Persekutuesi profetizues

“Këtë gjë ia njoftuan Saulit, i cili tha: “Davidi është në Najoth të Ramahut”. Atëherë dërgoi lajmëtarë për të marrë Davidin; por kur këta panë asamblenë e profetëve që profetizonin, nën kryesinë e Samuelit, Fryma e Perëndisë i përshkoi lajmëtarët e Saulit që filluan edhe ata të bëjnë profeci. Këtë ngjarje ia njoftuan Saulit që dërgoi lajmëtarë të tjerë, të cilët gjithashtu filluan të bëjnë profeci. Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të tretën herë, por edhe këta filluan të bëjnë profeci. Atëherë shkoi vetë në Ramah dhe, kur arritën në hauzin e madh që ndodhet në Seku, pyeti: “Ku janë Samueli dhe Davidi?”. Dikush iu përgjegj: “Ja, ndodhen në Najoth të Ramahut”. Kështu ai shkoi vetë atje, në Najoth të Ramahut, per edhe ai u përshkua nga Fryma e Perëndisë, dhe e vazhdoi udhëtimin e tij duke bërë profeci deri sa arriti në Najoth të Ramahut. Edhe ai i hodhi rrobat e tij dhe bëri profeci përpara Samuelit, dhe qëndroi i shtrirë lakuriq për tokë tërë atë ditë dhe tërë atë natë. Prandaj thuhet: “Edhe Sauli figuron midis profetëve?”” (1 Samuelit 19:19-24).

Parathënie

Kjo është ndoshta një nga pjesët më të çuditshme të jetës së Saulit. E dimë tashmë se Fryma e Perëndisë e kishte braktisur dhe se ai ishte nën tutelën e një fryme të keqe. Por, në këtë pasazh, lexojmë se si ai u përshkua prej Frymës së Perëndisë, tek përpiqej ta kapte Davidin të gjallë.

Shkolla e profetëve

Këtë duhet ta konsiderojmë si një shkollë biblike, të drejtuar prej profetit Samuel. Samueli ishte vajosur prej Perëndisë, “për t’i udhëzuar dhe drejtuar profetët në shërbimet e tyre të shenjta” (Gjon Uesli).

Shërbesa e adhurimit

Kur shërbëtorët e Saulit iu afruan profetëve, për t’i pyetur se ku ndodhej Davidi, ata u përshkuan prej adhurimit, që po zhvillohej në atë vend. Fjala “profetizoj” këtu nuk ka kuptimin e të shpallurit të fjalës së Perëndisë nga ana e profetëve, por të të adhuruarit të Zotit si me fjalë, ashtu edhe me vepra. Kjo fjalë do të thotë “shpërthej”. Ka të ngjarë, pra, që shërbëtorët e Saulit të kenë hedhur edhe valle, duke adhuruar Perëndinë.

Për ata që e urrejnë Zotin, asgjë nuk është e shenjtë. Për njerëz të tillë, kishat dhe vendet e tjera të adhurimit nuk kanë vlerë fare. Këta persekutues nuk e ndaluan dot adhurimin, por adhurimi i ndaloi ata. Tre herë me rradhë, mbreti dërgoi shërbëtorë, që ta gjenin Davidin dhe tre herë me rradhë, rezultati ishte i njëjtë. Ata të gjithë u përshkuan prej Frymës së Shenjtë dhe filluan ta adhuronin Zotin së bashku me Samuelin dhe nxënësit e tij. A ka adhurim të vërtetë sot? Vizitorët, që vijnë në kishë, a preken prej pranisë së Zotit, apo jo? “Por, në qoftë se profetizojnë të gjithë dhe hyn një jobesimtar ose një profan, ai bindet nga të gjithë dhe gjykohet nga të gjithë. Dhe kështu të fshehtat e zemrës së tij zbulohen; edhe kështu, duke rënë me faqe përmbys, do të adhurojë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush” (1 Korintasve 14:24-25). Perëndia e përdori këtë takim adhurimi, si një mjet për ta shpëtuar Davidin prej duarve të Saulit.

Bëje vetë!

Pasi shërbëtorët u kthyen mbrapsht herën e tretë, duke i treguar se si ishin përshkuar prej Perëndisë, mbreti Saul vendosi të shkonte e ta kapte vetë Davidin. Ai kujtoi se nuk do të prekej prej pranisë së Zotit. Ishte i sigurtë se nuk do të kthehej mbrapsht si fanatik. Por e njëjta gjë i ndodhi edhe atij. Dhe jo vetëm kaq, por ai gjithashtu i hoqi fare rrobat e mbretit, eci gjithë rrugës nga Ramahu deri në Najoth, duke adhuruar Perëndinë dhe më pas, qëndroi i shtrirë përtokë gjatë gjithë natës. Në sytë e njerëzve, edhe Sauli ishte kthyer në një fanatik fetar! Sauli i fortë e trim ishte shtrirë përdhe. “Kështu, pra, Perëndia, e ktheu zemërimin e armikut në adhurim, i mbrojti të gjithë profetët, ia prishi planet Saulit dhe e shpëtoi Davidin, shërbëtorin e Tij” (autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). Ishte Fryma e Shenjtë Ai, që e kishte bërë Saulin të shtrihej përdhe. “Në këtë mënyrë, Perëndia donte ta bindte Saulin se planet e tij kundër Davidit ishin të kota dhe se ai po luftonte kundër vetë Perëndisë” (Gjon Uesli).

Përfundim

Të shumtë janë ata, që thonë se janë prekur prej Frymës së Shenjtë, por për ç’arsye, vallë? Sauli dhe shërbëtorët e tij nuk e ndryshuan sjelljen e tyre, kur u larguan nga Ramahu. Përkundrazi, mbetën po ata që ishin, ngaqë ishin prekur nga ana e jashtme, e jo në zemër. Të shumtë janë ata, që kanë përjetuar të njëjtën gjë, por jetët e tyre nuk kanë ndryshuar fare. “Të shumtë janë ata, që kanë dhunti të mëdha, por s’kanë hir. Njerëz të tillë edhe mund të profetizojnë në emër të Krishtit, por nuk njihen prej Tij” (Mateo Henri). Kështu veprojnë gjithmonë profetët e rremë dhe pasuesit e rremë të Jezusit. “Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi” (Mateu 7:22-23).

Mbrapa

Advertisements