Premtimi i një fillimi të ri

“Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do të mbash zi për Saulin, kurse unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Isai, Betlemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij”” (1 Samuelit 16:1).

Parathënie

Mbreti Saul ishte zgjedhur prej popullit. Por, si gjithmonë, gjithçka, që kap njeriu me dorë, korruptohet shpejt. Sauli dështoi. Ai nuk iu bind Perëndisë. Nuk kishte besim. Ishte i pamëshirshëm. Prandaj edhe Perëndisë nuk i mbeti gjë tjetër, veçse ta largonte prej postit të tij si mbret i Izraelit. Profeti Samuel u mërzit dhe u zhdekurajua shumë prej kësaj situate. Ndoshta ai akoma shpresonte se Sauli do të pendohej vërtet dhe se Perëndia do ta falte e do ta bekonte përsëri. Por kjo nuk kishte për të ndodhur kurrë. “Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin” (Psalmi 75:7).

Samueli dëgjues

Samueli, pavarësisht nga depresioni, në të cilin ndodhej, për shkak të Saulit, vazhdonte t’i lutej Zotit dhe ishte gjithmonë gati për ta dëgjuar zërin e Tij. Nganjëherë, ato fjalë, që Perëndia dëshiron që t’iua thotë njerëzve, nuk janë fjalë, që njerëzit dëshirojnë t’i dëgjojnë. Por t’ia dëgjosh zërin Zotit, do të thotë t’i bindesh besnikërisht vullnetit të Tij. Zoti gjithmonë i bekon fuqishëm ata, që e dëgjojnë dhe i binden. “Folë, sepse shërbëtori yt të dëgjon…Ndërkaq Samueli rritej; dhe Zoti ishte me të dhe nuk la të shkonin kot asnjë nga fjalët e tij” (1 Samuelit 3:10, 19).

Edhe ne duhet të bëhemi dëgjues të mirë. Nuk duhet të presim që Zoti të na flasë me zë të lartë e të na drejtojë, duke na dhënë vizione natën. Përkundrazi, zërin e Tij e dëgjojmë, kur e lexojmë dhe e studiojmë me besnikëri e me lutje fjalën e Perëndisë. Nganjëherë, në vend që t’i kushtojmë rëndësi kësaj pjese të jetës sonë të krishterë, ne lejojmë gjëra të tjera, që të na e largojnë vëmendjen prej asaj, që ka më shumë rëndësi në jetë. Nuk është për t’u habitur, pra, që kishat e sotshme janë kaq të pafuqishme. “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15).

Hidhërimi i Samuelit

Samueli e kishte kuptuar tanimë se Perëndia donte ta hiqte Saulin nga froni. Të mos e harrojmë faktin se ishte Samueli ai, që kishte luajtur një rol kryesor në zgjedhjen e Saulit si mbret. Samueli e donte Saulin, pavarësisht se ai kishte anë negative. Ka të ngjarë që Samueli t’i jetë lutur e përgjëruar Perëndisë, që ta falte e ta kthente përsëri Saulin në rrugë të drejtë. Në gjuhën hebraishte, fjala “mbaj zi” do të thotë “të vajtosh”, d.m.th. Samueli ishte tepër i dëshpëruar. Por, pavarësisht sesa besim kishte profeti se Sauli do të pendohej një ditë, e pavarësisht sesa shumë u lut ai për këtë punë, prapëseprapë, vullneti i Perëndisë duhej bërë realitet. “Pritja e zgjatur e ligështon zemrën” (Fjalët e Urta 13:12).

Hidhërimi dhe vajtimi personal i Samuelit duhej vënë mënjanë, për hir të lavdisë dhe nderit të Zotit. Nëse Samueli do të kishte vazhduar kështu, i zhytur në depresion e zhgënjim, atëherë ai nuk do të mund të ishte më i vlefshëm për Perëndinë. Perëndia është vërtet i mëshirshëm, por Sauli e kishte kaluar cakun dhe nuk mund të përdorej më prej Zotit. A po tregohej Samueli më i mëshirshëm sesa vetë Perëndia? Në Biblën Studimore të Gjenevës thuhet: “Nuk duhet ta tregojmë veten më të mëshirshëm sesa vetë Perëndia, as nuk duhet të mbajmë zi për ata, të cilët janë hedhur poshtë prej Tij”. Me pak fjalë, pra, profetit i jepet urdhër, që të pushojë së qari e të merret me atë punë, që i ka ngarkuar Perëndia. Ndoshta Samueli, edhe pse iu bind Perëndisë, nuk e kuptoi plotësisht arsyen pse po i ndodhnin këto gjëra. Ndoshta atij iu duk i paarsyeshëm vullneti i Zotit.

Udhëzimet e Samuelit

Për ata që e shikonin nga larg situatën e popullit të Izraelit, fundi i Saulit dukej sikur po i sillte fundin edhe vetë Izraelit. Por plani përfundimtar i Perëndisë nuk mund të shkatërrohet nga problemet e njerëzve, sado të mëdha të duken probleme të tilla. Populli e kishte dashur mbretin e vet, që t’iua kalonte për shtat “që nga supet e lart gjithë njerëzve të tjerë” (1 Samuelit 9:2). Por tani, Perëndia do të zgjidhte një djalë të përulur, një bari, që të mbretëronte mbi kombin e Izraelit. “Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të mora nga vatha, kur po shkoje pas deleve, dhe të bëra princ mbi popullin tim, Izraelin” (1 Kronikasve 17:7). Samuelit iu dha urdhër, që të shkonte e ta vajoste birin e Isait. Gjon Uesli ka shkruar: “Kjo shprehje nënkupton dallimin midis Davidit dhe mbretit të mëparshëm. Sauli ishte një mbret i zgjedhur prej popullit. Ai ishte produkt i dëshirave të tyre mëkatare. Por Davidi ishte mbret i zgjedhur prej Perëndisë, për të përmbushur vullnetin e Tij dhe për t’i shërbyer lavdisë së Tij”. Perëndia e kishte shpallur vullnetin e Tij që në fillim, tek Zanafilla 49:10 “Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt“. Perëndia po përmbushte planin e Tij të paracaktuar.

Është e rëndësishme për t’u theksuar se, që nga fillimi e deri në fund, Perëndia e zgjodhi mbretin e Tij nga një qytet i vogël i quajtur Betlehem. “Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë” (Mikea 5:2)… “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur?” (Mateu 2:2)… “Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbulesa 19:16).   

Përfundim

Në më të shumtën e rasteve, nuk e kuptojmë dot vullnetin, planet dhe qëllimet e Perëndisë për jetën tonë. Por duhet të jemi të sigurtë se Ai e di se kush është më e mira absolute për ne. Ai, edhe kur duhet t’i gjykojë njerëzit, i gjykon ata me drejtësi dhe mëshirë. Nuk mund ta dimë dot të ardhmen, por njohim Dikë, që e di. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). 

Mbrapa

Advertisements