Premtimi i Krishtit dhe Parashikimi i Kryqit

Pas takimit me pasanikun, Pjetri e kuptoi se ku e kishte fjalën Jezusi. Në këtë studim, do të shohim premtimin që iu bëri Zoti të gjithë atyre, që lënë pas gjithçka dhe e ndjekin (d.m.th. kushtin paraprak për ta ndjekur Atë), si edhe parashikimin që bëri Ai, lidhur me vdekjen e Tij në kryq.

Premtimi

Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur”. Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme” (Marku 10:28-30).

Ky premtim është për të gjithë besimtarët e çdo brezi, derisa të kthehet Zoti. Çdo i krishterë, që shqetësohet, dekurajohet dhe frikësohet, duhet të inkurajohet me një premtim të tillë. Ata që po vuajnë e që po përndiqen për hir të Krishtit, mund të marrin fuqi shpirtërore e të ngushëllohen nëpërmjet këtij premtimi, për të duruar deri në fund.

Premtimi është në dispozicion të atyre, që janë gati të sakrifikojnë gjithçka për hir të Krishtit. Janë pikërisht këta njerëz, që marrin njëqindfish bekime, e jo ata që synojnë të pasurohen në këtë botë. Koha e persekucionit ka për të ardhur, sepse Bibla thotë: “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Por premtimi i jetës së përjetshme ia kalon çdo lloj sikleti, që mund të përjetojmë. Mund të kemi ditë të vështira në këtë botë, por në atë që vjen, do të kemi lavdinë. Premtimet e çmuara të Krishtit mjaftojnë për të na kompensuar gjithçka, që mund ta humbasim në këtë botë. “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen,” për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh” (2 Korintasve 1:20). Ata, që hyjnë në lavdi nëpërmjet vështirësive, do të kënaqen në shoqërinë e të gjithë atyre, të cilët kanë shkuar për të qenë me Zotin në Qiell. Shoqëra e shenjtorëve në tokë nuk mund të krahasohet me atë në Qiell. Në momentin kur besimtari kalon përtej kësaj egzistence tokësore, ai hyn në lavdinë e përgatitur për të nga Perëndia. Trishtimet e lehta të kësaj toke do të harrohen, sapo ai të marrë shpërblimin e përjetshëm. “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 Korintasve 4:17)… “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:18). Tërë vitet e përkushtimit, të durimit e të hidhërimit, që kemi kaluar kur kemi qenë në mish, do të shndërrohen në qetësi të përsosur dhe në një kurorë triumfatori. Nuk do të kemi më lot, dhimbje, apo vështirësi: “Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4).

Duke patur parasysh një premtim të tillë të çmuar, a ka mundësi që një besimtar të guxojë të thotë se nuk ia vlen t’i shërbesh Krishtit? Koha po ikën dhe po afron fundi. Sot kërkohen të krishterë që janë 100% të përkushtuar për kauzën e Krishtit. Le t’i forcojmë “duart e kapitura dhe gjunjët e këputur” (Hebrenjve 12:12). “Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij” (Psalmi 37:7).

Kushti paraprak

Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët” (Marku 10:31).

Së bashku me premtimin, duhet ta pranojmë edhe paralajmërimin e Zotit. Ku e kishte mendjen Pjetri, kur e pyeti Zotin se ç’do të merrnin dishepujt, po ta ndiqnin? Zoti e dinte se ata po mendonin akoma për poste e për lavdinë vetjake. Por, sa më shumë që të luftonin për të zënë postin më të lartë, aq më poshtë do t’iu duhej të zbrisnin. Zoti po iu sillte ndër mend atyre se e vetmja mënyrë për t’u ngjitur lart, ishte që të zbrisnin poshtë. Pasuesit e Krishtit duhet të jenë të përulur dhe të duruar, pavarësisht se me çfarë mund të ballafaqohen në të ardhmen. Nuk duhet të lejojmë asgjë të kësaj bote, që të na pengojë, apo të na kthejë nga rruga.

Parashikimi

Ata ishin në udhëtim për t’u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t’u thotë çfarë do t’i ndodhte: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve, të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet” (Marku 10:32-34).

Këtu, Jezusi flet shumë qartë rreth vuajtjes, vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Edhe pse Zoti po parashikonte se ç’do t’i ndodhte, sapo të arrinte në Jeruzalem, kjo ngjarje ishte treguar që më parë, në kapitullin e parë të Zanafillës. Gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, vëmë re vargje, që flasin rreth vuajtjes, vdekjes dhe ringjalljes së Mesisë. Kjo na tregon se Jezusi vdiq në kryq me vullnetin, vendosshmërinë dhe dëshirën e Tij të lirë, pa e shtyrë kush. Që prej fillimit të shërbesës së Tij tokësore, kryqin e kishte para syve, ndaj edhe vdiq si shërbëtor që vuan. E dinte se vdekja e Tij ishte e vetmja mënyrë, për ta pajtuar njeriun me Perëndinë: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri, i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar” (1 Timoteut 2:5-6). Gjaku i Tij ishte e vetmja pagesë e pranueshme nga ana e Perëndisë për mëkatin e njeriut.

Përfundim

Ata, që janë të angazhuar në mënyrë aktive në punën e Zotit, do të bekohen prej Tij gjatë gjithë përjetësisë. Ky bekim nuk është pagesë për atë që kanë arritur, por është shpërblimi, ngaqë kanë qenë pjesëmarrës në shërbesën dhe në vuajtjet e Krishtit: “Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim” (2 Korintasve 1:7). Jezusi vdiq për ne, ndaj edhe neve na kërkohet të jetojmë për Të. 

Mbrapa

Advertisements