Perëndia ynë besnik

“Por Zoti është besnik, dhe ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i ligu” (2 Thesalonikasve 3:3).

Parathënie

Në këtë pasazh biblik, Pali shkruan fjalë inkurajuese, në lidhje me besnikërinë e Perëndisë. Është e vërtetë se “jo të gjithë kanë besim” (2 Thesalonikasve 3:2), por Perëndia ynë është përjetësisht besnik. Atij mund t’i zihet besë ngahera, për të na drejtuar e për të na udhëhequr drejt së vërtetës. Në komentimin që i bën këtij vargu, Dhiata e Re e Popullit thotë kështu: “Njerëzit mund të tregohen të pabesë, por Zoti i qëndron besnik çdo premtimi dhe, sado që të ligët të mundohen të na bëjnë keq, Ai do të na mbrojë nga e liga”.

Perëndia është besnik dhe na forcon

Kjo do të thotë se besnikërisë së Tij nuk i vjen kurrë fundi. Ai është përjetësisht besnik ndaj atyre, që janë të shpëtuar nëpërmjet gjakut të Krishtit. “Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë” (1 Korintasve 1:9). Perëndia na bën, që të qëndrojmë të fortë në besim, pavarësisht nga vuajtjet dhe persekutimi, që mund të përjetojmë. “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën” (1 Pjetrit 4:19). Një nga shprehjet më të famshme të adhurimit drejtuar besnikërisë së Perëndisë ka dalë nga goja e profetit Jeremia: “Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote. “Zoti është pjesa ime,” thotë shpirti im, “prandaj do të kem shpresë tek ai” (Vajtimet 3:22-24). Davidi, po ashtu, këndoi: “O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë” (Psalmi 36:5).

Perëndia është besnik dhe na ruan

Zoti do të na ruajë nga planet dhe kurthet e liga të Satanait, pavarësisht se të ç’natyre mund të shfaqen ato. Në këtë botë, ka plot gjëra, që mund të na e grabisin besimin, që kemi në Krishtin. Por, pak rëndësi ka se sa herë na sulmon djalli. Perëndia na jep fuqinë për të qenë çdo herë fitimtarë. “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13). Mëkati, që shpesh na e sundon jetën dhe na bën të ndihemi të rënduar nën peshën e gjykimit, është gjithashtu një e ligë, nga e cila na ruan Perëndia. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Mateo Henri ka thënë: “E liga e mëkatit është e liga më e madhe. Por ka edhe të liga të tjera, nga të cilat na duhet të ruhemi. Marrim kurajo, për t’u mbështetur tek hiri i Perëndisë për mbrojtje”.

Perëndia është besnik, ndaj të gjithë atyre, me të cilët ka zënë marrëveshje. “Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij” (Ligji i Përtërirë 7:9). Kjo do të thotë se Ai është i përkushtuar ndaj së mbajturit të premtimeve, që na ka bërë: “Por Perëndia është besnik; fjala jonë ndaj jush nuk ka qenë po dhe jo” (2 Korintasve 1:18)… “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23). E shohim, pra, se Perëndia është besnik, për shkak të punës së përfunduar të Krishtit në kryq, e jo si pasojë e ndonjë pune apo vepre, që kemi bërë ne. “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen,” për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20). Po të mos ishte kështu, atëherë si do të mund të ishim të sigurtë, nëse Perëndia na ka falur vërtet apo jo, e nuk na ka mallkuar në ferr? Ndaj edhe dëshmojmë, bashkë me Palin: “Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë” (2 Timoteut 1:12). Fjalët e Zotit Jezus, drejtuar dishepujve të Tij, mund t’iu drejtohen gjithashtu edhe të gjithë atyre, që e ndjekin Atë besnikërisht: “Kur isha me ata në botë, unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi” (Gjoni 17:12). Prandaj, pra, duhet t’i besojmë Atij, që quhet “Besnik dhe i vërtetë” (Zbulesa 3:14, shiko gjithashtu 19:11 dhe 22:6).

Përfundim

Perëndia ynë nuk është vetëm një Perëndi, që na shpëton, por gjithashtu edhe një Perëndi, që na mbron e na ruan nga çdo e ligë në këtë botë. Satanai, kundërshtari ynë “sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetrit 5:8). Por, kurrë nuk do të mundemi, kur i besojmë Zotit: “Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua” (Psalmi 41:11)… “Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen” (Mateu 6:13)… “Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen” (Judës vargu 24-25).

Mbrapa

Advertisements