Pishtarë të ndriçuar

“Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime, që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë.” (Filipianëve 2:14-15).

Parathënie

Thjesht me këto dy vargje, apostulli Pal na ofron një thesar fjalësh inkurajimi, për të na nxitur edhe më tepër në jetën tonë të krishterë. Këto vargje përmbajnë disa të vërteta të rëndësishme, por, nëse këto të vërteta nuk vihen re fare në jetën e një besimtari, atëherë kot që thotë ai/ajo se është pasues i vërtetë i Zotit Jezus Krisht, sepse të vërteta të tilla janë të detyrueshme për atë që beson.

Ankimet dhe kundërshtimet

Ankimet vijnë si rezultat i egoizmit. Ankimet dhe kundërshtimet prodhojnë barishte të këqija. Ato sjellin përçarësi dhe mungesë uniteti në kishë. Aty ku ka ankime dhe kundërshtime, aty mungon rritja shpirtërore. Fatkeqësisht, ka kisha të tilla, anëtarët e së cilave vazhdimisht zihen dhe grinden me njëri-tjetrin, zakonisht për gjëra të vogla e të parëndësishme. Nuk e shohin se grindje të tilla vijnë si rezultat i mendjemadhësisë dhe hipokrizisë, dy karakteristika këto komplet të kundërta me përulësinë. Ilaçi ndaj një përçarjeje të tillë është paqja dhe falja. “Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin” (Efesianëve 4:31-32).

Fjala “kundërshtime” mund të përshkruhet si “pyetje antagoniste, që dalin prej një zemre grindavece”. Një gjë e tillë jo vetëm që është shpirtërisht e shëmtuar, por gjithashtu na tregon se zemra e atij që kundërshton, është kundra Perëndisë. Fatkeqësisht, ka nga ata të krishterë, që vazhdimisht merren me debate, që nuk kanë as vlerë shpirtërore as vlerë të përjetshme. “Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet. Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte. Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar” (Romakëve 14:1-3)… “Sepse kam frikë se mos kur të vij nuk ju gjej sikundër kam dashur dhe se mos ju më gjeni sikundër nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zemërime, shpërthime, përgojime, insinuata, kryelartësi, ose trazira midis jush” (2 Korintasve 12:20). Le të mos e harrojmë faktin se Perëndia u zemërua ashpër me izraelitët në shkretëtirë pikërisht për shkak të një mëkati të tillë. “Populli, pra, foli kundër Perëndisë kundër Moisiut, duke thënë: “Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë ushqim të keq”. Atëherë Zoti dërgoi midis popullit gjarpërinj flakërues, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën” (Numrave 21:5-6). “Kundërshtimet” kanë të bëjnë gjithashtu edhe me argumenta apo diskutime të kota. Kjo lloj “shoqërie debatuese” egzistonte mes filozofëve aristoteljanë të Maqedonisë. Por si mund të përdoremi fuqimisht prej Zotit, nëse jemi të përçarë dhe të grindur me njëri-tjetrin? Argumentat dhe konfliktet na pengojnë së përjetuari hirin dhe fuqinë e Perëndisë në jetën tonë, në punën tonë dhe në kishën tonë. Kisha nuk mund të funksjonojë siç duhet, aty ku ka mungesë harmonie në Trupin e Krishtit.

Të paqortueshëm dhe të pastër

Me këto vargje Pali kërkon të na thotë se duhet të kemi mendjen e Krishtit dhe duhet të shfaqim përulësi. Perëndia na jep lëndën djegëse, që na nevojitet, për të ndriçuar fuqishëm për Të në këtë botë të errësuar prej mëkatit. Nëse luftojmë dhe zihemi me njëri-tjetrin, atëherë jemi njëlloj si bota dhe nuk kemi asnjë mesazh për t’iu dhënë të tjerëve.

Nuk duhet t’i japim askujt rastin për të na quajtur ‘hipokritë’. Askush nuk duhet të na e bëjë me gisht e të na fajësojë, sepse jemi fëmijë të Perëndisë. “Por asnjë nga ju le të mos vuajë si vrasës ose vjedhës ose keqbërës, o sepse përzihet në punët e të tjerëve. Por, nëse dikush vuan si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të përlëvdojë Perëndinë për këtë” (1 Pjetrit 4:15-16). Kjo do të thotë se duhet të ecim në mënyrë të pastër dhe të mos merremi me aktivitete mëkatare, me të cilat merret bota. Të jesh “i paqortueshëm” do të thotë të jesh “i pafajshëm”. Me fjalën “i pastër” nënkuptojmë pastërti dhe dlirësi personale në jetën e përditshme. E shohim, pra, se këto dy fjalë, “i paqortueshëm” dhe “i pastër” janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Besimtari duhet të jetë i sinqertë dhe i ndershëm, një njeri që s’ka të sharë. Nuk duhet ta ndotim veten, duke jetuar sipas standarteve të ulta të botës. “Sepse të bindurit tuaj arriti kudo; prandaj unë gëzohem për ju; dhe dëshiroj që të jeni të mëncur për të mirën dhe të thjesht për të keqen” (Romakëve 16:19)… “Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim” (Judës, vargu 24).

Pa të meta

Kjo shprehje do të thotë se askush nuk duhet të jetë në gjendje të gjejë qoftë edhe të metën, apo mëkatin më të vogël tek ne, duke na e njollosur kështu besimin. Edhe bota madje ka qejf të ketë një “reputacjon të pastër”. Prandaj edhe anëtarët e kishës duhet të synojnë për të patur standarte edhe më të larta sesa bota. Shprehja “pa të meta” gjendet në Dhiatën e Vjetër dhe ka të bëjë me një nga urdhërimet e Perëndisë, për të mos flijuar kafshë me të meta. “Qengji juaj duhet të jetë pa të meta” (Eksodi 12:5). Ashtu si prifti në Dhiatën e Vjetër, që duhej të flijonte vetëm flijime pa të meta, ashtu edhe Krishti, Kryeprifti ynë në Dhiatën e Re, do të çojë në Qiell vetëm ata që janë pa të meta. “Që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27). Bibla na e thekson mirë faktin se bota, në të cilën jetojmë, “nuk beson” dhe është “e çoroditur” (Mateu 17:17, Veprat e Apostujve 2:40). Njerëzit e kësaj bote kanë pikëpamje të gabuara lidhur me shumicën e gjërave. Ata vlerësojnë gjëra të kota, i shkojnë nga pas mëkatit dhe e hedhin poshtë fjalën e Perëndisë. Prandaj, edhe pse jetojmë në një botë mëkatare, nuk duhet të bëjmë siç bën ajo, por duhet ta veçojmë veten, të jemi të paqortueshëm dhe të jetojmë pa të meta, me qëllim që të jemi dëshmitarë të vërtetë të Krishtit. “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë” (1 Gjonit 2:15-17).

Ndriçoni si pishtarë

Pali na e bën mëse të qartë se bota është e padrejtë dhe e çoroditur. Me këto fjalë ai kërkon të na thotë se bota është shpirtërisht e korruptuar. Ia ka kthyer plotësisht kurrizin Perëndisë dhe ia ka shitur veten Satanait.

Jemi thirrur për të ndriçuar për Zotin, pikërisht në mes të një errësire të tillë! “Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:14-16)… “Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës” (Efesianëve 5:8)… “Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ. Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll. Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën. Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit” (1 Thesalonikasve 5:5-8). E si mund të ndriçojmë me të vërtetë si drita e hirit të Perëndisë, nëse ajo që na bën të ndriçojmë, është errësira e botës e jo drita e Krishtit? “Në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!” (Mateu 6:23).

Përfundim

Në këtë studim, Pali na përshkruar atë që është vërtet i krishterë. Kisha, në të cilën ka grindje dhe urrejtje, është e pavlefshme për Perëndinë. Krishti na i mbush zemrat me dashurinë, paqen dhe mendjen e Tij, duke na pajisur ashtu siç duhet, për të qenë dëshmitarë besnikë. “Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat” (Mateu 10:16). Edhe në mes të shoqërisë së korruptuar dhe të paperëndishme të Filipeut, Perëndia kishte vendosur pishtarët e Tij si dëshmitarë. Të njëjtën gjë bën Ai edhe sot, duke na bërë që të ndriçojmë fuqishëm në qytetin, kombin dhe në mbarë botën tonë.

Mbrapa

Advertisements