Përgjigja e Saulit

“Kur Davidi mbaroi së thëni këto fjalë Saulit, ky i tha: “Ky është zëri yt, biri im David?”. Dhe Sauli ngriti zërin dhe filloi të qajë. Pastaj i tha Davidit: “Ti je më i drejtë se unë, sepse më ke bërë të mira, kurse unë të kam bërë të këqija. Ti sot tregove qe je sjellë mirë me mua, sepse Zoti më kishte lënë në duart e tua, por ti nuk më vrave. Kur, pra, një njeri takon armikun e tij dhe e lë të shkojë në paqe? Zoti të dhëntë të mira për atë që më ke bërë sot. Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua. Prandaj betomu në emër të Zotit që nuk do t’i vrasësh pasardhësit e mi pas meje dhe nuk do ta fshish emrin tim nga shtëpia e atit tim”. Davidi iu betua Saulit. Pastaj Sauli shkoi në shtëpinë e tij, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij u ngjitën në fortesë” (1 Samuelit 24:6-22).

Parathënie

Mbreti Saul mund ta kishte sulmuar dhe ta kishte mundur shumë lehtë Davidin dhe njerëzit e tij. Por, për një moment të vetëm, ai e kuptoi se Davidi ishte vërtet i vajosuri i Perëndisë, i zgjedhuri i Tij. E megjithatë, Davidi nuk u bind se gjendja emocionale e Saulit ishte provë, që tregonte se ai kishte ndryshuar thellë në zemër. Sauli nuk kishte ndryshuar aspak, por thjesht e kishte kuptuar se duhej t’i përshtatej rrethanave, në të cilat ndodhej.

Lotët

Davidi e kishte quajtur Saulin “ati im” (1 Samuelit 24:11). Prandaj edhe mbreti i përgjigjet, duke e quajtur Davidin “biri im”. Por situata mes këtyre dy personazheve nuk kishte ndryshuar aspak, sepse vetë historia na tregon se Sauli po fliste ç’t’i thoshte mendja, jo ç’t’i thoshte zemra.

Papritur e pakujtuar, Sauli fillon e qan. Mund ta imagjinojmë sesi ky veprim do t’i kishte prekur zemrat e të gjithë të pranishmëve. Por ky vajtim nuk prodhoi ndonjë pendim të vërtetë tek Sauli. Sauli qe bindur se ai vetë ishte fajtor për gjithçka. Por reagimi i tij ishte thjesht mishor, jo ngaqë e donte vërtet Davidin. Saulit i erdhi keq, që ishte zënë mat, duke mëkatuar kundër Davidit. Por atij nuk i erdhi keq për vetë mëkatin.

Dëshmia

Sauli e shfaqi hapur përpara të gjithëve se kishte gabuar ndaj Davidit. Por po t’i analizojmë fjalët e Saulit, do ta shohim sesi ai akoma vazhdon të kujtojë se s’kishte bërë ndonjë faj të madh, se ai vetë ishte i drejtë, ndonëse Davidi ishte pak më i drejë sesa ai. Siç e ka thënë edhe Mateo Henri, “Sauli duhej t’i ishte përgjigjur kështu Davidit: “Ti je i drejtë, kurse unë jam mëkatar”. Vini re, pra, se si Sauli e fsheh dëshirën e tij të ligë për ta vrarë Davidin pas fjalëve “unë të kam bërë të këqija”. Vërtet thotë se sjellja e tij ishte e gabuar, por nuk përmend aspak se ka mëkatuar jo vetëm kundër Davidit, por edhe  kundër Perëndisë.

Sauli nuk u përpoq fare për t’i vënë gjërat nëpër vijë, edhe pse e kuptoi se Davidi duhej të shpërblehej për drejtësinë, që kishte treguar ndaj mbretit. “Në një mënyrë hipokrite, ai e pa se Davidi ishte treguar i mirë, kurse ai vetë i ligë” (Gjon Uesli). Mund ta kishte nderuar Davidin, duke i dhënë atij tituj, pasuri, apo duke e vënë në fronin mbretëror. Por Sauli nuk vepron kështu. Ai përdor lajka. Për të, ajo që ka rëndësi tani, është fakti se ai është gjallë. Kështu pra, nuk është Sauli ai që e shpërblen Davidin. Por do të vijë dita, që vetë Perëndia ka për ta shpërblyer atë.

Atëherë Saulit i rrëshqet gjuha, kur ai nis dhe i tregon Davidit arsyen pse ai kishte kaq shumë vite, që po e ndiqte nga pas për ta vrarë. E dinte se po vepronte kundër vullnetit të Perëndisë. Sipas tij, Davidi do të bëhej mbret i Izraelit, po të mos vritej prej Saulit. Vini re se si ai thotë: “Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh”.

Shqetësimi

Tani që Sauli e kishte deklaruar se Davidi do të bëhej mbreti i ardhshëm i Izraelit, e kuptoi gjithashtu se atij i duhej t’iua siguronte jetën pasardhësve të vet. Ndoshta pati frikë se mos, vallë, Davidi do të merrte hak kundra familjes së Saulit, për të gjitha të ligat, që ai i kishte bërë. Këtu na shfaqet, pra, zemra e shqetësuar e një njeriu egoist. Në vend që ta bënte Davidin të betohej, mbreti vetë duhej t’i ishte betuar Davidit se nuk do ta ndiqte më.  

Përfundim

Davidi ishte njeri i besës. Ai i premtoi Saulit se do të vepronte ashtu siç dëshironte mbreti. Davidi nuk e kishte problem ta mbante një premtim të tillë, ngaqë të njëjtin premtim ia kishte bërë edhe Jonathanit, d.m.th. se do t’i dilte në mbrojtje familjes së tij. Por, a iu zuri, vallë, besë Davidi lotëve të Saulit? Fakti që të dyja palët u larguan në drejtime të ndryshme, na tregon se Davidi nuk i zuri besë aspak Saulit. “Davidi e kishte vënë re me dhjetëra herë paqëndrueshmërinë e Saulit, ndaj edhe nuk i zinte më besë atij” (Gjon Uesli). Sauli nuk i sugjeroi Davidit, që të kthehej në shtëpi, tek gruaja. Davidi e dinte se s’kishte për të patur kurrë siguri në praninë e Saulit. “Edhe pse tirani Saul e kuptoi dhe e rrëfeu faktin se Perëndia ishte me Davidin, prapëseprapë ndërgjegjen e kishte aq të ngurtë, saqë nuk hoqi dorë prej së persekutuarit” (citim i marrë nga Bibla Studimore e Gjenevës).

Mbrapa

Advertisements