Poligamia e Davidit

“Abigaili u kthye pastaj te Nabali; ai kishte shtruar banket në shtëpinë e tij, një banket prej mbreti. Nabali e kishte zemrën të gëzuar, ishte i dehur xurxull; prandaj ajo nuk i tha asgjë, as pak as shumë, deri sa gdhiu. Por të nesërmen në mëngjes, kur efekti i verës kishte kaluar, gruaja i tregoi Nabalit këto gjëra; atëherë zemra iu ligështua dhe ai mbeti si një gur. Rreth dhjetë ditë më vonë Zoti e goditi Nabalin dhe ai vdiq. Kur mësoi që Nabali kishte vdekur, Davidi tha: “Qoftë i bekuar Zoti, që më dha hak për fyerjen e rëndë të Nabalit dhe nuk e lejoi shërbëtorin e tij të kryejë ndonjë të keqe! Zoti bëri që të bjerë mbi kokën e tij ligësia e Nabalit”. Pastaj Davidi dërgoi një njeri të flasë me Abigailin, me qëllim që ajo të bëhej bashkëshortja e tij. Shërbëtorët e Davidit erdhën te Abigaili në Karmel dhe i folën kështu, duke thënë: “Davidi na ka dërguar te ti, sepse dëshiron të të marrë për grua”. Atëherë ajo u ngrit në këmbë, ra përmbys me fytyrën për tokë dhe tha: “Ja, t’u bëftë shërbëtorja jote skllave, që t’u lajë këmbët shërbëtorëve të zotërisë tim”. Pastaj Abigaili u ngrit me nxitim, hipi mbi një gomar dhe, e ndihmuar nga pesë vajza, ndoqi lajmëtarët e Davidit dhe u bë bashkëshortja e tij. Davidi mori edhe Ahinoamin e Jezreelit, dhe që të dyja u bënë bashkëshorte të tij. Por Sauli ia kishte dhënë vajzën e tij Mikal, që ishte gruaja e Davidit, Paltit, birit të Lashit, që ishte nga Galimi” (1 Samuelit 25:36-44).

Parathënie

Davidi u tregua i mëshirshëm, duke ia lënë vetë Zotit në dorë, që ta gjykonte Nabalin. Perëndia veproi shpejt dhe brenda 10 ditëve, Nabali ishte i vdekur. Ashtu siç e shpreh edhe titulli i studimit tonë, do t’i hedhim gjithashtu një sy edhe martesave poligamike të Davidit.

Vdekja e Nabalit

Premtimi që bëhet në Bibël, tek Isaia 54:17, pa dyshim që u bë realitet për Davidin. “Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses, dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë,” thotë Zoti”. Nabalit, tek hante e pinte në gosti, as që i shkonte ndërmend se do ta gjykonte Zoti. Nuk ndihej aspak fajtor për atë që kishte ndodhur mes tij dhe njerëzve të Davidit. Madje as që e kishte kuptuar se Davidi kishte qenë gati për ta vrarë, jo vetëm atë, por të gjithë familjen e tij. Abigaili e dinte se i shoqi ishte për momentin aq i dehur, saqë nuk do të arrinte ta kuptonte dot arsyen e takimit të saj me Davidin. Gjon Uesli shkruan kështu: “Nabali nuk ishte në gjendje të arsyetonte siç duhej. Si gjykimin, ashtu edhe ndërgjegjen e kishte të fjetur”. Kurse Çarls Makintosh e shpjegon kështu arsyen e heshtjes së Abigailit: “Nuk ia vlen t’iu flasësh për të ardhmen atyre, që e kanë mendjen vetëm tek e sotshmja”. Nabali ra në gjumë i dehur. Por, të nesërmen në mëngjes, pasi Abigaili i shpjegoi se ç’kishte bërë, atij i ra një paralizë. Disa komentatorë sugjerojnë se kjo paralizë erdhi si rezultat i zemërimit të madh, që kishte shfaqur ndaj gruas, por, në të njëjtën kohë, kjo lloj paralize mund të kishte ardhur për faktin se tani Nabali e kishte kuptuar se ç’kishte bërë. Autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun, në komentimin që i bëjnë Biblës, thonë: “Ndoshta atij i ra të fikët nga frika, në të cilën e kishte zhytur me padijeni veten. Një traumë e tillë bëri që ai të vdiste pas ca ditësh”. Dhe vërtet, efekti i paralizës zgjati vetëm 10-ë ditë dhe më pas, Perëndia ia mori jetën.

Bekimi i Davidit

Njerëzit i shohim tek gëzohen, kur vdes dikush, vetëm atëherë kur i vdekuri ka qenë një diktator tiranik dhe i pamëshirshëm. Po kështu, pra, edhe Nabali e meritoi ndëshkimin, që mori. E kishte jetuar jetën me dredhi. Ishte treguar egoist e mëkatar. Prandaj edhe një jetë e tillë e turpshme kishte përfunduar me turp. Davidi e falenderon gjithashtu Perëndinë, për faktin se i kishte dërguar Abigailin, që ta ndalonte prej së vënit në praktikë të qëllimit të tij të ligë, për ta vrarë Nabalin me duart e veta. Prej vdekjes së Nabalit do të ishin habitur jo vetëm pjesëtarët e familjes së tij, por edhe Davidi dhe njerëzit e vet. Të gjithë e panë se kishin të bënin me një Perëndi të shenjtë, i Cili ka për t’i ndëshkuar të gjithë ata, që i bëjnë keq popullit të Tij. “Sepse ne e dimë atë që ka thënë: “Hakmarrja më takon mua, unë do ta jap shpagimin”, thotë Perëndia. Dhe përsëri: “Perëndia do të gjykojë popullin e vet”.Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 10:30-31).

Poligamia e Davidit

Lexojmë se si Davidi mori Abigailin për grua, edhe pse ishte i martuar me Mikalin. Ai u martua gjithashtu edhe me Ahinoamin dhe, më vonë, edhe me Bathshebën. Sauli vërtet ia kishte dhënë Mikalin dikujt tjetri për grua, por kjo nuk e hedh aspak poshtë faktin se tani Davidi ishte bërë poligamist. Pak rëndësi ka sesi rrodhën ngjarjet. Davidi tani ishte i zhytur në mëkat, sepse e kishte shkelur fjalën e Perëndisë. “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2:24). Ndoshta Salomoni i mori zakonet e tij poligamike prej të atit. Ndoshta Davidi kujtoi se nuk i duhej ta zbatonte ligjin në këtë drejtim, ngaqë Perëndia po e bekonte kaq shumë. Por, duke vepruar kështu, ai e keqkuptoi arsyen pse Perëndia e kishte zgjedhur që nga fillimi e deri në përjetësi.

Në Dhiatën e Vjetër, burrat nganjëherë martoheshin me më shumë sesa një grua. Por Perëndia nuk e kishte miratuar një gjë të tillë. Për këtë arsye, fjala “në rast se” ka shumë rëndësi tek Eksodi 21:10. “Në rast se merr një grua tjetër, ai nuk do të pakësojë ushqimin dhe veshmbathjen e saj, as edhe bashkëbanimin e saj”. Ka të ngjarë që Perëndia ta ketë lejuar një veprim të tillë, ngaqë e tillë ishte gjendja morale e shoqërisë në kohët biblike, edhe pse e dimë se mëkati do të marrë një ditë ndëshkimin që meriton. Ndoshta Davidi kujtoi se ishte e ligjshme të merrte një tjetër për grua, meqë mbreti Saul ia kishte dhënë gruan e tij dikujt tjetri. Por, ashtu siç thotë edhe Mateo Henri: “E mashtrojmë veten, kur kujtojmë se po i fshehim fajet tona pas mantelit të dikujt tjetri”.

Abigaili ishte një grua e pasur, ndaj edhe martesa e Davidit me të do t’i kishte sjellë atij pasuri të madhe. Ndoshta tërë pasuria e Nabalit tani i përkiste asaj, sepse ka të ngjarë që ata të mos kenë patur fëmijë, që ta trashëgonin këtë pasuri. Prandaj, pra, është e mundur që pasuria e Nabalit tani i takonte Davidit.            

Përfundim

Ky pasazh biblik na vë në dukje një fakt shumë të rëndësishëm, një fakt që nuk duhet ta harrojmë kurrë. Perëndia vepron dhe ndërhyn në planet dhe qëllimet e njerëzve, në mënyrë që ta realizojë vullnetin e Tij të përsosur.

Mbrapa

Advertisements