Predikim i guximshëm

“Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë. Por, mbasi hoqëm më parë dhe mbasi na shanë në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përpjekjesh.” (1 Thesalonikasve 2:1-2).

Parathënie

Apostulli Pal u akuzua shpeshherë, pa të drejtë, gjatë gjithë shërbesës së tij për Krishtin. Ai, që vërtet i del për zot Perëndisë dhe flet hapur rreth Tij, ka për t’u ballafaquar me ata, që duan t’ia njollosin emrin. Është për të ardhur keq se, jo vetëm nga bota, por gjithashtu edhe nga brenda përbrenda kishës, ka patur gjithmonë nga ata njerëz, që janë përpjekur për ta shkatërruar predikimin e fjalës së Perëndisë.

Jo e kotë, por e fuqishme

Kishte njerëz, që thoshin se Pali dhe shokët e tij s’kishin bërë asgjë të dobishme në Thesalonik. Fjalë të tilla të liga dilnin nga goja e atyre, që ishin shumë strikt ndaj ligjit të Perëndisë, si edhe nga goja e paganëve (e jobesimtarëve). Por Pali as nuk iua vuri veshin këtyre budallallëqeve, as nuk i lejoi ato që t’ia pengonin të predikuarit e ungjillit. Në greqisht, fjala “e kotë” (kenos) do të thotë “pa vlerë” dhe “bosh”. Fjalët e Palit ishin të pavlefshme për ata, që e mohonin fuqinë e Perëndisë për ta shpëtuar shpirtin. Ungjillizimi bazohet tek shpëtimi, transformimi i jetës dhe tek falja. Ungjillizimi ka të bëjë me të vërtetat e përjetshme, të cilat mund ta çlirojnë njeriun nga Ferri dhe nga ndarja e përjetshme prej Perëndisë.

Ata, që janë të angazhuar në punën e Perëndisë, për arsye rroge, apo shtëpie, apo për përfitimin e gjërave të tjera materiale, shpesh e hedhin poshtë domosdoshmërinë e të rilindurit përsëri dhe i vënë në lojë ata, që predikojnë rreth shpëtimit. Njerëz të tillë nuk e kuptojnë fare fuqinë e Krishtit të ringjallur. Pastorët, ungjillizuesit, misionarët, etj. kanë një pasion të veçantë për t’i shpëtuar njerëzit: “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Ata që nuk besojnë, e mohojnë fuqinë e ungjillit.

Vuajtja personale

Pali vuajti dhe u abuzua shumë prej atyre, që e mohonin të vërtetën në Filipi, e megjithatë, Perëndia shpëtoi shumë vetë nëpërmjet shërbesës së Palit. Tek Veprat e Apostujve 16:12-40, lexojmë rreth kthimit në besim të skllaves, që iu tregonte fatin njerëzve, si edhe rreth rojtarit të burgut. Palin e kishin rrahur, e kishin sharë, e kishin burgosur për kauzën e Krishtit. Por, edhe ai vetë e pranoi se të gjitha këto vuajtje nuk ishin pa një qëllim (nuk ishin të kota), tek pa njerëzit që u kthyen tek Krishti. S’ka dyshim se ata, që donin ta ulnin poshtë Palin, iu kishin treguar të gjithëve se ai kishte qenë në burg, prandaj edhe nuk i duhej zënë besë. Por, për Palin, gjëja më e rëndësishme nuk ishte reputacioni i tij, por të predikuarit e ungjillit: “Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!” (1 Korintasve 9:16).

Guxim i shenjtë

Shërbëtorë e vërtetë të Perëndisë e predikojnë fjalën e Tij me guxim, pa u kompromentuar me botën, apo pa patur frikë prej saj. Guximi tregon mungesën e frikës. Për besimtarin, guximi vjen si rezultat i të besuarit plotësisht në Biblën. Frika më e madhe, që duhet të mposhtet prej një pastori, është frika se ata që e dëgjojnë, do ta shajnë për atë që ka thënë. Ngaqë shumë njerëz kanë frikë nga fjalët që mund të thonë të tjerët rreth tyre, ata pushojnë së shpalluri të vërtetën: “Frika e njeriut përbën një lak” (Fjalët e Urta 29:25), prandaj edhe kemi turp “për ungjillin e Krishtit” (Romakëve 1:16).

Duam që sa më shumë njerëz të besojnë në Krishtin, por duhet të tregohemi të kujdesshëm që dëshira jonë të mos duket sikur duam të arrijmë sukses para të tjerëve. Një nga arsyet pse ka kaq shumë shterpësi në kishat e sotme, është ngaqë pastorët predikojnë sa për të mbushur kishën plot e përplot me njerëz. Një lloj predikimi i tillë do të thotë se jemi të prirur për të përdorur mënyra nga më të ndryshmet për t’i tërhequr njerëzit, në vend që t’iu flasim atyre qartë, ashtu siç na drejton dhe na jep fuqi Perëndia. Shtimi i numrit të njerëzve në kishë duhet të vijë si rezultat i fuqisë dhe hirit të Perëndisë: “Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit” (1 Korintasve 3:7). A.W. Tozer, në librin e tij “Autoritet në të predikuar” ka thënë: “Sot, në katedrat e kishave mungon autoriteti hyjnor. Pastorët tanë iu ngjajnë atyre maçokëve, kthetrat e të cilëve janë të prera me kujdes nëpër seminare, me qëllim që të mos i gërvishtin kurrë anëtarët e bashkësive të tyre. Fryma e Shenjtë do t’iua mprehë majat shigjetave të njeriut të Perëndisë, i cili predikon gjithë këshillën e Tij”.

Është ungjilli i Perëndisë, jo i yni

Në Bibël, asgjë nuk e ka prejardhjen nga njeriu. Kur një pastor e ndryshon fjalën e Perëndisë, për ta bërë atë më të lehtë për t’u gëlltitur prej botës, atëherë ai është fajtor, ngaqë ka krijuar ungjillin e tij: ” Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar. Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar” (Galatasve 1:8-9). Perëndia e krijoi ungjillin në mënyrë të atillë, që t’iua fitojë zemrat burrave e grave për Krishtin. Ndaj, kur ungjilli i Tij shtrembërohet apo ndryshohet, atëherë ai e humbet fuqinë e shpëtimit. T’iu mësosh të tjerëve diçka, që nuk është e vërteta, është njësoj sikur t’iu predikosh atyre rreth vetes tënde: “Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin” (2 Korintasve 4:5). Ka ardhur koha, që kisha t’i kthehet predikimit besnik të Biblës.

Përfundim                      

Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!” (Romakëve 10:14-15). Pastori që dërgohet për të predikuar, duhet të predikojë me guxim fjalën e pandryshuar të Perëndisë. Mateo Henri ka thënë: “Apostulli Pal nuk kishte si temë predikimi hamendje të kota rreth pyetjesh të parëndësishme e pa vlerë. Përkundrazi, ai predikoi të vërtetën e fuqishme, atë të vërtetë që ishte e dobishme për dëgjuesit”.

Mbrapa

Advertisements