Predikuesi dhe Lutjet e Tij

Parathënie

Në jetën e Zotit, nuk ka asgjë që të mund të konsiderohet si e parëndësishme, apo si e papërfillshme. Gjithçka që lexojmë rreth Tij, sado e madhe apo e vogël që të jetë, duhet që të na sjellë drejt një marrëdhëniejeje më të ngushtë me Të. Tek Marku 1:35-39, autori na tregon përsëri diçka më shumë rreth natyrës dhe shërbesës së Birit të Perëndisë.

Lutjet e Tij private

Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut” (Marku 1:35).

Lutja zinte një vend shumë të rëndësishëm në jetën e Jezusit. Kur donte që të lutej, Ai e distanconte Veten, qoftë edhe sadopak, nga punët e përditshme dhe nga gjithçka tjetër që mund t’ia tërhiqte vëmendjen. Edhe pse jetonte një jetë të zënë vazhdimisht me punë dhe presioni i njerëzve që prisnin ta shihnin, arrinte kulmin, Ai gjente kohë që të lutej, si shpesh, ashu edhe rregullisht. Nga Ungjijtë e dimë se Jezusi gjente kohën dhe vendin për t’u lutur, duke iu ngjitur malit, apo duke ecur në shkretëtirë. E dimë se shpesh Ai ngrihej herët në mëngjes për ta kaluar kohën me Atin e Tij Hyjnor. Kishte raste kur Ai e kalonte tërë natën në lutje. E shohim se si gjithmonë Ai preferonte vendet dhe orët e qeta. Ai i mësoi dishepujt e Tij që të luteshin “vazhdimisht pa u lodhur” (Luka 18:1). Për ne, Jezusi është shembulli më i mirë, se si të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Edhe pse ishte i tëri Perëndi, Jezusi ishte gjithshtu edhe një njeri i përsosur, që e dinte vlerën e lutjes private. Duhet ta kuptojmë se lutja nuk është metodë, formë, apo rit, por një mënyrë jetese.

Nga të gjitha anët, Jezusi ishte përsosshmërisht i shenjtë dhe pa mëkat: “Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej” (Hebrenjve 7:26). E megjithatë, Ai ia përkushtoi Veten lutjes. Po ne, që ia kushtojmë veten mëkatit dhe mosbindjes, a nuk kemi më shumë nevojë që ta kalojmë kohën duke u lutur në mënyrë private? Lutja e Jezusit nuk ishte e cekët, apo pa entuziazëm: “I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia” (Hebrenjve 5:7). A nuk duhet të jetojmë edhe ne sipas shëmbullit të Tij? Kur i krahasojmë lutjet tona me ato të Zotit, e shohim se tonat janë lutje të dobëta e pa fuqi. Por, si Ai, edhe ne duhet t’ia sjellim Atit tonë Qiellor të gjitha kërkesat, lutjet dhe shqetësimet tona. S’ka dyshim se mungesa e lutjeve është një nga shenjat që tregon se tek ne nuk manifestohet karakteri i Krishtit. Kur lutja private pushon së egzistuari, atëherë s’ka më hir, fuqi dhe gëzim në jetën e besimtarit. “Shtatë ditë pa u lutur e bëjnë njeriun të dobët!”

Jemi thirrur që të qëndrojmë syzgjuar në lutje: “Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve” (1 Pjetrit 4:7)… “Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment” (Marku 13:33). Këto vargje na mësojmë rreth rreziqeve që ndodhin, kur mungon lutja. Të luturit është një provim i vërtetë i gjendjes sonë para Perëndisë, kurse mungesa e lutjes është fillimi i kalbjes shpirtërore, që të çon drejt robërisë dhe dobësisë.

Predikimi i Tij publik

Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin. Dhe, kur e gjetën, i thanë: “Të gjithë po të kerkojnë!”. Dhe ai u tha atyre: “Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur”. Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët” (Marku 1:36-39).

1 Timoteut 1:15 thotë se “Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët”, por fatkeqësisht ka nga ata që e duan shpëtimin që solli Jezusi, por i mohojnë mësimet e Tij rreth rrugës që të çon për tek Perëndia. Biri i Perëndisë erdhi si Profeti dhe Mësuesi më i madh që kish njohur ndonjëherë bota: “Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar” (Ligji i Përtërirë 18:15). Është e pamundur që të jesh një pasues i Krishtit dhe ta kesh pranuar vdekjen e Tij sakrifikuese mbi Kalvar, por, në të njëjtën kohë, edhe ta kesh mohuar fjalën e Tij. Ai erdhi për të predikuar rrugën se si njeriu mund të shkojë në Qiell: “Jezusi erdhi… duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë” (Marku 1:14)… “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit” (Luka 4:18-19).

Gjatë kohës që ishte në tokë, Jezusi e kaloi jetën e Tij duke predikuar, duke mësuar dhe duke udhëzuar mëkatarët në rrugën e drejtësisë. Sa të paktë janë sot ata që dëshirojnë ta dëgjojnë fjalën e pastër të Perëndisë! Ajo që duan të dëgjojnë, është thjesht një fjalim inkurajues, që i bën të ndihen me krahë. Por kisha e parë nuk ishte e tillë. Ajo dikur iu predikonte Ungjillin shpëtues atyre që ishin të humbur në mëkate. Misionarët dhe ungjillizuesit e hershëm deklaruan të vërtetën në mbarë botën dhe, si rezultat, kishte ringjallje, kudo që u predikua kjo e vërtetë. Duhet të ketë një kthim përsëri drejt standartit biblik të predikimit: “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14). Pikërisht, nëpërmjet predikimit, kisha e parë e ktheu përmbys dhe e bëri “rrëmujë botën” (Veprat e Apostujve 17:6).

Nëse Zoti e mori si detyrë që të shërbente përmes predikimit, a nuk duhet që edhe ne të veprojmë në të njëjtën mënyrë si Ai? Për tre vjet me rradhë, Ai predikoi nëpër pazare, buzë detit, në fusha e në male. Kjo ishte njëra nga arsyet se përse u dërgua Ai në botë dhe ne jemi dërguar në botë pikërisht për të njëjtën arsye: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20).

Përfundim

Lutja dhe predikimi janë gjithmonë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Nëse lutemi për mëkatarët, atëherë duhet të jemi të përgatitur për të shkuar e për t’iu treguar atyre Lajmin e Mirë. Ajo që i tha Zoti Palit, vlen pak a shumë edhe për ne: “Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem, duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani, që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve” (Veprat e Apostujve 26:16-18). Kurrë nuk duhet të na vijë turp kur lutemi, apo kur predikojmë, sepse Zoti jetoi për të dyja, si për lujen, ashtu edhe për predikimin.

Mbrapa

Advertisements