Poshtërimi i Krishtit

“Por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:7-8).

Parathënie

Është për të të ardhur keq që shumë besimtarë nuk e kuptojnë Zotin Jezus Krisht siç duhet nga ana biblike. Shpesh ide të gabuara, të përsëritura herë pas here, bëhen traditë për kisha të caktuara. Këtë gjë e vëmë re edhe tek tema e hyjnisë së përjetshme të Shpëtimtarit. Ka nga ata, që thonë se Jezusi u bë Bir i Perëndisë, në momentin kur u pagëzua prej Gjonit, ndërsa të tjerë besojnë se Ai e la mënjanë hyjninë e Tij, kur erdhi në tokë. Por, thjesht duke lexuar atë që na thotë fjala e Perëndisë, mjegulla e doktrinës fallco na largohet menjëherë dhe kështu fillojmë t’i kuptojmë më qartë mësimet e Biblës.

Poshtërimi me vetëdashje

Së pari, duhet ta theksojmë se Pali na shkruan se Jezusi “e zbrazi veten e Tij”. Në greqisht kjo shprehje nuk ka kuptimin se Ai “u bë askushi”, siç thuhet gabimisht në shumë përkthime moderne të Biblës. Për shembull, në përkthimin e ri ndërkombëtar të Biblës Studimore të Dishepujve na thuhet: “Krishti mori rolin e një shërbëtori dhe kjo do të thotë se Ai e braktisi një rol tjetër, d.m.th. jetën e mëparshme, që kishte me Perëndinë”. Një përkthim i tillë është më shumë një presupozim, sesa e vërteta dhe si i tillë, është teologji e gabuar, e pabazuar në Bibël. Një ide e tillë duhet marrë me shumë kujdes në konsideratë, sepse djalli dëshiron ta shkatërrojë hyjninë e vërtetë dhe të përjetshme të Krishtit. Jezusi, për shkak se erdhi në tokë si njeri, për të vdekur në kryq në vend të mëkatarëve, pranoi t’i vinte një kufi përdorimit të cilësive të Tij hyjnore (Gjoni 5:19, 8:28, 14:10). Kështu, p.sh. Krishti la mënjanë lavdinë e Tij hyjnore (Gjoni 17:4), pasuritë (2 Korintasve 8:9) dhe pozitën (Gjoni 5:30, Hebrenjve 5:8). Ky ishte një akt bindjeje ndaj vullnetit të Perëndisë. Vini re se si Pali na thotë se Jezusi u bë “i bindur”. Por kjo nuk do të thotë se Ai e la mënjanë natyrën e Tij hyjnore dhe të qënit i përsosur, sepse atëherë Ai nuk do të ishte as i gjithëpushtetshëm, as i shenjtë, as i vërtetë. Poshtërimi i Tij ka të bëjë me faktin se Atij iu desh të vuante për hatrin tonë. Shpëtimi ynë nuk do të ishte i përkryer, nëse Jezusi ishte thjesht njeri. Dielli, edhe pse nganjëherë nuk shihet dot për shkak të ndonjë eklipsi, prapëseprapë ndriçon me nxehtësinë dhe dritën e tij. Natyra e përjetshme e Krishtit thjesht ishte e mbuluar prej formës së Tij trupore. “Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim” (Isaia 53:2). Shpërfytyrimi i Jezusit na tregon se, përsa kohë që Ai ishte në tokë, lavdia e Tij hyjnore ishte e mbuluar prej trupit të Tij. “Dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita” (Mateu 17:2). Jezusi mori trupin e njeriut për të ardhur në tokë. “Prandaj, duke hyrë në botë, ai thotë: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup” (Hebrenjve 10:5). Si i tillë, Ai iu bind Ligjit të Moisiut (Luka 2:21, Galatasve 4:4), iu bind prindërve të Vet (Luka 2:51), përjetoi tundime (Mateu 4:1-11) dhe pati kërkesa njerëzore si gjithë njerëzit (Gjoni 4:6, Mateu 8:24, Mateu 4:2, Gjoni 19:28). Nëse Ai do të ishte shfaqur me tërë lavdinë e Tij hyjnore, nuk do të kishte mbetur njeri gjallë, sepse askush nuk mund të jetojë, pasi ta ketë parë Perëndinë (Eksodi 33:20). “Ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë” (1 Timoteut 6:16).

Djajtë e dinin mirë se kush ishte Jezusi. “Ç’ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë” (Marku 1:24). Satanai e dinte mirë se kush ishte Jezusi, sepse përndryshe, pse u lodh aq shumë për ta tunduar? (shiko Mateun 4). Në fakt, gjatë gjithë jetës së Tij në tokë, Jezusi gjithmonë e përuli Veten dhe nuk i kërkoi me forcë të drejtat e Tij hyjnore. “A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?” (Mateu 26:53). Nuk duhet ta harrojmë, pra, atë që kërkon të na thotë Pali me këto vargje, d.m.th. se Krishti e përuli Veten dhe se Ai është shembulli ynë më i përsosur.

Krishtin nuk e detyroi kush, për të ardhur për të na shpëtuar. Përkundrazi, ardhja e Tij në tokë u bë me vetëdashje, ngaqë na deshi. Një poshtërim i tillë me vetëdashje ka të bëjë gjithashtu edhe me faktin se, Jezusi, edhe pse ishte Perëndi në trup, u bë me vetëdashje shërbëtor. Shërbëtori, në ato kohë, ishte më i përbuzuri nga të gjithë në shoqëri. Krijuesi i Qiellit dhe i universit zbriti nga Froni i Tij, për t’u bërë skllav dhe për të vdekur për mëkatet e njeriut. “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve” (Mateu 20:28). Ai, “Mbreti i mbretërve” (Zbulesa 19:16), lindi në një grazhd (Luka 2:7). E shohim, pra, se Jezusi e përuli Veten edhe më shumë sesa një njeri i zakonshëm. Bibla na jep shumë pasazhe, të cilat na e paraqesin Zotin si shërbëtor, por më i bukuri nga të gjithë është momenti, kur Ai iu lau këmbët dishepujve të Vet (Gjoni 13:4-17). Mendjet tona njerëzore as nuk mund ta masin, as nuk mund ta kuptojnë dot distancën mes madhështisë së Tij si mbret dhe poshtërimit të Tij si shërbëtor. Një fakt i tillë është mëse i rëndësishëm, sepse kur e kuptojmë qoftë edhe sadopak përulësinë e Jezusit, atëherë jemi në gjendje ta vëmë atë në praktikë edhe në jetën tonë. Është për t’u theksuar fakti se Jezusi, përsa kohë që ishte në tokë, egzistoi si “në trajtën e Perëndisë, ashtu edhe “në trajtën e një shërbëtori”.

Poshtërimi për hatrin tonë

Jezusi, edhe pse ishte plotësisht Perëndi, u bë i ngjashëm me njerëzit, por “pa mëkatuar” (Hebrenjve 4:15). Ai u bë plotësisht njeri dhe jo thjesht gjoja si njeri. Folja “u bë” na tregon se Jezusi nuk ishte njeri më parë, por u bë i tillë. Gjithashtu, po kjo folje na tregon se Ai nuk do të mbetej përjetë njeri. Ai u bë njeri, por ishte, në të njëjtën kohë, plotësisht Perëndi. Bibla na thotë: “Prandaj tash e tutje ne nuk njohim më askënd sipas mishit; po, edhe sikur ta kemi njohur Krishtin sipas mishit, nuk e njohim më ashtu” (2 Korintasve 5:16). Gjithçka që bëri Krishti, kur ishte në tokë, e bëri me vetëdashje, duke përfshirë këtu edhe vdekjen në kryq për hatrin tonë. Me këtë Ai na tregoi se bëri absolutisht gjithçka që ishte e mundur, për të na shpëtuar. Poshtërimin e plotë të Krishtit e vëmë re tek fakti se Ai u gozhdua në kryq si ofertë për mëkatin. Kishte mundësi për ta shpëtuar Veten (Luka 23:35), por vendosi që të mos zbriste nga ai kryq. Edhe pse nuk kishte bërë asgjë për ta merituar një ligësi dhe armiqësi të tillë, Ai i lejoi që ta vrisnin vetë ata, për të cilët kishte ardhur. “Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij” (Hebrenjve 12:3)… “I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak” (Isaia 53:3). Të shumtë ishin ata, që vdiqën të kryqëzuar prej romakëve, por Jezusi vuajti poshtërimin më të madh. “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 Pjetrit 3:18). Këtë Ai e bëri për hatrin tonë, si bindje ndaj vullnetit të Atit të Tij. Me vetëdashje, Ai e mbarti mbi supet e Veta mallkimin e të gjithë njerëzimit. “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru”)” (Galatasve 3:13)… “Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:4-6).

Përfundim                                         

Këtu shohim, pra, si përulësinë, ashtu edhe poshtërimin e Zotit Jezus Krisht. Asnjë tjetër nuk ka bërë kaq shumë për ne. Jezusi, edhe pse ishte plotësisht hyjnor, u bë i ngjashëm me njerëzit dhe përjetoi tundimet, poshtërimet dhe dobësitë, që përjetojnë edhe ata vetë. “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13). Pika kulminante e bindjes së Tij ishte vdekja e Tij në Kalvar. “Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im” (Gjoni 10:18). Tek 1 Timoteut 1:15, apostulli Pal na e përmbledh ungjillin me këto fjalë: “Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët”. Një veprim i tillë u bë me vetëdashje dhe për hatrin tonë. “I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën” (Isaia 53:7). S’është për t’u habitur, pra, që “në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).  

Mbrapa

Advertisements