Plani i ligë

“Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin. Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit. Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të. Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij; por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre. Pastaj Sauli i tha Davidit: “Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe març pjesë në betejat e Zotit”. Sauli mendonte kështu: “Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e Filisejve”. Por Davidi iu përgjegj Saulit: “Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?”. Kur erdhi çasti për t’ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel.” (1 Samuelit 18:12-19).

Parathënie

Ashtu si të gjithë despotët e tjerë, edhe Sauli ishte i bindur se dikush do ta rrëzonte nga froni, sidomos ngaqë ai ishte përpjekur për ta vrarë Davidin. Ndoshta Sauli kishte frikë se Davidi do të hakmerrej kundra tij dhe do ta vriste. Të gjithë e donin Davidin, ndaj edhe Sauli nuk mund t’i prekte dot atij as edhe një qime floku. Si rrjedhim, ai thuri një plan të ligë, për ta larguar njëherë e përgjithmonë Davidin prej vetes. Kujtoi se të gjitha problemet e veta do të zhdukeshin, po të vdiste Davidi. “Sjellja e keqe shkakton vetëm frikë” (Gjon G. Batlër).

Një ngritje tjetër në pozitë

Sauli e ngriti përsëri Davidin në pozitë, me shpresën se kjo do t’i sillte atij shkatërrim. Në tekstin e studimit tonë na thuhet se Sauli kishte aq shumë frikë, saqë nuk e donte fare afër Davidin. S’kishte pse të vepronte kështu, sepse Davidi nuk e kishte mendjen të mbrapshtë, si mbreti. Sauli kujtonte se po ta largonte rivalin e tij prej vetes, atëherë njerëzit do ta urrenin Davidin. Por, edhe pse ky ishte një plan i ligë i Saulit, prapëseprapë Perëndia e përdori atë për ta larguar shërbëtorin e tij larg rrezikut.

Komandanti i ri i Saulit iu bind çdo urdhëri të mbretit. Ai madje luftoi edhe në betejat më të ashpra. Zoti ishte me Davidin, prandaj atë s’e vriste dot as shtiza, as shpata. Ka të ngjarë që Davidi ta ketë konsideruar ngritjen e tij në pozitë si një përçmim nga ana e Saulit. Më parë, Sauli i kishte dhënë autoritet Davidit dhe e kishte vënë “në krye të luftëtarëve” (1 Samuelit 18:5). Kurse tani ai ishte thjesht komandant i njëmijë njerëzve.

Një premtim tjetër

Davidi kishte korrur fitore kundër Goliathit, ndaj edhe e meritonte vajzën e Saulit për grua. “Njerëzit e Izraelit thonin: “E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t’i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael” (1 Samuelit 17:25). E shohim, pra, se Sauli nuk e kishte mbajtur premtimin e parë, por mundohet ta korrigjojë veten tani, duke i bërë Davidit një premtim tjetër.

Mbreti s’kishte qëllim ta mbante as edhe këtë premtim të dytë. Ishte përpjekur për ta vrarë vetë Davidin, por pa suskes. Kujtoi se, me siguri, Davidi do të vdiste në fushën e betejës. Por edhe kjo nuk ndodhi. Davidi kishte besim tek Perëndia, edhe kur ndodhej në situatat më të vështira, ku e çonte Sauli, prandaj edhe armiqtë e tij s’arrinin dot ta vrisnin. Ka të ngjarë që Davidi e kishte kuptuar se mbreti po mundohej për ta shkatërruar, prandaj edhe tha se s’ishte i denjë për t’u martuar me vajzën e mbretit.

Disa komentatorë të Biblës besojnë se Sauli donte ta hidhëronte e ta zemëronte Davidin, prandaj edhe ia dha dikujt tjetri vajzën e tij për nuse. Sauli donte që ta bënte Davidin, që të fliste keq për mbretin, me qëllim që të kishte arsye për ta vrarë. Por Sauli s’bëri gjë tjetër veçse e mallkoi vetë veten, duke i dhënë Adrielit Merabin: “Por mbreti mori dy bijtë që Ritspah, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, Armonin dhe Mefibeshethin, dhe pesë bijtë që Mikal, e bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit nga Mehola, birit të Barzilait, dhe ua dorëzoi Gabaonitëve, që i varën në mal, përpara Zotit. Kështu u vranë në ditët e para të korrjeve, kur filloi korrja e elbit” (2 Samuelit 21:8-9).

Përfundim

Perëndia ishte me Davidin. Davidi sillej me mençuri e maturi të madhe. Këto dy fjali na tregojnë arsyen pse Davidi korrte gjithmonë fitore, pavarësisht nga planet e liga, që thurnin të tjerët kundra tij. E njëjta gjë vlen edhe për ne. “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31). Davidin e kishin ngritur në fillim në pozitë, pastaj e kishin turpëruar. Por ai i kishte sytë të fiksuar tek Zoti. Mbreti ishte përpjekur për ta ulur poshtë Davidin përpara popullit, por të gjithë e donin edhe më shumë Davidin. Siç e ka thënë edhe autori Mateo Pull: “Perëndia ia ktheu planet mbrapsht Saulit, por, nga ana tjetër, Ai bëri që Davidi të përfitonte prej tyre”.

Mbrapa

Advertisements