Përgatitja për përjetësinë

Përgatitu të takosh Perëndinë tënd” (Amosi 4:12).

Parathënie                           

Të shumtë janë ata njerëz, që shpresojnë se një ditë kanë për të shkuar në Qiell, por, në fakt, nuk kanë bërë asnjë përgatitje për të arritur në një destinacjon të tillë. Po ne, a po përgatitemi për përjetësinë? Me përjashtim të pranimit të Krishtit si Shpëtimtar, nuk ka asnjë ngjarje tjetër më të rëndësishme në kalendarin e një besimtari sesa dita kur ai/ajo do të takohet ballë për ballë me Zotin. A e presim, pra, me padurim një takim të tillë, apo kemi ankth dhe frikë? Duam apo s’duam, të gjithëve na është caktuar dita, kur do ta takojmë Perëndinë. “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27)… “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10). Na duhet një jetë e tërë që të shkojmë në Qiell – askush nuk shkon atje aksidentalisht. Krishti e ka përgatitur parajsën për njerëzit e përgatitur!

Një paralajmërim serioz për Izraelin

Gjatë mbretërimit të Jeroboamit II-të (793-753 para Krishtit), fiset në veri të Izraelit kishin begati të madhe. Po jetonin me të vërtetë një jetë të bekuar, por shumë shpejt e harruan Zotin dhe filluan të mos i bindeshin Atij. U bënë më të këqij sesa kombet pagane, që i rrethonin. Kujtonin se ishin në rregull, ngaqë i ndiqnin shërbesat fetare në Tempull, por kjo ishte thjesht sa për sy e faqe. Nuk iua vinin veshin priftërinjve, ndaj edhe fjala e Perëndisë nuk iu kishte ndikim në zemër. Feja e tyre ishte thjesht sipërfaqësore.

Perëndia kishte të drejtë të inatosej me popullin e Tij. U mundua t’iua tërhiqte vëmendjen, duke iu dërguar fatkeqësi të ndryshme natyrore, por më kot (Amosi 4:6-11). Ngaqë Ai është një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, Ai iu dërgoi profetin Amos, që t’i thërriste që të pendoheshin. Amosi iu tha se duhet të përgatiteshin për të takuar Perëndinë. Fatkeqësisht, ata nuk pranuan ta dëgjonin, ndaj edhe në vitin 721 para Krishtit, Zoti i ndëshkoi, duke e lejuar ushtrinë e Asirit që t’i pushtonte.

Një paralajmërim serioz për kishën

Një paralajmërim i tillë iu bë dikur një populli të lashtë, por mesazhi i tij është po aq i vlefshëm sot, saç ishte edhe atëherë. Të krishterët e brezit të sotshëm kujtojnë se janë fetarë, ndaj edhe kanë për të shkuar në Qiell. Kishat e sotshme janë kthyer në klube shoqërore dhe fjala e Perëndisë ose neglizhohet, ose nuk merret seriozisht. Le të mos e harrojmë faktin se ajo që i ndodhi Izraelit, mund të na ndodhë edhe neve, po qe se nuk pranojmë për ta dëgjuar zërin e Zotit. “Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë” (Romakëve 15:4). E si mund të mendojmë se Perëndia nuk ka për të na kërkuar llogari, kur nuk përgatitemi për ta takuar? Për shembull, po ta lexojmë Mateun, kapitullin 25-ë, do të gjejmë tre paralajmërime rreth domosdoshmërisë për të qenë gati në çdo çast: 1) Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave (vargjet 1-13); 2) Shëmbëlltyra e talentave (vargjet 14-30); 3) Ndëshkimi që po vjen (vargjet 31-46). A e kemi harruar me dashje ç’na tha Jezusi? “Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mateu 24:44). Tek Titit 2:12-13, apostulli Pal shkroi kështu: “Dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht”. Ndaj “si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh?” (Hebrenjve 2:3).

Pavarësisht nga këto paralajmërime, shumica e të krishterëve jetojnë sikur nuk e kanë njohur ndonjëherë Krishtin. Nuk e çajnë kokën, nëse i binden apo jo fjalës së Tij. Iua vënë veshin atyre që iu thonë se janë përjetësisht të shpëtuar, ngaqë e kanë bërë dikur lutjen e mëkatarit. I urrejnë ata, që iu thonë të heqin dorë prej jetës mëkatare dhe t’i shkojnë pas shenjtërisë dhe drejtësisë. A nuk është i vlefshëm, pra, mesazhi i Amosit edhe për ne sot? Le të mos iua bëjmë me gisht të tjerëve, por t’i hedhim sytë tek vetja jonë. A jemi gati ne për ta takuar Perëndinë? Nëse duam që të përgatitemi, atëherë duhet të përgatitemi ashtu siç na thotë Ai. “Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet, me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë” (2 Pjetrit 1:3-4).

Nëse me të vërtetë duam që të përgatitemi për ta takuar Perëndinë, atëherë ka disa gjëra kryesore, që duhet t’i bëjmë përpara një takimi të tillë. Duhet të kemi në zemër besim tek Perëndia. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Duhet të pendohemi përpara Zotit për çdo mëkat, që e dimë se e kemi bërë, sepse Perëndia “i urdhëron të gjithë njerëzit kudo që të pendohen” (Veprat e Apostujve 17:30). Duhet të jemi të gatshëm për t’iu treguar të tjerëve rreth Krishtit. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20). Duhet t’ia përkushtojmë besnikërisht jetën shërbesës së Perëndisë. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). 

Përfundim                                                                               

Nuk ka qëllim më të madh në jetë, sesa t’i shërbesh Krishtit në çdo moment të jetës, derisa Ai të të thërrasë në praninë e Tij, ose të vijë Vetë për të të marrë në Qiell. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm – a jemi gati për ta takuar Perëndinë? Nëse nuk jemi gati, le të bëhemi gati! Vdekja po na afrohet, duam apo s’duam ne. Krishti ka për të ardhur, duam apo s’duam ne. Bëjmë mirë të jemi gati. “Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur!” (Zbulesa 19:7).

Mbrapa