Pjekuria e krishterë

Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia” (Hebrenjve 6:1)…“Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:11-13).

Parathënie

Të gjithë të krishterët e vërtetë duhet të dëshirojnë që të bëhen më të pjekur nga ana shpirtërore. Këtë kuptim ka edhe shprehja “rritja e krishterë”, d.m.th. pikësynimi që i vëmë vetes që të bëhemi besimtarë, që i janë të përkushtuar Zotit, pavarësisht nga tundimet që mund të na paraqisë bota, të fortë në besim dhe të këmbëngulur për të mos dështuar kurrë. Në këtë mënyrë i ngjasojmë gjithnjë e më shumë Krishtit në jetën tonë të përditshme. Duhet t’i bëjmë, pra, pyetje vetes: “A i ngjaj unë më shumë Krishtit sot, sesa ditën e parë kur i besova Atij me gjithë zemër?” Shkurtimisht, pra, a jemi bërë më të pjekur me kalimin e viteve, apo jemi bërë më të vakët e më të ftohtë në besim?

Pikësynimi drejt maturisë

Do të ishte diçka e mrekullueshme, nëse çdo fëmijë i Perëndisë e kuptonte mirë domosdoshmërinë për t’u rritur “në njohurinë e Birit të Perëndisë”, por fatkeqësisht, realiteti është ndryshe. Pa dyshim që lexojmë të gjithë të njëjtën Bibël dhe dëgjojmë të gjithë të njëjtat predikime në kishë, por gjithçka është e pavlerë, nëse nuk i vëmë në praktikë ato që mësojmë. Kështu pra, a nuk është humbje kohe, kur shkojmë në takime kishtare, por kurrë nuk rritemi “në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”? Arsyeja pse shkojmë në kishë është që ta lartësojmë Perëndinë dhe të rritemi në Krishtin.

Në tekstin e studimit tonë të sotshëm na shfaqet arsyeja kryesore se përse Zoti i dha kishës shërbesat e të mësuarit. Qëllimi i këtyre dhuratave është “përsosja e shenjtorëve”, që “trupi i Krishtit” të “arrijë tek uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”. Po ku qëndron gabimi? Tek i hedhim një sy kishës sonë dhe atyre me të cilat kemi lidhje, a shohim një pjekuri, një përsosmëri dhe një unitet të tillë? A shohim ndonjë dëshmi se po i ngjasojmë gjithnjë e më shumë Krishtit? Pse nuk e kemi një maturi të tillë, edhe pse pastorët tanë na kanë mësuar me durim gjatë viteve? Ose e kanë patur fajin ata, që nuk na kanë mësuar siç duhet, ose ne vetë nuk i kemi vënë në praktikë mësimet e tyre të drejta. E megjithatë, e kemi për detyrë vetë që të rritemi në Krishtin, ngaqë Fryma e Shenjtë dëshiron të na mbushë me të vërtetën, kur ia vëmë veshin zërit të Tij në Bibël.

Kush e ka fajin?

Ku qëndron arsyeja për mungesën e rritjes? Mos vallë e ka fajin Zoti? A nuk na ka dhënë Ai gjithçka që na duhet për të patur një pjekuri të krishterë? S’kemi pikë dyshimi në faktin se është e pamundur që Perëndia të dështojë. “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11). Bibla është fjala e frymëzuar e Perëndisë, një libër i përsosur, që përmban ilaçin dhe shërimin ndaj çdo sëmundjeje shpirtërore, që mund të ketë fëmija e Perëndisë, në çdo kishë ku mund të ndodhet ai ose ajo.

Perëndia e përdor fuqinë dhe autoritetin e Tij, për ta çuar secilin prej fëmijëve të Vet drejt një pjekurie shpirtërore. Ai i ka dhënë secilit prej nesh fuqinë për t’u veshur “me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës” (Efesianëve 4:24). Ai bën të pamundurën për të na dhënë gjithçka që na duhet për t’u rritur, e megjithatë ne e lëmë Atë në baltë. Jeremia i bëri dikur po të njëjtën pyetje edhe Izraelit: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek? Pse, pra, nuk po i vjen shërimi bijës së popullit tim?” (Jeremia 8:22). Në Galaad kishte balsam, me të cilin mund të shëroheshin shumë sëmundje, por të sëmurët nuk pranonin të shkonin tek doktori për shërim. E njëjta gjë ndodh edhe sot me këtë brez. Nëpër kishat tona egzistojnë sëmundje të ndryshme shpirtërore, e megjithatë pasuesit e Krishtit nuk duan të shkojnë tek “Mjeku i Madh” (Luka 4:23). Kush e ka, pra, fajin për mungesën e pjekurisë shpirtërore?

Në fakt, tek Efesianëve 4:17-19 apostulli Pal na ofron arsyen e mungesës së pjekurisë në mes të besimtarëve, kur thotë: “Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin:të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur”. Është marrëzi të kujtojmë se mund të rritemi e të maturohemi në një kohë që vazhdojmë të bëjmë të njëjtat gjëra siç bën edhe bota! Nëse e duam vërtet Perëndinë, atëherë do ta hedhim poshtë gjithçka që na çon drejt ndyrësisë së mëkatit. Ilaçi i Palit për shërimin e papjekurisë është shumë i thjeshtë, por lakmia mishore e jona na pengon për ta marrë një shërim të tillë. Ai na thotë tek Efesianëve 4:21-24, “Në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin, që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës”. Kështu na thuhet edhe tek Titi 2:12, “Dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë”. Një pjekuri e tillë, pra, është një pjesë kryesore e jetës së krishterë për të gjithë ata, që duan të rriten në Krishtin.

Përfundim       

Duhet ta analizojmë jetën tonë dhe të pendohemi! Nëse nuk jemi rritur shpirtërisht në Krishtin, atëherë diku kemi gabuar dhe kemi mëkatuar. Nëse nuk duam që të rritemi, atëherë duhet t’i bëjmë pyetje vetes nëse jemi vërtet të shpëtuar apo jo. Ilaçi egziston për secilin prej nesh, sepse “balsami” i hirit të Perëndisë na shëron sëmundjet dhe na çon drejt rrugës së pjekurisë në Krishtin. Le ta duam, pra, Atë, fjalën e Tij dhe predikimin e së vërtetës.

Mbrapa