Përulja

“Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur…” (1 Pjetrit 5:6).

Parathënie
Në këtë studim, do t’i hedhim një sy kushtit të dy-anshëm për marrjen e bekimit të një zemre të shenjtëruar. Së pari, duhet të egzistojë nevoja për t’u përulur përpara Perëndisë, dhe së dyti, duhet të besojmë me një besim të përulur. 

Dorëzim absolut?
Ka nga ata që thonë se dedikimi ose dorëzimi absolut ndaj Perëndisë bën që premtimet e Tij të bëhen realitet në jetët tona. Por Shkrimet e Shenjta nuk e thonë një gjë të tillë. 

Premtimet e Perëndisë nuk do të realizohen kurrë në jetën tonë, nëse na duhet të presim derisa të jemi 100% të dorëzuar para Zotit. Krishti nuk i tha gruas Samaritane: “M’u dorëzo Mua plotësisht dhe pastaj Unë do të të shëroj”. Ai nuk i tha gjithashtu as lebrozit: “Ma dediko Mua jetën tënde, trupin, shpirtin dhe mendjen tënde, dhe pastaj Unë do ta shëroj trupin tënd”. Bekimet, që Ai iu dha këtyre njerëzve, erdhën si rezultat i mëshirës dhe dashurisë së Tij, që nuk mund të meritohen. 
Derdhja e Frymës së Shenjtë në Ditën e Pentikostit nuk erdhi si rezultat i dorëzimit të plotë të jetës së dishepujve para Perëndisë. Ky premtim erdhi për shkak të hirit falas të Zotit. Dedikimi vjen, por ai shfaqet tek një zemër, që është mirënjohëse për gjithçka që ka bërë dhe gjithçka që ka dhënë Zoti.
Shumë vetë luftojnë që ta marrin shenjtërimin nëpërmjet një dorëzimi absolut ndaj Perëndisë, por ata nuk janë kurrë në gjendje t’ia arrijnë qëllimit. Kjo luftë sjell dëshpërim, lodhje dhe një humbje besimi. Ata ndihen keq e më keq, në vend që të ndihen më mirë. 

Përulja
Rruga e besimit deklaron se Zoti kërkon përuljen para dedikimit … “O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?” (Mikai 6:8).

Zoti kërkon një zemër të përulur nga secili prej nesh. Po, s’ka dyshim që mëkati duhet të rrëfehet, por duhet të kemi gjithashtu edhe përulësi në shpirt. Ata që e përulin vetveten para Perëndisë, i tregojnë Atij se nuk janë në gjendje t’i besojnë dhe t’i binden Zotit, i tregojnë Atij për disfatat e tyre të vazhdueshme shpirtërore, dhe se si ata janë të privuar nga lavdia e Perëndisë. Ata kurrë nuk mburren për mirësinë e tyre, nuk thonë se ata e kanë merituar qoftë edhe bekimin më të vogël të Perëndisë. Jo, ata e vënë re mëkatin e tyre, mosbesimin, mungesën e gatishmërisë dhe rebelimin e tyre.
Në qoftë se do të qëndrojmë përpara Tij me përulje, atëherë do e kemi kryer punën tonë, s’kemi ç’të bëjmë më shumë! Nga ai moment, Perëndia do kryejë punën e Tij tek ne: Ai do të na lartësojë në atë vend që Ai ka planifikuar për ne. Është përulësia e vërtetë që e merr bekimin e sigurisë dhe të gëzimit të plotë. 
Të përpjekurit tonë për të arritur një dorëzim të plotë është më pak i rëndësishëm para Zotit sesa rrëfimi i përulur dhe serioz. Kjo mund të mos duket e vërtetë, por është për t’u besuar. Ata që vazhdimisht ia paraqesin trupat e tyre Krishtit (si flijim të gjallë), në fillim kanë nevojë që të hedhin tej shpirtin e tyre krenar dhe pastaj të vijnë tek Ai ashtu siç erdhi lebrozi i mjeruar. Nëse nuk veprojnë kështu, ata do të largohen nga prania e Perëndisë duarbosh.

Mos lejo që mungesa e një dorëzimi absolut të të pengojë
Djalli do ta përdorë një pengesë të tillë për të na larguar nga Krishti dhe nga të marrit e bekimit të shenjtërimit. Duhet të vijmë tek Zoti ashtu siç jemi, dhe t’i tregojmë Atij për idhujtarinë tonë, për faktin se s’jemi në gjendje t’i bindemi, t’i tregojmë Atij gjithashtu për mosbesimin tonë rebel.

Zoti do të thotë gjatë gjithë kohës: “Vetëm beso”. Ata që thjesht e përulin vetveten para Perëndisë, jo duke bërë vepra të mira, por nëpërmjet besimit, do të shikojnë se Perëndia do t’i bekojë më shumë dhe përtej imagjinatës së tyre.

Përfundim
Sa e lehtë është që ajo lloj feje e “të bërit të punëve të mira” (për t’u shpëtuar ose për t’u shenjtëruar), të hyjë përsëri në jetët tona! Madje edhe të krishterët e perëndishëm janë fajtorë, kur mendojnë se “po ta rrahësh trupin me kamzhik”, do të mund të arrish të marrësh premtimet e Perëndisë. Mashtrohemi kur besojmë se duhet t’i japim prova Perëndisë se e kemi seriozisht. Por gjatë gjithë kohës, Ai dëshiron që ne gjithmonë të përulemi para Tij me përulësi dhe me besim.

Mbrapa

Advertisements