Prika (Paja) e çuditshme

“Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu. Kështu Sauli mendoi: “Do t’ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e Filistejve”. Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: “Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: “Ja, mbreti ështëi kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit”. Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjegj: “Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët”. Shërbëtorët i njoftuan Saulit: “Davidi u përgjegj në këtë mënyrë”. Atëherë Sauli tha: “Do t’i thoni kështu Davidit: “Mbreti nuk dëshëron asnjë prikë, por njëqind lafsha të Filisejve për t’u hakmarrë me armiqtë e mbretit””. Sauli kurdiste komplote për të shkaktuar vdekjen e Davidit me anë të Filistejve. Kur shërbëtorët i njoftuan Davidit këto fjalë, Davidit iu duk gjë e mirë të bëhej dhëndër i mbretit. Ditët e caktuara nuk kishin kaluar akoma, kur Davidi u ngrit dhe iku me njerëzit e tij, dhe vrau dyqind veta nga Filistejtë. Pastaj Davidi solli lafshat e tyre dhe dorëzoi mbretit këtë sasi të saktë për t’u bërë dhëndër i tij. Atëherë Sauli i dha të bijën Mikal për grua. Kështu Sauli e pa dhe e kuptoi që Zoti ishte me Davidin; dhe Mikal, bija e Saulit, e donte. Sauli pati edhe më tepër frikë nga Davidi dhe mbeti armiku i tij gjatë gjithë ditëve që jetoi. Pastaj princat e Filistejve dolën për të luftuar por, sa herë që dilnin, Davidi ia dilte më mirë se të gjithë shërbëtorët e Saulit; kështu emri i tij u bë shumë i famshëm” (1 Samuelit 18:20-30).

Parathënie

Mbreti Saul përsëri po përpiqej ta mashtronte Davidin, qoftë duke e ulur poshtë atë në sytë e njerëzve, qoftë edhe duke e larguar atë prej pallatit mbretëror, nëpërmjet metodash të liga. Kur e mori vesh se e bija kishte rënë në dashuri me Davidin, Sauli mendoi se tani kishte rast për ta vënë në praktikë planin e tij dinak. Mikali ishte njëlloj si i ati i saj, ndaj edhe Sauli e dinte mirë se mund ta përdorte të bijën, për ta shkatërruar Davidin

Kurthi

Sauli përdori shërbëtorët e vet, që t’i bënin lajka Davidit, me qëllim që ta bindnin, që të martohej me Mikalin. “Sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka” (Psalmi 5:9). Shërbëtorët bënë gjoja sikur po i tregonin Davidit një sekret, por në fakt, po e mashtronin. Kurthi po kurdisej me shumë kujdes dhe ky kurth e kishte emrin ‘Mikal’. Fjala ‘Mikal’ ka kuptimin e diçkaje shumë tërheqëse, por gjithashtu edhe të rrezikshme. S’ka dyshim se Mikali ishte një grua shumë e bukur, por ajo ishte gjithashtu edhe helm. Bija e Saulit do të bëhej spiune, për hatër të të atit, për të parë se ç’bënte Davidi. Do të vinte dita, kur Mikali do t’i shkaktonte Davidit shumë dhimbje.

Paja (Prika)

S’ishte nevoja për pajë, sepse Davidi e kishte bërë punën e tij, kur kishte vrarë Goliathin, filisteun më të madh nga të gjithë (shiko 1 Samuelit 17:25). Ai iu tha shërbëtorëve se nuk ishte në gjendje të bëhej dhëndri i mbretit, ngaqë vinte prej një familjeje të varfër e s’ishte në gjendje t’i jepte pajë Mikalit. Sauli e kishte përgjigjen gati, sepse e dinte se ç’kishte për të thënë Davidi. Thjesht mjaftonte që Davidi të vriste 100 filistenj dhe t’ia tregonte lafshat e tyre mbretit. Në këtë mënyrë, Sauli ishte i siguruar se Davidi do të vdiste në fushën e betejës. Por, përkundrazi, Davidi i solli Saulit 200 lafsha! Mund ta imagjinojmë se sa shumë do të ishte habitur dhe inatosur mbreti prej një veprimi të tillë.

Frika

Saulit s’i mbetej gjë tjetër veçse t’ia jepte Mikalin Davidit për grua. E kuptoi se Perëndia ishte me Davidin, ndaj edhe kishte frikë dhe e urrente edhe më shumë djalin bari. “Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura” (Psalmi 55:21). Ai që i dukej Saulit si armiku më i madh, ishte në fakt, shërbëtori më besnik i tij. Por frika dhe smira ia kishin turbulluar mendjen. Kur filistenjtë u hakmorrën, ishte Davidi ai, që iu doli atyre përpara në fushën e betejës, duke korrur përsëri fitore. Tek Ligji i Përtërirë 24:5 na thuhet se njeriu i sapo-martuar nuk duhet dërguar në luftë: “Në qoftë se një njeri është i porsamartuar, ai nuk do të shkojë në luftë dhe nuk do t’i ngarkohen detyra; ai do të jetë i lirë në shtëpinë e tij për një vit dhe do të bëjë të lumtur gruan me të cilën është martuar“.

Askush, madje as vetë shërbëtorët, apo pjesëtarët e familjes së Saulit nuk thonin dot një fjalë të keqe për Davidin. Sauli po mundohej t’i gjente zgjidhje problemit të tij, por sa më shumë përpiqej, aq më shumë probleme i shkaktonte vetes. “Por të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë. “Nuk ka paqe për të pabesët,” thotë Perëndia im” (Isaia 57:20-21). Emri i Davidit “u bë shumë i famshëm“, d.m.th. të gjithë, me përjashtim të Saulit, e konsideronin të çmuar emrin e Davidit.  

Përfundim

Sauli mosbesues po tregohej krejtësisht i padrejtë me Davidin. Davidi s’kishte bërë asnjë gabim, që ta meritonte një trajtim të tillë të ashpër, ndaj edhe kishte mundësi që të largohej njëherë e përgjithmonë prej kërcënimeve dhe rreziqeve të vazhdueshme. Por, përkundrazi, ai i qëndroi besnik detyrës, që i kishte dhënë Perëndia. “Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen”. Dhe kush do t’ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën? Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! “Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni”, madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje, duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin. Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq” (1 Pjetrit 3:12-17).

Mbrapa

Advertisements