Përshëndetje

“Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezu Krishtit, gjithë shenjtorëve në Jezu Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht” (Filipianëve 1:1-2).

Parathënie

Filipeu ishte qytet i shënuar, ngaqë ishte i pari qytet evropian, që e kishte pranuar Ungjillin e Zotit Jezus Krisht, d.m.th. kisha e parë e krishterë, e përbërë prej johebrenjve ishte themeluar në këtë qytet. Apostulli Pal ka mundësi të ketë qenë shumë i thyer në moshë, kur e shkroi këtë letër, ndaj edhe kjo ishte letra e fundit, që ai shkroi në burg. “Unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit” (Filemonit 1:9). Shprehja “Pali dhe Timoteu” përshkruan marrëdhënien, që egzistonte mes këtyre dy besimtarëve. Pali është si babai i matur dhe i moshuar, kurse Timoteu është si biri i ri dhe energjik për të ardhmen.

Shërbëtorët

Pali po ndihmohej prej Timoteut, i cili ishte një burim inkurajimi dhe bekimi për të, ndërkohë që ai vetë po vuante në qelinë e burgut.  Nuk na thuhet askund se Pali e shkroi letrën së bashku me Timoteun. Tek vargu 3, Pali përdor përemrin “unë”, si për të na thënë se kjo letër ishte plotësisht vepër e tija. Pali nuk e quan veten apostull në këtë letër dhe ky është një fakt i rëndësishëm, kur marrim në konsideratë përshkrimin e mrekullueshëm që ai i bën Krishtit të përulur dhe të përçmuar tek Filipianëve 2:1-11. Prandaj, pra, Pali, ashtu si edhe Zoti i tij, nuk e ngriti veten lart. Ai e konsideronte veten dhe Timoteun si shërbëtorë, d.m.th. si skllevër (ose ‘dulos’ në greqisht), klasa më e ulët e shoqërisë. Vini re gjithashtu faktin se Pali nuk e ngre veten fare më lart sesa Timoteu, por ai e konsideron atë si partner në punën e Zotit. Ai besonte se ishte pronë e Zotit, gjithmonë në dispozicjon të Tij. Një përulje e tillë nuk ishte fallco, sepse Pali e dinte mirë rolin e rëndësishëm që po luante në shërbim të Perëndisë. “Për të cilin jam i dërguari (ose ambasador) në pranga” (Efesianëve 6:20). Me fjalën “shërbëtorë” Pali na shpreh gjithashtu faktin se ai dhe Timoteu kishin detyrën më të rëndësishme në botë, ngaqë po i shërbenin Perëndisë. “Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt” (Ligji i Përtërirë 10:12). Kujtojmë nganjëherë se mos vallë personazhet e famshme të historisë biblike kishin vërtet fuqi mbinjerëzore, por, në fakt, secili prej tyre ishte thjesht shërbëtor i Perëndisë së Gjallë – njerëz “me të njëjtat pasione” si tonat (Jakobi 5:17).

Është gjithashtu e rëndësishme për t’u theksuar fakti se Pali nuk iu referua vetes si një apostull. Ai nuk i doli në mbrojtje thirrjes që i kishte bërë Perëndia, ngaqë marrëdhënia që ai kishte me kishën e filipianëve, ishte e bazuar fuqimisht në dashurinë që ai vetë kishte për Zotin dhe për popullin e Tij. Ata e dinin se ai ishte i vajosur prej Perëndisë, ndaj edhe nuk kishin nevojë që Pali t’iua kujtonte një gjë të tillë. Besimtarët filipianë ishin të gatshëm për ta dëgjuar Palin dhe për t’iu bindur atij. Kjo nuk do të thotë se Pali hezitoi për ta përdorur titullin e tij si apostull. Tek 1 Korintasve 5 na thuhet se ai e përdori këtë të drejtë, që ia kishte dhënë Perëndia, aty ku duhej. E megjithatë, ai nuk iu mburr të tjerëve se ishte apostull.

Shenjtorë

Në Bibël, fjala “shenjtorë” nuk përdoret për një të vdekur, që ka qenë më i favorizuar prej Zotit sesa të tjerët. Përkundrazi, kjo fjalë gjithmonë iu referohet të gjallëve, që ia kanë përkushtuar vërtet jetën Krishtit. Kjo fjalë nuk përdoret as për t’iu referuar atyre, që kujtojnë se e kanë arritur gjendjen e përsosshmërisë shpirtërore. Ky titull u përdor për të përshkruar gjithashtu edhe besimtarët judenj. “Shenjtorëve në Jeruzalem” (Veprat e Apostujve 9:13). Shenjtorë janë ata, që e duan dhe e kanë çdo ditë si pikësynim shenjtërinë e Perëndisë. E si mund të tregohemi të plogët dhe indiferentë ndaj besimit tonë? E si mund të jetojmë një jetë egoiste dhe të llastuar, kur e dimë se na kërkohet që të jemi të shenjtë? “Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt. Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme, duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?” (2 Pjetrit 3:10-12)… “O vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore” (Hebrenjve 3:1)… “Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë”” (1 Pjetrit 1:15-16).

Një shenjtor i vërtetë duhet të jetë në Krishtin dhe të qëndrojë në Krishtin. Nëse njeriu nuk është në Krishtin, atëherë ai nuk është i shpëtuar dhe nëse ai nuk qëndron në Krishtin, atëherë ai nuk mund të japë fryte, të cilat vërtetojnë se ai është i shpëtuar. “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua” (Gjoni 15:4). Shprehja “në Krishtin Jezus” na tregon se shenjtorët janë të zgjedhurit e vetëm, që përmenden në Bibël, përsa kohë që ata kanë si pikësynim shenjtërinë dhe bindjen. “Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t’u bindur dhe për t’u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 1:2). Të zgjedhurit janë ata, të cilët ia kanë përkushtuar vërtet jetën Krishtit, duke e ndjekur Atë besnikërisht. Shenjtëria praktike duhet të jetë e ndërthurur në çdo aspekt të jetës sonë.

Barinjtë

Tek 1 Pjetrit 2:5, Pjetri i përshkruan të gjithë besimtarët si priftërinj. “Edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit”. E megjithatë, është e qartë se kisha ka nevojë për burra të matur, që ta mbikqyrin punën e Perëndisë dhe të mësuarit e fjalës së Tij. “Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpallë orakullit të Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen” (1 Pjetrit 4:11). Tek Veprat e Apostujve 20:17, të njëjtët persona quhen edhe “pleqtë e kishës”.

Fjala “peshkopë” do të thotë “pastorë”. Në greqisht (‘episkopos’), kjo fjalë ka kuptimin e bariut, apo të mbikqyrësit. “Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij” (Veprat e Apostujve 20:28). E shohim, pra, qartë se bariu jo vetëm që kujdeset për tufën e vet, por ai gjithashtu e çon bagëtinë në kullota të mira (Psalmi 23). Perëndia i ka caktuar pastorët që ta forcojnë dhe ta ndërtojnë trupin e kishës. “Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit, që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit, por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri” (Efesianëve 4:11-16). Në të njëjtën kohë, nuk duhet të nënkuptojmë me këtë se ata që janë mësues apo drejtues të kishës, janë “zyrtarë me pozitë më të lartë” sesa të tjerët në kishë. Përkundrazi, ata janë thjesht bashkëpunëtorë në shërbim të Krishtit (shiko gjithashtu 1 Timoteut 3:1-11 dhe Titit 1:5-9).

Në greqisht, fjala “dhjakët” ose ‘diaknos’ ka kuptimin e atyre që shërbejnë. Kjo fjalë iu referohet pleqve të kishës. Tek Veprat e Apostujve kapitulli 6, vëmë re se disa burra, duke përfshirë këtu edhe Stefanin, u zgjodhën për të shërbyer në kishë, me qëllim që drejtuesit e saj të vazhdonin t’i përkushtoheshin “lutjes dhe shërbesës së fjalës” (Veprat e Apostujve 6:4). E megjithatë, këta burra duhej të ishin “me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi” (Veprat e Apostujve 6:3). Dhjakët ishin të angazhuar gjithashtu edhe me predikimin dhe mësimin e fjalës së Perëndisë. “Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit?” (1 Korintasve 3:5). Filipi, një nga dhjakët e parë (Veprat e Apostujve 6:5), njihej gjithashtu edhe me emrin “Filip ungjilltari” (Veprat e Apostujve 21:8). Ai ishte një predikues i mbushur me Frymën e Perëndisë (Veprat e Apostujve 8:5).

Edhe pse kisha u themelua në shtëpinë e Lidias (Veprat e Apostujve 16), ajo vetë, me përulësinë më të madhe, ia besoi detyrën e udhëheqësit Timoteut dhe burrave të tjerë në kishë. Kisha e hershme, pra, nuk i konsideronte gratë si pastore apo si drejtuese kishe.

Përshëndetje

Pali i uron kishës hir dhe paqe, dy dhurata këto prej Perëndisë, të cilat i duhen çdo besimtari. Në gjuhën hebraishte, fjala ‘paqe’ është ‘shalom’. Në të përfshihet një urim për një begati të përkohshme dhe shpirtërore. “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16)… “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7). Paqja e vërtetë dhe e përjetshme vjen vetëm atëherë, kur Perëndia na jep hirin dhe mëshirën e Tij.   

Përfundim

Në këto dy vargje, apostulli Pal na bën një përmbledhje të të gjithë letrës në vazhdim. Në të do të shohim të përsëritura vazhdimisht temat e perëndishmërisë, të përuljes dhe të falenderimit. Kisha e filipianëve nuk ishte e përsosur, por ajo na shërben si një shembull i një kishe të mirë, të përbërë prej krishterësh besnikë. 

Mbrapa

Advertisements