Princi i Paqes dhe Ponc Pilati

Zoti Jezus Krisht përjetoi ndëshkim të formave nga më të ndryshmet, para se të kryqëzohej mbi Kalvar. Ai ishte “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29). N.q.s. Zoti nuk do të kishte përjetuar një ndëshkim të tillë, duke derdhur gjakun e Tij mbi kryq, atëherë ne do të ishim ende të humbur në mëkate dhe të ndodhur nën zemërimin e Perëndisë.

Prokurori

Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit” (Marku 15:1).

Këtu e shohim se si e trajtuan Judenjtë të vetmin Mesia, që do të kishin ndonjëherë. E lidhën si kriminel dhe e çuan tek guvernatori romak, Pilati, për t’u gjykuar prej tij. Vepruan kështu, ngaqë vetë atyre iu mungonte autoriteti për ta dënuar dikë me vdekje. Nëpërmjet këtij akti, ata përmbushën profecinë e Jakobit: “Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt” (Zanafilla 49:10). Mesia iu kishte ardhur Judenjve në një kohë, kur ata nuk e kishin më në dorë skeptrin e fuqisë së kombit të vet.

Princi

Dhe Pilati e pyeti: “A je ti mbreti i Judenjve?”. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: “Ti e thua!”. Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak. Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: “Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!”. Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur” (Marku 15:2-5).

Përpara fronit të gjykatësit Pilat, akuzues të ndryshëm i drejtuan Zotit akuzat e tyre. S’ka dyshim se këto akuza ishin të njëjta me ato gënjeshtrat dhe gjysëm të vërtetat e mëparshme. I thanë Pilatit: “Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t’i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti” (Luka 23:2). Jezusi nuk iu ktheu përgjigje këtyre gënjeshtrave, por përkundrazi, Ai “duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij” (Hebrenjve 12:3). Adami i parë ishte fajtor, e megjithatë, u përpoq për ta justifikuar veten. Por, Adami i dytë, megjithëse ishte i pafajshëm, nuk i doli në mbrojtje fare Vetvetes. Isaia 53:7 thotë: “I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën”. Kur Pilati e pyeti nëse ishte mbret apo jo, Jezusi iu përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej”. Atëherë Pilati i tha: “Ti, pra, qenke mbret?”. Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim” (Gjoni 18:36-37). Pilati atëherë e pyeti: “Ç’është e vërteta?” (Gjoni 18:38). Të vërtetën e kishte para syve, por vendosi ta hidhte poshtë.

Jezusi është shembulli ynë në çdo situatë. Prandaj, nuk duhet ta harrojmë këtë fakt, kur ballafaqohemi me momente të vështira vuajtjeje e persekutimi: “Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij”. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht” (1 Pjetrit 2:20-23).

Gjendja e rrezikshme

Dhe në çdo festë ishte zakon t’u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin. Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje. Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta. Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: “A doni t’ju liroj mbretin e Judenjve?”. Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira. Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t’u lironte atyre Barabanë” (Marku 15:6-11).

Pilati ishte i bindur se Jezusi ishte i pafajshëm, por, ashtu si edhe shumë politikanë të tjerë, ai donte të përpiqej për t’i kënaqur gjithmonë të gjithë njerëzit pa përjashtim. Kështu pra, Pilati u përpoq për të gjetur një rrugëdalje prej gjendjes së rrezikshme,  në të cilën e kishin futur Judenjtë dhe, duke vepruar kështu, ai shpresonte se do ta kishte ndërgjegjen të pastër. Ç’është më e keqja, e shoqja i dërgoi një pusullë, në të cilën thuhej: “Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij” (Mateu 27:19). Më në fund, Pilati iua mbajti anën drejtuesve fetarë e gjakpirës, duke e turpëruar kështu përjetësisht veten e tij.

Priftërinjtë

Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: “Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?”. Dhe ata bërtitën përsëri: “Kryqëzoje!”. Dhe Pilati u tha atyre: “Po ç’të keqe ka bërë?”. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: “Kryqëzoje!” (Marku 15:12-14).

Krerët e priftërinjve nuk treguan as edhe një pikë keqardhjeje për atë që bënë. Atyre iu dha mundësia për të zgjedhur midis dy njerëzve: Mesias Jezus dhe keqbërësit Baraba. Zgjodhën kriminelin, ngaqë ai nuk do të mund t’i gjykonte dot për mëkatin, që kishin bërë. Edhe pse nuk ishin krerët e priftërinjve ata, që e kryqëzuan Jezusin, prapëseprapë, ata ishin përgjegjës për vdekjen e Tij.

Të burgosurit

Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej” (Marku 15:15).

Ky varg na mëson diçka rreth ungjillit të shpëtimit. Fajtori lirohet, kurse i pafajshmi vdes në vend të tij. Një i burgosur ia zë vendin tjetrit. Këtë pikërisht bëri edhe Jezusi për secilin prej nesh: “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma” (1 Pjetrit 3:18). Ai është Zëvendësi ynë, sepse vuajti për mëkatet tona. Ai është Garancia jonë, sepse gjaku i Tij u derdh për ne. Vetë nga natyra, ne jemi fajtorë si Barabaja, ndaj edhe e meritojmë ndëshkimin. Por, në Krishtin, jemi të falur prej Perëndisë: “Ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë. Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit” (Efesianëve 2:12-13)… “Për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit” (Romakëve 3:26).

Përfundim

Duhet ta lavdërojmë gjithmonë Perëndinë për shpëtimin e lavdishëm, që na ka dhënë. Askush prej nesh nuk e meriton qoftë edhe mëshirën më të vogël të Tij, e megjithatë, Krishti vdiq për ne: “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25).

Mbrapa

Advertisements