Perets-Uzahu

“Davidi i mblodhi përsëri gjithë burrat më të zgjedhur të Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë veta. Pastaj u ngrit dhe shkoi me gjithë popullin që ishte me të nga Baale e Judës, për të transportuar që andej arkën e Perëndisë me vete emrin e Zotit të ushtrive, që rri midis kerubinëve. Dhe e vendosën arkën e Perëndisë mbi një qerre të re dhe e hoqën nga shtëpia e Abinabadit që ishte mbi kodër; Uzahu dhe Ahio, bij të Abinadabit, ngisnin qerren e re. Kështu e hoqën arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte mbi kodër, dhe Ahio ecte përpara arkës. Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit u binin para Zotit lloj lloj veglash prej druri të selvisë, qesteve, harpave, dajreve, sistrave dhe cembaleve. Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzahu zgjati dorën drejt arkës së Perëndisë dhe e mbajti atë, sepse qetë u penguan. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Uzahut, dhe Perëndia e goditi për fajin e tij; ai vdiq në atë vend pranë arkës së Perëndisë. Davidi u trishtua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull, duke goditur Uzahun. Kështu ai vend u quajt Perets-Uzah edhe sot e kësaj dite. Davidi pati frikë atë ditë nga Zoti dhe tha: “Si mund të vijë tek unë arka e të Zotit?”” (2 Samuelit 6:1-9).

Parathënie

Davidi e kishte kuptuar se Arka e Besëlidhjes duhet të vendosej në kryeqytetin e ri të Izraelit, ndaj edhe u përpoq për ta sjellë atë në Jeruzalem. Arka përfaqësonte praninë e Perëndisë mes popullit të Tij. “Aty unë do të të takoj, nga lart, mbi pajtuesin, midis dy kerubinëve që janë mbi arkën e dëshmisë” (Eksodi 25:22). Për 20 vjet me rradhë, Arka kishte qenë në shtëpinë e Abinadabit në Kiriath-Jearim, ndaj edhe ka mundësi që izraelitët ta kishin harruar e ta kishin lënë atë fare pas dore, edhe pse e dinin se ku ishte. Davidi kishte dëshirë ta bënte Arkën përsëri si qendër të adhurimit në tabernakull.

Një ide e mirë

Davidi i bëri të gjitha përgatitjet e duhura për ta sjellë Arkën e Besëlidhjes nga Baale e Judës (ose Kiriath-Jearimi) në Jeruzalem. “Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë së Izraelit: “Në qoftë se kjo ju duket e mirë dhe në se na vjen nga Zoti, Perëndia ynë… ta sjellim përsëri arkën e Perëndisë tonë te ne, sepse nuk e kemi kërkuar në kohën e Saulit”. Tërë asambleja pranoi të vepronte kështu, sepse kjo gjë dukej e drejtë në sytë e tërë popullit. Atëherë mblodhi tërë Izraelin nga Shihori i Egjiptit, deri në hyrje të Hamathit, për ta sjellë përsëri arkën e Perëndisë nga Kiriath-Jearimi. Pastaj Davidi me tërë Izraelin u nis në drejtim të Baalahut, domethënë në drejtim të Kirjath-Jearimit” (1 Kronikasve 13:2-6). Davidi, pra, i kishte rigjallëruar njerëzit dhe i kishte bërë ata, që t’i luteshin përsëri Perëndisë. Të gjithë tani kujtonin se ishte një ide e mirë ta merrnin Arkën e ta sillnin pranë vetes. Davidi donte që t’iu nguliste njerëzve në zemër faktin se Zoti ishte Mbreti i vërtetë i Izraelit.

Mori me vete 30.000 vetë, me qëllim që ta mbronin Arkën prej filistenjve, të cilët e kishin vjedhur njëherë, por kishin vuajtur pasoja të rënda për këtë veprim (shiko 1 Samuelit 5:1-6:12). Ushtarët e Davidit mund të kenë ardhur aty ndoshta edhe për t’i shpërndarë turmat e njerëzve, që të mos i afroheshin shumë Arkës e të mos bëhej ndonjë trazirë.

Ideja e keqe

Davidi dhe ndihmësit e tij nuk morën parasysh diçka. Metoda që kishin zgjedhur, për ta transportuar Arkën për në Jeruzalem, ishte e gabuar. Vërtet mund t’i mbanin nën kontroll turmat e njerëzve, por kafshët (qetë në këtë rast) janë më vështirë për t’u kontrolluar. Për më tepër, Davidi nuk i kishte qëndruar besnik metodës së urdhëruar prej Perëndisë, lidhur me transportimin e Arkës. Ishin Kehathitët ata, e jo qetë, që e kishin për detyrë që ta mbanin Arkën mbi supe. “Këto janë gjërat nga çadra e mbledhjes të cilat bijtë e Kehathit duhet të trasportojnë” (Numrave 4:15)… “Por bijve të Kehathit nuk u dha asgjë, sepse ishin ngarkuar me shërbimin e objekteve të shenjta, që ata i mbanin mbi shpatulla” (Numrave 7:9). Ka mundësi që Davidi t’i kishte thirrur Kehathitët, që ta ngrinin Arkën e ta vinin mbi qerre. Askush tjetër nuk mund të vepronte dot kështu, sepse do të vdiste në vend. Metoda e “re” e Davidit dështoi, që në momentin kur Arka u vendos në “qerren e re”. Mos kujtoi, vallë, Davidi se Perëndia e kishte zbutur Ligjin e Vet, që nga koha kur Arka u kthye prej filistenjve në Jeruzalem? “Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrihni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre. Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre” (1 Samuelit 6:7-8). Filistenjtë aq dinin rreth Arkës, por izraelitëve nuk iu falej. Ata e dinin mirë urdhërimin e Perëndisë. “Ky ishte një veprim i nxituar dhe i pagjykuar mirë, në kundërshtim me urdhërimin e shprehur” (nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). Qerrja e re mund të dukej mirë e bukur nga ana e jashtme, por fjala e Perëndisë nuk mund të ndryshohet.

Haresë dhe gëzimit i erdhi fundi, sapo “qetë u penguan”, duke e rrëzuar Arkën në lëmin e Nakonit (1 Kronikasve 13:9). Ky lëm ishte një terren i mbuluar me gurë, ndaj edhe mund të ketë qenë gunga-gunga. Fatkeqësisht, Uzahu kujtoi se mund ta mbante Arkën me dorë, që të mos rrëzohej, ndaj edhe e preku. Ky vërtet që ishte një reagim i pavetëdijshëm, por, prapëseprapë, ishte një ide e keqe. Teksti në hyrje të këtij studimi na thotë se Uzahu bëri faj, d.m.th. mëkatoi. Kjo ngjarje na e bën edhe të qartë faktin shpirtëror, që thotë se “paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Mos, vallë, Uzahu ishte mësuar ta shikonte Arkën në shtëpinë e vet aq shumë, saqë i kishte harruar fare rregullat? Mos, vallë, e kishte harruar se ç’i kishte ndodhur herën e fundit atij, që kishte guxuar ta prekte Arkën? “Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe” (1 Samuelit 6:19). “Ja, pra, këtu e shohim se sa e rrezikshme është t’iu shkosh pas ideve, apo qëllimeve të mira, apo t’i shërbesh Perëndisë, pa e marrë parasysh fjalën e Tij” (Bibla Studimore e Gjenevës).        

Përfundim   

Perëndia është i shenjtë dhe nuk e ndërron vullnetin e Tij, thjesht ngaqë dikujt i lind një ide e mirë për t’i shërbyer Atij. “Zoti, Perëndia ynë, hapi një të çarë midis nesh, sepse nuk e kishim kërkuar sipas rregullave të caktuara” (1 Kronikasve 15:13). Kjo ngjarje e frikësoi shumë Davidin dhe popullin. Të paktën, në këtë mënyrë ata e kishin kuptuar mirë shenjtërinë absolute të Zotit. Si përfundim, i bëjmë pyetje vetes se me kë u trishtua Davidi: me Perëndinë, me Uzahun, me priftërinjtë, apo me veten? Ndoshta i erdhi inat me veten, që nuk e kishte marrë mirë parasysh këtë çështje, sidomos metodën e duhur të transportimit të Arkës. Prandaj edhe Davidi e mori vetë përgjegjësinë për atë, që ndodhi. Të thyerit e ligjit të Perëndisë të çon gjithmonë drejt shkatërrimit. Por të nderuarit e këtij ligji sjell si rezultat bekime, ashtu siç do ta shohim edhe në studimin e ardhshëm.

Mbrapa

Advertisements