dijeni fare për këtë çështje. Njerëz të tillë nuk e vrasin fare mendjen për ta lexuar Biblën. Lavdi Zotit që ka nga ata, që duan të dinë më shumë rreth ardhjes së dytë të Krishtit dhe që përpiqen t’i kuptojnë arsyet se përse nuk po bëhet akoma realitet një premtim i tillë. Le të mos harrojmë se Zoti punon me plan dhe ka për të ardhur tamam në kohën e duhur. Derisa të ndodhë kjo, nuk kemi për ta ditur as ditën, as orën e ardhjes së Tij. “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im” (Mateu 24:36). Na duhet ta presim, pra, në çdo moment ardhjen e Tij. “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj” (Mateu 24:42). Tek Pjetri 3:8 na thuhet se, kur vjen puna tek ardhja e Krishtit, orari ynë mund të mos jetë i njëjtë me orarin e Perëndisë. Ndaj, si mund të jemi të sigurtë se Ai ka për t’u kthyer pikërisht në kohën e duhur?

Zoti i mban premtimet

Zoti nuk vonon, qoftë edhe për një moment të vetëm, por e bën realitet atë që premton. Nëse Ai thotë diçka, le t’i zëmë besë fjalës së Tij. A nuk i ka mbajtur Ai premtimet gjatë gjithë historisë njerëzore? Po t’iu hedhim një sy premtimeve, që kanë të bëjnë me ardhjen e parë të Krishtit, e shohim se të gjitha ato janë përmbushur. 1. Lindja e virgjër: “Prandaj vet Zoti do t ‘ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” (Isaia 7:14). 2. Jezusi do të ishte Mesia hyjnor: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive” (Isaia 9:6-7). 3. Ai do të vuante dhe do të vdiste për mëkatarët: “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:5-6). Ai do të ringjallej prej së vdekuri: “Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë” (Luka 24:6-7).

Duke i ditur të gjitha këto, pra, a nuk mund t’i zëmë besë Atij, se ka për t’i mbajtur edhe premtimet e tjera lidhur me ardhjen e Tij të dytë? “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t ‘ju thoja. Unë po shkoj t’ ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t ‘ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3).

Zoti shfaq durimin e Tij

Sa kohë priti bota që të vinte Krishti për herë të parë? Kaluan 4 mijë vjet që nga koha e Adamit e deri tek lindja e Jezusit. Pa mendoni rreth gjithë atyre profecive, nga Zanafilla 3:15 e deri tek Malakia! Profetët parashikuan ngjarjen e lavdishme, por tokës i duhej të priste orën e Perëndisë. Dhe, më në fund, tamam në momentin e duhur, Krishti lindi. “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë” (Galatasve 4:4-5).

Pse priti kaq gjatë Zoti për ta dërguar Birin e Vet si Shpëtimtarin tonë? Gjatë gjithë atyre 4 mijë vjetëve, Ai na tregoi sesa i duruar ishte me njerëzimin, sepse, edhe pse ishte dhënë premtimi i ardhjes së Mesias, prapëseprapë Zoti po iu lutej mëkatarëve që të ktheheshin tek Ai, të penduar e me besim. Ai iu dha njerëzve kohë për t’u kthyer prej mëkatit dhe për të ecur në rrugën e Tij. Prandaj edhe Jezusi erdhi në momentin, kur Perëndia kishte rast për ta shkatërruar botën me zemërimin e Tij. Hiri i Zotit iu bashkangjit durimit të Tij. Pjetri na thotë se Perëndia vazhdon të jetë i duruar me mëkatarët. I thërret ata, që të vijnë tek Krishti për shpëtim, por një ditë durimit të Tij ka për t’i ardhur fundi. Atëherë Krishti ka për të zbritur në tokë, për t’i marrë me Vete të gjithë ata që kanë vendosur për ta ndjekur dhe toka dhe gjithçka në të ka për t’u shkatërruar.

Pse kanë kaluar mbi 2 mijë vjet, që nga koha kur na u premtua ardhja e dytë e Krishtit? Perëndia nuk po vonon, ngaqë nuk e di se kur të vijë! Ajo ngjarje është e shënuar në kalendarin e Tij. Ai e ka paracaktuar kohën, ndaj, ndërkohë që ne presim ardhjen e Tij, Ai po i thërret mëkatarët për t’u penduar. Pa mendoni pak: po qe se Jezusi do të kishte ardhur në momentin para se ne të pendoheshim, atëherë do ta kishim kaluar tërë përjetësinë në Ferr, jo në Parajsë! Ah, ç’gjë e mrekullueshme është durimi i Perëndisë! 2 mijë vjet, pra, nuk janë vonesë, por ditë ungjillizimi.

Përfundim      

Po, po afron fundi i botës, por kjo nuk ka për të ndodhur derisa të kthehet Krishti. E deri atëherë, na është ngarkuar detyra për t’i thirrur mëkatarët tek Shpëtimtari. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20). Deri atëherë, na është dhënë kohë, për t’i besuar Zotit, për t’i shërbyer dhe për t’iu bindur Atij. Jezusi ka për t’u kthyer tamam në kohën e duhur. A do të jemi gati për ta takuar.

Mbrapa