Plaçka e Davidit

“Davidi i sulmoi nga muzgu deri në mbrëmjen e ditës tjetër; asnjeri prej tyre nuk shpëtoi, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën. Kështu Davidi rimori të gjitha ato që Amalekitët kishin marrë me vete; Davidi gjeti edhe dy gratë e tij. Kështu ata nuk humbën asgjë, as të vegjëlit as të rriturit, as bijtë as bijat, as plaçkat dhe as ndonjë gjë tjetër që u kishin marrë. Davidi i rimori të gjitha. Kështu Davidi shtiu në dorë kopetë e bagëtisë së imët dhe tufat e bagëtisë së trashë; dhe ata që ecnin para bagëtive thonin: “Kjo është plaçka e Davidit!”” (1 Samuelit 30:17-20).

Parathënie

Në këtë pasazh të shkurtër, Davidin e gjejmë duke rimarrë të gjitha ato, që ia kishin vjedhur Amalekitët. E shohim se sa shpejt, pra, e mbajti Perëndia premtimin që i kishte bërë Davidit.

Vrasja

Amalekitët u kapën mat prej Davidit. Ashtu siç shkruan edhe një historian izraelit, Amalekitët “ishin lakuriq dhe nuk e prisnin një sulm të tillë, ngaqë ishin të dehur e po argëtoheshin. Për këtë arsye, pra, edhe u shkatërruan lehtë” (Historitë e Judenjve 6:14:363). U bë një masakër e madhe, që zgjati nga muzgu e deri në mbrëmjen e ditës tjetër. Në gjuhën hebraishte, fjala “muzg” (“nesep”) do të thotë “agim”, siç shprehet edhe tek Jobi 7:4, “Sa shtrihem, them: “Kur do të ngrihem?”. Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim”. E njëjta fjalë përdoret edhe tek Psalmi 119:147, “Unë zgjohem para agimit dhe bërtas”. Prandaj, pra, Davidi do ta ketë nisur sulmin e tij ndaj Amalekitëve që herët në mëngjes, kur atyre akoma s’iu kishte dalë pija.

Të mos e harrojmë faktin se Davidit dhe njerëzve të tij iu ish dashur të bënin tre ditë rrugë për të arritur në Tsiklag. Më pas, ishin vrarë shpirtërisht, kur e kishin parë qytetin komplet të shkatërruar, me gjithçka të vjedhur prej armikut. Ndaj edhe është për t’u lavdëruar kurajoja dhe guximi, që treguan ndaj një ushtrie kaq të madhe. Në pasazhin biblik na thuhet se vetëm 400 Amalekitë, që iu hipën deveve, arritën të shpëtonin, prandaj, pra, ushtria e tyre duhet të ketë qenë vërtet e madhe, po ta krahasojmë atë me 400 njerëzit e Davidit.

Ka të ngjarë që Davidi të ketë pritur momentin e duhur për ta sulmuar armikun. Mund të ketë bërë roje e t’i ketë vëzhguar ata tek hanin e pinin e këndonin. “Ka të ngjarë që, kur t’iu jetë afruar Amalekitëve, Davidi mund të jetë ulur e të ketë bërë pak pushim, ndoshta në një vend sekret, derisa të vinte momenti i duhur. Dhe pastaj të ketë marshuar e t’i ketë sulmuar në agim” (Gjon Uesli).

Shpëtimi

Asgjë nuk humbi prej atyre gjërave, që kishin marrë Amalekitët prej Tsiklagut. Që prej sulmit që i kishin bërë qytetit e deri në këtë moment, kur Davidi shfaqet në skenë, ata kishin patur tre ditë të tëra për t’iua shitur si skllevër qoftë gratë, qoftë edhe fëmijët tregtarëve të huaj. Por Perëndia i kishte premtuar Davidit se do t’i remerrte të gjitha dhe Ai e mbajti premtimin. Këtu na përmenden edhe dy gratë e Davidit, ndoshta ngaqë rimarrja e tyre do ta ketë gëzuar Davidin më shumë se gjithçka tjetër.

Plaçka

Të mundurit e Amalekitëve solli si rezultat praninë e një plaçke të madhe. Kaq e madhe ishte plaçka, saqë, jo vetëm që të 600 luftëtarët që e shoqëronin Davidin, ishin në gjendje të përfitonin prej saj, por edhe vetë Davidi pati mundësi t’iu dërgonte dhurata farefisit të tij në tokën e Judës. E shohim, pra, se si Perëndia e mbajti premtimin dhe Davidi mori më shumë se sa ç’kishte humbur në fillim. S’ka dyshim se njerëzit e Davidit kishin mbetur pa shtëpi e pa prona private, kur u dogj Tsiklagu. Por kjo plaçkë tani ishte kompensim për të gjitha ato që kishin humbur.

Pse iu lejua Davidit që ta mbante plaçkën për vete, kurse mbretit Saul iu dha urdhër që ta shkatërronte? Sauli nuk iu bind urdhërit të Perëndisë dhe, si pasojë, u ndëshkua prej Tij (shiko 1 Samuelit 15), por Davidit nuk i ndodhi gjë. Përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje e gjejmë tek fakti se Davidit nuk iu dha urdhër, që ta shkatërronte të gjithë plaçkën e Amalekitëve. Për më tepër, ai i rimorri të gjitha ato, që i kishin vjedhur dhe, edhe pse mori më shumë se kaq, kjo plaçkë duhet konsideruar si mjet kompensimi.

Përfundim

Vetëm bindja ndaj fjalës dhe ndaj vullnetit të Perëndisë na sjell tek vendi, ku mund të marrim bekime me bollëk. Davidi u ballafaqua me një situatë të vështirë, por ai iu lut Perëndisë dhe gjithçka shkoi për mbarë. Nuk duhet ta nënvleftësojmë kurrë atë, që Perëndia është në gjendje të bëjë për ne. “Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj. Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë. Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme. Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij” (Psalmi 24:1-5). Davidi “u forcua tek Zoti” (1 Samuelit 30:6), “u këshillua me Zotin” (1 Samuelit 30:8) dhe e pa se Perëndia i mban gjithmonë premtimet e Veta. Kjo ngjarje, pra, i sjell fund mërgimit dhe endjes së Davidit.

Mbrapa

Advertisements