Profeti dhe Profecia e Tij

Tek Marku 13:1-8, gjejmë të parashikuara dy ngjarje: njëra ka të bëjë me shkatërrimin e madh të Tempullit, kurse tjetra bën fjalë për mashtrimin e madh, që të ndodhë në botë, para Ardhjes së Dytë të Krishtit. Tempulli u shkatërrua në vitin 70 pas Krishtit, dyzet vjet pas kryqëzimit të Zotit. Mashtrimi i madh nuk ka ndodhur akoma, edhe pse shenjat e tij i vëmë re edhe në ditët e sotme.

Mbretëritë dhe perandoritë e kësaj bote, si p.sh. Babilonia, Greqia, Roma dhe Britania e Madhe as nuk kanë patur dhe as nuk kanë aq vlerë të madhe në sytë e Perëndisë, saç ka Mbretëria, që Krishti do ta themelojë një ditë mbi tokë. Fitoret e ushtrive pushtuese janë të parëndësishme në krahasim me fitoren përfundimtare të Zotit Jezus Krisht: “Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve” (Zbulesa 11:15).

Shkatërrimi i madh

Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: “Mësues, shih ç’gurë e ç’ndërtesa!”. Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: “A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar” (Marku 13:1-2).

Dishepujt mburreshin me Tempullin, ngaqë ai ishte monument me vlerë kombëtare i Izraelit. Ata ia vunë në dukje Jezusit arkitekturën e mrekullueshme të kësaj godine. Në shënimet e tij, historiani Josephus, thotë: “Madhështia e Tempullit ishte e jashtëzakonshme, e mahnitshme si për mendjen, ashtu edhe për sytë” (marrë nga Antikitetet 20:9:7). Vizita në Tempull iu kishte lënë dishepujve përshtypje fetare: “Disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta” (Luka 21:5). Por Jezusi, në vend që të ishte i entuziazmuar si ata, iu ktheu dishepujve një përgjigje, që, sipas tyre, ishte një përgjigje e trishtuar. Ata shikonin pamjen e jashtme të Tempullit, por Krishti shihte mëkatin dhe përdhosjen, që fshihej nga brenda. Si kombi izraelit, ashtu edhe Tempulli i tij, do të shkatërrohej plotësisht një ditë, për shkak të paudhësisë. Tempulli filloi të ndërtohej prej Herodit në vitin 19 para Krishtit, por u përfundua vetëm në vitin 64 pas Krishtit, 60 vjet pas vdekjes së Tij. Kjo do të thotë se Tempulli u shkatërrua gjashtë vjet pasi u mbarua së ndërtuari.

Lavdia e Perëndisë apo e kishës së vërtetë nuk ndodhet nëpër godina, apo monumente, por në perëndishmërinë e atyre, që e ndjekin Zotin. Duhet ta vëmë re se profecia e Jezusit në lidhje me shkatërrimin e Tempullit përfshiu gjithashtu edhe shkatërrimin e vendit më të shenjtë, Të Shenjtin e të Shenjtëve. Kjo do të thotë se Jezusi nuk gjeti asgjë të shenjtë në këtë vend. E sa pak shenjtëri gjen Ai sot në kishat, që përdorin mjetet e kësaj bote, për ta bërë krishtërimin tërheqës dhe të pëlqyeshëm për jobesimtarët!

Perëndia nuk gjen kënaqësi në godinat me dritare me xhama shumëngjyrësh, apo në kishat me maja të larta mbi çati, apo në muzikën orkestrale, apo në priftërinjtë që vishen me rroba madhështore. Të gjitha këto janë për spektakël, me qëllim që të tërheqin njerëzit. Në to nuk ka asgjë, që t’ia përmbushë dëshirat shpirtit e ta shërojë atë prej mëkatit. Të krishterët e hershëm mblidheshin nëpër shpella nëntokësore, jo në katedralet e Romës. Zoti është gjithmonë mes popullit të Tij dhe kudo që të mblidhemi së bashku, le t’i bëjmë të gjitha gjërat “sikur ka hije dhe me rregullsi” (1 Korintasve 14:40).

Mashtrimi i madh

Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas: “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?”. Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: “Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri. Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: “Unë jam!”; dhe do të mashtrohen shumë veta. Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi. Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes” (Marku 13:3-8).

Krahas këtyre ngjarjeve të tmerrshme, “do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli” (Luka 21:11). Këto gjëra do të ndodhin ndoshta gjatë kohës së sundimit të Antikrishtit në botë: “Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi…Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar” (2 Thesalonikasve 2:3-4; 9-10). “Edhe bënte shenja të mëdha, sa që edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve” (Zbulesa 13:13). Pali na shpjegon arsyen se përse do të jetë kaq i efektshëm mashtrimi i madh: “Dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar. E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!” (2 Thesalonikasve 2:10-12).

Dishepujt i kërkuan Jezusit më shumë njohuri lidhur me këtë çështje. Ai iu përgjigj atyre me një përgjigje, përmbajtja e së cilës do të kishte një ndikim të madh tek çdo besimtar, deri në përfundim të “Epokës së Kishës”. Jezusi foli rreth doktrinës së rreme, luftërave dhe fatkeqësive natyrore. Ndoshta dishepujt akoma i kishin shpresat të varura tek Mbretëria Mesianike dhe tek begatia dhe paqja e madhe, që do të sillte ajo. Ata e kuptuan se përgjigja e Jezusit kishte lidhje me ardhjen e Tij dhe me mbarimin e të gjitha gjërave. Por, pa dyshim, mendonin se kjo ardhje dhe ky mbarim do të ndodhnin së shpejti: “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?” (Mateu 24:3). Sa të shumtë janë ata besimtarë, që iu kanë shkuar mbrapa mësuesve të rremë! “Mos shkoni, pra, pas tyre”, e paralajmëron Jezusi kishën e Tij (Luka 21:8).

Të paktë janë ata anëtarë të kishave të sotme, që duan të dëgjojnë predikime rreth tmerreve të Ditëve të Fundit. Prandaj edhe në këto dekadat e fundit, ka patur një rritje në numër të predikuesve (të rremë) të pasurisë e të shëndetit. Jetojmë në një periudhë, kur me mijëra njerëz e organizata deklarojnë se e përfaqësojnë Krishtin, por në fakt, nuk e përfaqësojnë fare Atë: “Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: “Unë jam Krishti” dhe do të mashtrojnë shumë njërëz” (Mateu 24:5).

Mes disave, ekziston gjithashtu edhe ideja se e gjithë bota do të kthehet tek Krishti, para se të vijë Ai. Në Bibël nuk gjendet absolutisht asnjë varg, që ta justifikojë një ide të tillë. Përkundrazi, Jezusi parashikon se, para ardhjes së Tij, do të ketë një rritje në numrin e krishtrave, të predikuesve dhe të doktrinave të rreme.Në vend të paqes, do të ketë më shumë luftra e trazira. Në vend të begatisë, do të ketë tërmete dhe fatkeqësi të tjera natyrore, që do t’i kthejnë përmbys jetët e njerëzve. A nuk na thotë Bibla që t’i mbajmë sytë hapur lidhur me shfaqjen e Antikrishtit, para se të shfaqet Krishti i vërtetë?           

Përfundim

Mbi tokë, nuk mund të ketë paqe e begati universale, po qe se “Princi i Paqes” nuk sundon mbi të (Isaia 9:6). Ata që parashikojnë paqe, janë profetë të rremë: “Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: “Paqe, paqe,” kur nuk ekziston paqja” (Jeremia 8:11)… “Sepse, kur thonë: “Paqe dhe siguri,” atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë” (1 Thesalonikasve 5:3). Pa u lidhur Satanai, nuk do të ketë shenjtëri universale. Ata që nuk e dinë se ç’thotë Bibla, mund të na tallin e të na përçmojnë, ngaqë besojmë në mënyrë të tillë. Por në fund, do të vërtetohet se kush kishte të drejtë: “Profetët që kanë ardhur para meje dhe para teje, që nga kohët e lashta kanë profetizuar kundër shumë vendeve dhe kundër mbretërive të mëdha, luftën, urinë dhe murtajën. Profeti që profetizon paqen, kur fjala e tij do të realizohet, do të njihet si një profet i vërtetë i dërguar nga Zoti” (Jeremia 28:8-9). Derisa të vijë ajo ditë, nuk duhet të habitemi, nëse fjalët e Zotit dalin të vërteta: “Sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!” (Mateu 7:14).

Mbrapa

Advertisements