Pranimi

“Atëherë Davidi i tha Abigailit: “Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje! E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia! Sepse, sigurisht, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, që më ka penguar të të bëjë të keqen, po të mos ishe nxituar të më dilje përpara, në të gdhirë të ditës Nabalit nuk do t’i kishte mbetur asnjë njeri i gjallë”. Kështu Davidi mori nga duart e saj ato që ajo kishte sjellë dhe i tha: “Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko, unë dëgjova zërin tënd dhe pata respekt për personin tënd”” (1 Samuelit 25:32-35).

Parathënie

Davidi, në vend që ta hidhte poshtë këshillën e mençur të një gruaje, ra dakort me të. “Burrat e zgjuar dhe burrat e mirë ia vënë veshin arsyes dhe udhëhiqen prej saj, edhe pse ajo mund të vijë prej atyre, që janë inferjorë” (Mateo Henri). Davidi madje e lavdëroi Perëndinë për guximin, që tregoi Abigaili, duke e çuar Davidin në rrugë të drejtë. Nganjëherë Zoti përdor njerëz, të cilët neve, në fillim, mund të na duken të parëndësishëm, por janë ata, që na vënë në dukje mëkatet dhe gabimet tona. Fatkeqësisht, të paktë janë ata besimtarë, që i mirëpresin këto ndërhyrje, ashtu siç i mirëpriti Davidi. Të paktë janë ata, që janë gati ta pranojnë korrigjimin dhe disiplinën e të tjerëve.

Lavdi Perëndisë!

Davidi e falenderon Perëndinë, për faktin se Abigaili ndërhyri, duke e këshilluar që të mos shkonte e ta vinte në praktikë qëllimin e tij, për ta vrarë familjen e Nabalit. “Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar” (Fjalët e Urta 25:12)… “Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar” (Psalmi 141:5).

E lavdëroi Perëndinë për mençurinë e kësaj gruaje. Nuk veproi kështu, për t’i bërë qejfin Abigailit. Përkundrazi, Davidi e kuptoi mirë se ajo kishte treguar më shumë mençuri në këtë drejtim, sesa ai vetë. Ai e kishte lejuar veten, që të inatosej, kurse ajo ishte treguar e qetë dhe e matur. Davidi e falenderoi Perëndinë, që e kishte ndaluar të kryente një padrejtësi kaq të tmerrshme. Po ne, a e marrim parasysh faktin se Perëndia shpesh ndërhyn në jetën tonë për të mirën tonë? P.sh. sa herë kemi dëgjuar një predikim, që na ka folur për mëkatin, por jemi treguar indiferentë, e prapëseprapë, kemi mëkatuar? Ose sa herë kemi thurur plane për të shkuar diku, por moti nuk ka qenë i mirë, apo një shok na ka telefonuar, apo një pjesëtar familjeje është sëmurur, etj., por ne, prapëseprapë, kemi shkuar aty ku donim të shkonim në fillim, pa iua vënë veshin fare këtyre ndërhyrjeve të vogla? “Është i sinqertë dhe shumë i perëndishëm ai, i cili e falenderon Perëndinë, që e ka ruajtur prej mëkatit, në vend që ta shpëtonte prej vuajtjeve” (Uilliam G. Bleiki)… “Duhet ta shohim se është Perëndia Ai, që na dërgon njerëz në jetë, për të na këshilluar, për të na drejtuar, apo për të na korrigjuar me të drejtë” (Mateo Henri). Davidi e kuptoi se Abigaili jo vetëm që e parandaloi prej së mëkatuarit, por edhe prej pasojave të mëkatit (d.m.th. prej hidhërimit dhe keqardhjes, që do të ndjente më vonë). Davidi do ta kishte nisur jetën e tij si mbret, i njollosur prej mëkatit.

Ungjilli

Kjo histori na përshkruan sadopak mesazhin e Ungjillit. Në të shohim mënyrën, sesi Perëndia sillet me mëkatarët.

a) Gjykimi: Abigaili i thotë Davidit se qëllimet e tij janë mëkatare. Ai kujtoi se kishte të drejtë, por ajo e bindi se e kishte gabim. “Çdo paudhësi është mëkat” (1 Gjonit 5:17). Ka nga ata, që e konsiderojnë si ofendim dhe si një gjë negative, t’iu thuash të tjerëve se e kanë gabim, apo se po mëkatojnë. Por këtë pret prej nesh edhe vetë Zoti Jezus Krisht. Kur predikojmë të vërtetën, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta vëmë në dukje mëkatin dhe ta gjykojmë atë ashtu siç duhet. “Mos mëkato më” (Gjoni 5:14)… “Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish” (Romakëve 8:3)… “Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni” (Efesianëve 5:11). Por duhet të tregohemi të kujdesshëm, që, kur jemi duke e kritikuar dikë për mëkatin e vet, të mos e tejkalojmë kritikën e të mos e gjykojmë mëkatarin. T’ia lëmë Perëndisë atë lloj gjykimi.

b) Bindja: Abigaili jo vetëm që i tha Davidit, që të hiqte dorë prej vrasjes së Nabalit, por edhe që t’i vinte keq për mëkatin e paramenduar në zemër. Të shumtë janë ata, që e dinë se janë mëkatarë, por nuk iu vjen aspak keq për këtë. E ç’vlerë ka ta gjykosh mëkatarin, në një kohë që atij s’i vjen aspak keq se ka mëkatuar? “Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit” (Luka 18:13).

c) Kthimi në besim: Davidi e kuptoi se kishte mëkatuar dhe se kishte nevojë për Perëndinë. Gjykimi dhe bindja janë dy mjete, që Perëndia i përdor për ta kthyer mëkatarin në besim. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni 16:8)… “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja” (Veprat e Apostujve 3:19).  

Përfundim

Davidi e pranoi këshillën dhe kërkesën e Abigailit. I premtoi asaj se nuk do të vepronte, ashtu siç e kishte patur plan më parë, por se do ta linte situatën në duart e Perëndisë. “Abigaili ishte mjeti, që ia kishte hapur sytë Davidit, për ta parë siç duhej situatën, në të cilën ai e kishte futur gabimisht veten” (Gjon Uesli). Si ai, ashtu edhe Abigaili, e dinin se vetë Zoti do të merrej me Nabalin, sipas mënyrës së Tij, në kohën e Tij, në kohën e duhur. “Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë” (Fjalët e Urta 28:23).

Mbrapa

Advertisements