Po sikur Jezusi të mos kishte vdekur në kryq?

“Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete; ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij. Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën. Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë” (1 Gjonit 5:10-13).

Parathënie

Në këto kohë Pashke, të krishterët në mbarë botën reflektojnë rreth rëndësisë së vdekjes së Zotit Jezus Krisht në kryqin e Kalvarit. Të shumta do të jenë ato predikime, të cilat do të bëjnë fjalë për të mirat, që i sjell besimtarit pranimi i Shpëtimtarit, i cili vdiq për të na çliruar prej Ferrit. Por, po sikur Jezusi të mos kishte vdekur në kryq? Po sikur Ai të kishte vdekur në një mënyrë tjetër, apo thjesht të kishte vdekur në pleqëri? A do të kishte po të njëjtën vlerë vdekja e Tij? Përgjigja është “jo”. Nuk do ta merrnim dot hirin e Perëndisë, sepse Ai do të kishte mbetur akoma i zemëruar me ne. Do të përfundonim si të humbur në përjetësi. Në këtë studim, do t’iu hedhim një sy dy të vërtetave, të cilat nuk do t’i kuptonim fare, po qe se Jezusi nuk do të kishte vdekur ashtu siç ishte profetizuar më parë në Bibël.

Nuk do të ishim shfajësuar dot kurrë

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Sakrifica e Zotit tonë Jezus Krisht ishte e përsosur, sepse i përmbushi plotësisht të gjitha kërkesat e ligjit të Moisiut. Para se të vdiste Jezusi, çdo njeri ishte i detyruar të kryente rite, ceremoni dhe flijime të caktuara, për ta mbuluar mëkatin e vet. Por vepra të tilla duheshin përsëritur çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit, ndaj ato as nuk mund ta pastronin dot kurrë shpirtin, as nuk mund ta bënin dot njeriun të denjë për në Parajsë. “Sepse ligji, duke pasur hijen e të mirave që kishin për të ardhur dhe jo figurën vetë të gjërave, nuk mundet kurrë që t’i bëjë të përkryer ata që i afrohen Perëndisë me anë të të njëjtave flijime që ofrohen vazhdimisht vit për vit. Sepse përndryshe do të kishin pushuar t’i ofronin, sepse ata që e ushtrojnë kultin, si të pastroheshin një herë, a nuk do të kishin më asnjë vetëdije për mëkatet? Por në këto flijime përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve, sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatët” (Hebrenjve 10:1-4). Edhe sikur njeriu t’i zbatonte të gjitha ato që i kërkonte ligji, prapëseprapë ai nuk ishte i sigurtë nëse ishte i shfajësuar apo jo përpara Perëndisë. Po sikur Zoti të na i hidhte poshtë të gjitha sakrificat e flijimet, ngaqë kishim kryer ndonjë mëkat pa dijeni apo pa dashje? Prandaj, pra, na duhej dikush, i cili të mund të na e paguante mëkatin dhe të mund të na çlironte prej tiranisë së tij. Një njeri i tillë duhej të ishte i përsosur, përndryshe flijimi i Tij për mëkatin nuk do të ishte i mjaftueshëm. “Dhe ndërsa çdo prift rri përdita në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë” (Hebrenjve 10:11-12).

Shfajësimi ynë e ka bazën vetëm tek Krishti, jo tek feja, as tek veprat e bamirësisë që mund të bëjmë. “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Ishte vdekja e Tij fizike në kryq, që i çliroi përgjithmonë të gjitë ata, të cilët e pranojnë Atë dhe këtë të vërtetë të rëndësishme. “Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit. Ku është, pra, mburrja? Është përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit” (Romakëve 3:24-27).

Nuk do ta njihnim dot kurrë dashurinë e Perëndisë

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

Nuk ka shprehje më të madhe apo më të plotë të dashurisë së Perëndisë, sesa ajo dashuri e shfaqur në Jezusin. Edhe pse dashurinë e Perëndisë e vëmë re gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, askush nuk ishte në gjendje ta përjetonte plotësisht atë. Një dashuri e tillë u shfaq hapur vetëm kur erdhi Jezusi. “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona” (1 Gjonit 4:9-10).

Tek 1 Gjonit 4:8 thuhet se “Perëndia është dashuri”. Kjo dashuri as nuk mund të meritohet, as nuk na jepet, ngaqë jemi njerëz të mirë. “Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve; por sepse Zoti ju do” (Ligji i Përtërirë 7:7-8). Kjo dashuri ishte si një thesar i ruajtur me kujdes, gati për t’u derdhur prej Perëndisë mbi të gjithë ata, që i besuan Atij me të vërtetë. Ai qe në gjendje të na bekonte me këtë dashuri, që në momentin kur e pranuam Krishtin si Shpëtimtar. “Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi…” (Efesianëve 2:4)… “Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:5). Nuk jemi dot në gjendje ta kuptojmë një dashuri të tillë, sepse thjesht nuk e meritojmë atë. “Dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:19). Të armatosur me njohurinë se Perëndia na do në Krishtin, jemi gati për t’u ballafaquar me çdo problem në këtë botë. “Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:37-39).

Përfundim

Edhe pse bota e hedh poshtë vdekjen sakrifikuese të Krishtit në kryq, ne si besimtarë e kuptojmë se mëkatarët do të ishin akoma edhe më të humbur, po qe se Krishti nuk do të kishte vdekur. Do të ishte e pamundur të kishim një marrëdhënie me Perëndinë, po qe se Ai nuk do ta kishte dërguar Birin e Tij në tokë. “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Timoteut 2:5). Pa Krishtin, nuk do të kishim shpëtimin. Mëkatet nuk do të na faleshin dhe nuk do të kishim shpresë fare për Parajsën. Do të kryenim përgjithmonë rite e ceremoni të panumërta, ngaqë e kishim ofenduar Perëndinë me mëkatin tonë, por kurrë nuk do të ndiheshim të sigurtë, nëse na kishte falur Ai apo jo. Me pak fjalë, pra, jeta jonë do të ishte e mjeruar. Perëndia vendosi të dërgonte Jezusin, me qëllim që të pajtoheshim me Të. “Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit” (2 Korintasve 5:18). Le ta falenderojmë Perëndinë për gjithçka që ka bërë, duke mos harruar se ç’privilegj është ta njohësh Jezusin si Shpëtimtar. “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri” (Psalmi 103:1-4).

Mbrapa