Përshëndetje

“Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht. Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona” (1 Thesalonikasve 1:1-2).

Parathënie

Tema e Letrës së Parë drejtuar Thesalonikasve: 1) Për t’iu përforcuar besimtarëve thesalonikas të vërtetat, që Pali iu kishte mësuar më parë. 2) Për t’i inkurajuar ata që të qëndronin të shenjtë. 3) Për t’i këshilluar lidhur me çështjen e Ardhjes së Dytë të Krishtit.

Letra u shkrua në Korint, rreth vitit 54 pas erës sonë, pas vizitës së Palit në Thesalonik. Prandaj, kjo është një nga letrat më të hershme të tij. Pali kishte qëndruar në qytetin e Thesalonikut vetëm për një muaj, por gjatë kësaj kohe, ai i kishte mësuar kësaj kishe të re të gjitha doktrinat themelore të besimit të krishterë. Ndaj, edhe misionarët dhe ungjillorët e ditëve të sotme kanë shumë për të mësuar prej Palit në këtë drejtim.

Në shumicën e letrave të tij, Pali e prezanton veten si një apostull, si një shërbëtor, apo si një i burgosur. Por, këtu, ai thjesht deklaron emrin e tij. Kjo tregon se ai kishte një lidhje shumë të ngushtë e intime me kishën e Thesalonikasve.

Tre miqtë

Tre njerëzit, që përmenden këtu, janë të barabartë në punën e Perëndisë mes besimtarëve. Në Dhiatën e re, Palin nuk e shohim asnjëherë duke e ngritur veten lart mbi të tjerët. Përkundrazi, ai e vlerëson shumë shërbesën e të tjerëve.  Madje, edhe kur thotë se po mburret, ai nuk mburret me të vërtetë: “Duke qenë se e vërteta e Krishtit është në mua, kjo mburrje, përsa më përket mua, nuk do të më ndalohet në vendet e Akaisë. Pse? Ndoshta sepse nuk ju dua? Perëndia e di. Por atë që bëj, do ta bëj përsëri, që t’u pres çdo shkas atyre që duan shkas, që ata të gjenden si edhe ne, në atë gjë, për të cilën mburren. Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre. Po e them përsëri: Askush të mos mendojë se jam i marrë; në mos, më pranoni edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem pakëz. Atë që po them në mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por në marrëzi” (2 Korintasve 11:10-17). Kur kujtojmë dhe kur sillemi sikur jemi më të mirë sesa të tjerët, atëherë shoqëria jonë e vërtetë me ta nuk do ta ketë jetën e gjatë: “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3). Pali nuk e përmend faktin e të qënit apostull, ngaqë akoma nuk ishin përhapur gënjeshtra e dyshime rreth tij.

Pali kishte qenë një Jude shumë fetar: “Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë” (2 Korintasve 11:22)… “Megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë: u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise, sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm. Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje” (Filipianëve 3:4-7). Silvani, i njohur edhe me emrin Sila, ishte shok i Palit dhe e kishte shoqëruar atë në disa prej udhëtimeve të tij misionare: “Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezëritDhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan” (Veprat e Apostujve 15:22, 32). Emri “Silvan” është përkthimi i emrit “Sila” mes jo-hebrenjve: “Ju shkrova shkurt me anë të Silvanit, që më duket një vëlla besnik” (1 Pjetrit 5:12)… “Sepse Biri i Perëndisë, Jezu Krisht, që u predikua ndër ju nga ne, pra, nga unë, nga Silvani dhe nga Timoteu, nuk ka qenë “po” dhe “jo,” por ka qenë “po” në atë” (2 Korintasve 1:19). Timoteu ishte biri i Palit “në besim” (1 Timoteut 1:2). Të tre miqtë kishin diçka të përbashkët: që të tre ishin të përkushtuar për t’iua treguar lajmin e shpëtimit atyre, që nuk besonin.

Kisha

Pali nuk po i shkruante një rryme të caktuar feje. Ai po i shkruante bashkësisë lokale të besimtarëve në qytetin e Thesalonikut. Fjala “kishë” thjesht ka kuptimin: “një grup njerëzish”. Fjalët “bashkësi”, apo “asamble” na japin një kuptim më të plotë të fjalës greke “eklesia” (“kishë”). Kisha e vërtetë përbëhet prej atyre që janë në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezus Krisht. Në të nuk ka as hebre, as jo-hebre, por të gjithë janë një në Krishtin. Shprehja “Perëndia Atë” tregon se ata nuk janë më paganë. Kurse shprehja “Zoti Jezus Krisht” tregon se ata nuk ishin bërë hebrenj. Ata ishin të krishterë. Pali e përdor me qëllim fjalën “Zot” në letrën e tij drejtuar kësaj kishe, të përqëndruar në një qytet nën sundimin e romakëve. Fjala “Kurios” (“Zot”) përdorej si titull prej perandorëve romakë. Krishti Jezus është Zoti i vërtetë i kishës së Tij: “Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin. Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit” (Galatasve 3:28-29).

Hir dhe Paqe

Kjo lloj përshëndetjeje ishte e zakonshme në Kishën e hershme. Nuk i ngjan aspak përshëndetjeve të ditëve të sotme, si p.sh. “Ç’kemi?”, apo “Si ia kalon?” etj. Përkundrazi, ky ishte një bekim që dilte nga zemra. Pali përdor fjalën “hir” (“karis”, që do të thotë “gëzim, kënaqësi dhe dashamirësi”. Hiri është shuma e përgjithshme e çdo bekimi, që na vjen nga Perëndia. Fjala “paqe” (në greqisht, “eirene) korespondon me fjalën “shalom” në gjuhën e hebrenjve dhe do të thotë “siguri, bekim dhe begati”. Një lloj përshëndetje e tillë, pra, shprehte dashuri dhe përkujdesje. E tillë është paqja, që mund të na e japë vetëm Perëndia: “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7)… “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).

Lutja

Fjalët që gjenden tek Efesianëve 1:15-16, mund t’i drejtohen edhe kësaj kishe: “Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve, nuk pushoj së falënderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia”. Pali i siguron të krishterët thesalonikas se Sila, Timoteu dhe ai vetë luten rregullisht për ta. Përveç të tjerave, ky varg duhet të na bindë rreth domosdoshmërisë së lutjes për besimtarët e tjerë. Kisha në Thesalonik e dinte se Pali kujdesej vërtet për ta, sepse ai, jo vetëm që lutej për ta, por edhe e falenderonte Perëndinë për ta. Vini re përdorimin e fjalës “ne”, që tregon se kjo ishte një punë e përbashkët e të tre ungjillorëve.          

Përfundim

Pali, Sila dhe Timoteu i donin vërtet bashkë-besimtarët në Krishtin. Kisha e ditëve të sotme është bërë aq egoiste, saqë mundësia për të patur shoqëri të vërtetë me të është shumë e vogël. Duhet të dëshirojmë që, jo vetëm ne, por edhe të tjerët të marrin bekimet e pasura të Perëndisë. Duhet të gëzohemi kur një vëlla, apo një motër në Krishtin bekohet prej Tij. Duhet të lutemi vazhdimisht për anëtarët e kishës sonë, si edhe për besimtarët në vendet e largëta. Sepse, përndryshe, si do të mund të jemi kisha e Krishtit?

Mbrapa

Advertisements