Përgjigja mbretërore

Atëherë mbreti David shkoi dhe u ul përpara Zotit dhe tha: “Kush jam unë, o Zot, o Zot, dhe çfarë është shtëpia ime që më bëri të vij deri këtu? Por kjo ishte akoma një gjë e vogël në sytë e tu, o Zot, o Zot, sepse ti ke folur edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët; dhe ky është ligji i njeriut, o Zot, o Zot. Çfarë mund të të thoshte më tepër Davidi? Ti e njeh shërbëtorin tënd, o Zot, o Zot! Për dashurinë e fjalës sate dhe simbas zemrës sate ke bërë tërë këto gjëra të mëdha, me qëllim që t’ia bësh të njohur shërbëtorit tënd. Për këtë je i madh, o Zot, o Perëndi. Asnjeri nuk është si ti dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, me sa kemi dëgjuar me veshët tona. Dhe kush është si populli yt, si Izraeli, i vetmi komb mbi dhe që Perëndia erdhi ta shpengojë për vete si popullin e tij për të bërë emër dhe për të kryer për ty vepra të mëdha dhe të tmerrshme për tokën tënde përpara popullit tënd, të cilin e ke shpenguar për vete nga Egjipti, nga kombet e perëndive të tyre? Dhe ti ke vendosur për vete që populli yt i Izaelit, të jetë populli yt për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tij. Dhe tani, o Zot, o Perëndi, fjalën që ke thënë lidhur me shërbëtorin tënd dhe me shtëpinë e tij mbaje të qëndrueshme për gjithnjë dhe vepro ashtu si ke thënë, me qëllim që emri yt të lavdërohet përjetë dhe të thuhet: “Zoti i ushtrive është Perëndia i Izraelit”. Dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje! Sepse ti, o Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia ke treguar këtë shërbëtorit tënd, duke i thënë: “Unë do të ndërtoj një shtëpi për ty”. Prandaj shërbëtori yt pati guximin të të drejtojë këtë lutje. Dhe tani, o Zot, o Zot, ti je Perëndia, fjalët e tua janë të vërteta, dhe i ke premtuar këto gjëra të bukura shërbëtorit tënd. Prandaj tani prano të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, në mënyrë që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse ti, o Zot, o Zot, ke folur, dhe si pasojë e bekimit tënd shtëpia e shërbëtorit tënd do të jetë e bekuar përjetë!” (2 Samuelit 7:18-29).

Parathënie

Ndoshta profeti duhej të shqetësohej se si do të reagonte Davidi ndaj refuzimit, që i bëri Perëndia planit të tij. Por ai nuk kishte pse të frikësohej, sidomos kur e pa mbretin tek lutej. Davidi, në vend që të nxehej e të bëhej me nerva, si Sauli, u përul përpara Zotit. Dhjetë herë me rradhë në këtë lutje të tij, Davidi e konsideron veten si shërbëtor të Perëndisë. Kemi shumë se ç’të mësojmë prej këtij pasazhi biblik.

Davidi iu lut Perëndisë

Davidi u ul përpara Zotit, për t’iu lutur. Për Perëndinë, mënyra se si qëndrojmë kur lutemi, nuk ka shumë rëndësi, sepse ca njerëz ulen, kur luten; ca qëndrojnë në këmbë, kurse të tjerë bien në gjunjë. Por Zoti shikon zemrën. “Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme” (Psalmi 24:3-4). Ka mundësi që Davidi të ketë shkuar për t’u ulur në Tabernakull përpara Arkës së Zotit. Disa komentues të Biblës na sugjerojnë se ai, në fakt, u gjunjëzua përpara Zotit.

Në këtë lutje, Davidin nuk e shohim fare ta fajësojë, apo ta gjykojë Perëndinë. Përkundrazi, ai e pranon se Zoti është autoriteti përfundimtar në çdo situatë. Davidi gjithashtu reflekton rreth idesë se mund t’i ndërtonte një tempull Perëndisë. E pranon se kishte qenë Perëndia Ai, që e kishte vendosur në një pozitë të tillë: nga të qënit një bari delesh tek të udhëhequrit e një kombi. Mendimet, dëshirat dhe planet e tij ishin të parëndësishme në krahasim me vullnetin dhe qëllimet e Perëndisë së Shenjtë. Ja, pra, ku shohim një njeri, i cili është me të vërtetë i përulur përpara Zotit. Sa herë i japin këshilla besimtarët Perëndisë, kur luten, në vend që të jenë gati, për ta dëgjuar zërin e Tij! Kur Davidi u lut: “Vepro ashtu si ke thënë”, na bien ndërmend fjalët që tha Jezus Krishti, lidhur me mënyrën se si duhet të lutemi edhe ne: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mateu 6:9-10).

Davidi u lut si me besim, ashtu edhe me përulje, ngaqë besonte se Perëndia do ta mbante premtimin e Tij, lidhur me dinastinë e Davidit dhe me kombin e Izraelit. Ai, me gatishmërinë më të madhe, e pranoi refuzimin dhe me besnikërinë më të madhe, i vari shpresat tek premtimi i Perëndisë. Premtimet e Zotit gjithmonë bëhen realitet në jetën e atyre, që i binden fjalës së Tij. “Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët” (Psalmi 31:23)… “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23).

Davidi e lëvdoi Perëndinë

Lutja e Davidit përfshiu adhurimin dhe lëvdimin e Perëndisë. “Sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë” (Mateu 6:13). Ndoshta Jezusit iu kujtua një pjesë e lutjes së Salomonit, kur ia përkushtoi Zotit tempullin e premtuar: “Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka” (1 Kronikasve 29:11). E megjithatë Davidi, pavarësisht nga refuzimi, që i bëri Zoti idesë së tij, prapëseprapë ai e adhuroi dhe e falenderoi Atë: “Për çdo gjë falenderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju” (1 Thesalonikasve 5:18). Ndoshta Davidit i duhej ta hiqte nga mendja mendimin se Perëndia nuk mund t’i realizonte dot qëllimet e Tij pa ndihmën e Davidit. Ai flet rreth faktit se ishin vullneti dhe fuqia e Perëndisë ato, që e kishin çliruar Izraelin prej skllavërisë egjiptiane dhe se Perëndia akoma mbretëron mbi popullin e Tij. Edhe pse Perëndia iu jep fuqi njerëzve, që ta kryejnë vullnetin e Tij, prapëseprapë Ai është i vetmi, i Cili është i madh dhe “i denjë për t’u lëvduar” (Psalmi 18:3)… “I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm” (Psalmi 48:1).

Ky lëvdim i Perëndisë nuk është vetëm me fjalë. Davidit iu lejua të bënte përgatitjet e duhura për ndërtimin e tempullit dhe t’i kalonte ditët, që i kishin mbetur, duke e nderuar Perëndinë në këtë mënyrë. “Shtëpiaqë do t’i ndërtohet Zotit ka për të qenë jashtëzakonisht madhështore dhe do të fitojë famë e lavdi në të gjitha vendet; prandaj kam për të bërë përgatitjet e duhura për të”. Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri përgatitje të mëdha” (1 Kronikasve 22:5). Davidi nuk i dha Perëndisë gjëra të lira, por shpenzoi shumë, me qëllim që Tempulli të ishte i lavdishëm. “Ja, unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë; dhe ti mund t’i shtosh edhe më” (1 Kronikasve 22:14). 

Përfundim

Davidi nuk i mbajti mëri Perëndisë, kur Nathani i solli lajmin se Zoti ia kishte hedhur poshtë idenë e ndërtimit të tempullit. Ai shkoi direkt tek Perëndia, për t’iu lutur. Këtë gjë duhet ta kishte bërë pikërisht edhe në momentin, kur i lindi ideja për ndërtimin e tempullit. Shpeshherë, nxitohemi dhe me zell të madh, kujtojmë se ajo që kemi në mendje, është vullneti i Perëndisë për ne. Por më në fund, zhdekurajohemi. Nëse duam ta nderojmë Perëndinë, atëherë duhet t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës së Tij dhe në bazë të fjalës së Tij. Edhe pse Davidi ishte njeri simbas zemrës së Perëndisë (1 Samuelit 13:14), prapëseprapë atij iu desh ta përulte veten, duke iu bindur vullnetit të Zotit. Perëndia e pranon adhurimin dhe lëvdimin e vërtetë, vetëm kur ato dalin prej një zemre të tillë. Lexoni Psalmin 96-ë.

Mbrapa

Advertisements